Xhamite 500-vjecare te Elbasanit themelet e xhamise se pare

Xhamite 500-vjeçare te Elbasanit, themelet e xhamise se pare
Xhamia e parë e ndërtuar në vendin tonë mendohet se është ajo e Portës së Kalasë në Elbasan. Fill pas pushtimit turk, ky qytet u kthye në pikën strategjike të Rajonit nga ku ndërmerreshin ekspeditat luftarake të sulltanëve. Kalaja e Elbasanit ishte më e madhja kala fushore në Ballkan dhe u lejonte sulltanëve të strehonin gjithë ushtrinë brenda mureve të saj. Për të qenë të sigurt e për të garantuar ekspedita të suksesshme, fillimisht turqit rindërtuan kalanë e qytetit të cilit shpejt i vunë emrin Ilj Basan (vura dorë).

Kalaja bashkë me fortesat u ngrit disa metra lartësi mbi themelet e kalasë antike, e cila u ndërtua nga romakët për të strehuar legjionarët me synimin e mbrojtjes së vijës Egnatia. Për të nënshtruar popullsinë ortodokse e të krishterë, krahas tehut të shpatës, turqit iu përveshën menjëherë punës për ndryshimin shpirtëror. Krahas ndërtimit të mureve të kalasë, lartësohej edhe xhamia bashkë me minaren e saj.

Sipas kronikanëve, fillimisht xhamia u ngrit për nevojat e ushtrisë, por më pas ajo u shoqërua me ndërtimin e dhjetëra të tjerave të cilat do të përmbushnin objektivin e perandorisë, mbjelljen e islamizmit si besim ndaj Allahut. Shpejt në qytet “mbinë” dhjetëra xhami dhe sipas rregullit islam ato ndodheshin në qendër të lagjes apo fshatit. Në fund të shekullit XVI në Elbasan numëroheshin jo pak por 46 xhami, të cilat për nga numri i banorëve e radhisnin si qytetin e parë të këtij lloji në Perandori. Ato ishin edhe nga më të bukurat e kohës.

Kështu Elbasani u bë një qytet i ngjashëm me Mekën. Dhe kjo sipas studiuesve u ndikua nga disa rrethana. Së pari, Elbasani ishte kryeqendra ushtarake dhe administrative e Turqisë në Shqipëri. Së dyti, nga ky qytet dolën një sërë strategë lufte që shërbenin në Portën e Lartë. Së treti, kryearkitekti i Perandorisë, Sedefqar Mehmet Biçakçiu, që ndërtoi kryeveprën e kohës, Xhaminë Blu në Stamboll, ishte po nga Elbasani.

Së katërti, Ilj-Basani siç e thërrasin turqit, ishte një qytet pranë vijës Egnatia, dhe mjaft tregtarë, udhëtarë, luftëtarë e poetë, bujtnin në xhamitë e këtij qyteti. Aq i rëndësishëm u bë besimi mysliman në këtë trevë sa njëri nga imamët solli në xhaminë e Kalasë së Peqinit fijen e flokut të Profetit Muhamed Ndërkohë komandantët, ofiqarët dhe strategët e ushtrisë u futën në garë mes tyre për të ndërtuar xhami sa më të bukura, të cilat në më të shumtën e rasteve ua kushtonin bashkëshorteve, duke i vënë madje edhe emrat që ato mbanin. Në atë periudhë kronikani Evlija Çelebiu e cilësonte Elbasanin si qytetin e luleve dhe poetëve. Kështu ishte një kohë ku qyteti i artë i perandorisë rrezatonte një simfoni të vërtetë minaresh e xhamish.

Modelet e ndërtimit

Xhamitë e trashëguara në Elbasan janë dy llojesh. Faltore të vogla të ndërtuara me tavan e çati druri, që përbëjnë numrin më të madh të xhamive, dhe xhamitë sulltanore me kupolë, me vlera arkitekturore, ku salla e lutjeve mbulohet nga një ose disa kupola masive me bazë të rrumbullakët ose shumëkëndëshe. Në thelb të dy tipet kanë të njëjtën skemë kompozimi të përbërë nga salla e lutjeve, hajati dhe minarja. Në xhamitë e zakonshme salla e lutjeve është një hapësirë katërkëndëshe me çati në formë piramide dhe me tavan që mbështetet rigorozisht në katër mure. Në xhamitë sulltanore salla gjithmonë ka qenë një imitim i xhamisë së Shën Sofisë së Stambollit. Kupola vishesh me fletë plumbi që të dallohej larg e të ngjallte një interes të veçantë ndër besimtarë.

Në Elbasan janë ndërtuar vetëm 3 xhami të tipit sulltanor me kupolë. Ato janë Xhamia e Nazireshës, e ndërtuar para vitit 1599; Xhamia e Ballies, e ndërtuar në vitet 1605-1606; dhe xhamia e Aga Bicakçi Zadesë. Dy të fundit nuk ekzistojnë më, ndërsa xhamia e Nazireshës është shpallur monument kulture, përfaqësuese e historisë së arkitekturës Mesjetare Shqiptare. Në vitet 1822-1823 një xhami e tillë u ndërtua në qendër të qytetit Peqin, e cila ruhet në gjendje shumë të mirë në ditët e sotme.

Xhamitë historike të Elbasanit

Më shumë se kudo në vend në Elbasan ndodhen disa të tilla. Për nga historia dhe modeli i ndërtimit janë shpallur edhe Monumente të Kulturës së Klasit të parë. Mjaft prej tyre lidhen me emrin e familjes së madhe çifligare Shqiptare të Biçakçinjëve që zë fill që në shekullin XV. Biçakçinjtë kanë dhënë kontribut madhor në Perandorinë Osmane dhe qytetin e lindjes, duke fituar tituj, ofiqe e grada të larta për kohën.

Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu (1570-1622) ishte kryearkitekti më i shquar i Perandorisë Osmane, ndërtues i xhamisë Blu në Stamboll, njërës prej kryeveprave të kulturës botërore. Sipas Evlija Çelebiut, Sedefqar Mehmet Aga ishte autor i disa veprave bamirësie në Elbasan, ku nuk përjashtohet edhe ndërtimi i xhamive, objekte që kishin një rëndësi të jashtëzakonshme për kohën. Sipas të dhënave të dokumentuara, në shekullin XVI në qytetin Elbasan numëroheshin 46 xhami.

Xhamitë qëndronin pranë njëra-tjetrës në qendër të qytetit, duke formuar një ansambël të vërtetë minaresh. Në vitet 1600-1650 Elbasani rezulton të jetë një ndër qytetet më të zhvilluara dhe të qytetëruara të kohës. Për shkak të zhvillimit kulturor, në këtë kohë autorët e huaj e cilësojnë qytetin si “Nusja e Shqipërisë”, “ Shtëpia e poetëve” etj., dedikime që kanë ekzistuar deri vonë shkruar në muret e këtyre xhamive.

Gjendja aktuale

Disa nga xhamitë monumentale të Elbasanit rrezikojnë që të shfarosen. Myftiu i Elbasanit. Agim Duka. shprehet se prej vitesh ndaj tyre nuk ishte treguar asnjë interes. Madje xhamitë shekullore, si ajo e Nazireshës dhe xhamisë Mbret, të cilat konsiderohen edhe sot si vende të shenjta për myslimanët, rrezikojnë jetën e besimtarëve. Pas shumë përpjekjesh ka lajme mjaft të mira në këtë drejtim. Me një fond të posaçëm ka nisur puna për rindërtimin e xhamisë së Nazireshës. Perspektiva ka edhe për xhaminë Mbret e myftinia është në tentativa për të gjetur donacione. Ndërsa sa i përket “xhamisë Blu” të Elbasanit, xhamisë së Ballijes, është miratuar projekti dhe rindërtimi i saj. Një problem tjetër mbetet fakti se, me shembjen e xhamive në sistemin totalitar, komunitetit mysliman në Elbasan nuk i janë kthyer në pronësi trualli i të paktën 36 xhamive që ndodhen të dokumentuara. Sipas të dhënave që disponon Myftinia, në rrethin Elbasan figurojnë 56 xhami nga të cilat 50 janë funksionale. Të njëjtat burime shprehen se 75% e popullsisë në këtë rreth i përket besimit Mysliman. Gjatë viteve të fundit janë ndërtuar disa xhami të reja si ajo në lagjen ‘5 maji’, në fshatin Labinot Mal në Shmil e në fshatra të tjera në shkallë qarku.

Përgatiti: Fatos Salliu

Xhamia e Portës së Kalasë

U ndërtua nga Sulltan Mehmeti i Dytë në vitin 1464 kur u rindërtua kalaja e Elbasanit. Fillimisht u përdor për nevojat e ushtrisë e më pas edhe të popullsisë myslimane në lagjen Kala. Rrënojat e saj kanë ekzistuar deri vonë. Xhamia ndodhej aty ku sot është kulla e sahatit.

Xhamia Mbret

Edhe sot e kësaj dite konsiderohet si objekt kulti simbol për myslimanët në Elbasan. Nuk ka të dhëna të sakta lidhur me vitin e ndërtimit të saj. Për kohën vinte e dyta në radhë pas xhamisë së ndërtuar nga sulltan Mehmeti i Dytë në vitin 1464 kur u rindërtua Kalaja e Elbasanit. Sipas të dhënave krahasuese, xhamia Mbret është ndërtuar në fund të shekullit XV. Ajo ndodhet në distancë të afërt me Portën e Kalasë, ku mendohet se u ndërtua xhamia e parë në Elbasan fill pas pushtimit turk. Nga pikëpamja stilistike xhamia Mbret përfaqëson tipin e faltores me sallë të mbuluar me çati druri dhe me hajat përpara. Nga pikëpamja stilistike dhe e kompozimit kjo faltore përkon me kohën e sulltan Bajazitit të Dytë i cili ndërtoi xhami të tilla edhe në qytetet Berat, Gjirokastër, Shkodër etj. Është xhamia që aktualisht frekuentohet më shumë në qytetin Elbasan.

Xhamia e Nazireshës

Mban emrin e gruas së funksionarit të lartë perandorak të qytetit për kohën. Mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XVI. Sipas një mbishkrimi të shkruar me bojë në murin fundor të mafilit lexohet data 1599. Xhamia e Nazireshës u ndërtua nga administratori i qytetit i cili ia bëri dhuratë bashkëshortes duke i vënë emrin e saj. Në të njëjtën kohë është ndërtuar edhe xhamia e Ballijes, i cili ishte vëllai i Nazireshës. Xhamia e Nazireshës përbën monumentin fetar tipik të arkitekturës mesjetare shqiptare. Është xhami e llojit sulltanor me minare e kupolë. Ndodhet në anë të unazës Jugore të Elbasanit. Mendohet se dikur këtu ka qenë qendra e qytetit. Xhamie a Nazireshës ruan formën origjinale të sallës së faljes. Xhamia është e shtruar me pllaka poligonale, salla ka formë kuadratike dhe ndriçohet nga 5 dritare të vendosura në tri radhë. Frekuentohet edhe në ditët e sotme, ndonëse për shkak të moshës mund të rrezikojë jetën e besimtarëve. Është shpallur monument kulture.

Xhamia e Ballijes

Cilësohet si “Xhamia Blu e Elbasanit”. Është ndërtuar pas xhamisë së Nazireshës. Studiuesit mendojnë se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XVII në kohën kur në Perandori kishte shkëlqyer si kryearkitekt Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu. Xhamia e Ballijes është vizituar nga Evlija Çelebiu. Sipas Çelebiut xhamia e Ballijes është ndërtuar në vitin 1017 të hixhretit ( 17 Prill 1608 deri më 6 Prill 1609) dhe është vendosur në qendër të qytetit. Ndërtuesi kishte shkruar për këtë xhami” Përt hir të Perëndisë Hasan Balliu ndërtoi këtë shtëpi të Zotit e cila shëmbëllen me parajsën”. Elemente përbërëse të saj, si salla e faljes, portiku, minarja etj. plotësohen me siluetën e një kupole gjysmë sferike me një tambur poligonal tetë këndor. Elementi më tërheqës i xhamisë së Ballijes ka qenë minarja, e cila për nga lartësia, modelimi dhe ballkoni kanë qenë të vetmet e këtij lloji në Shqipëri. Xhamia e Ballijes ndodhej pranë vendit ku sot është Teatri Skampa. Pas shumë përpjekjesh të Myftinisë dhe bashkisë xhamia e Ballijes do të rindërtohet sërish, por këtë radhë e konceptuar në mënyrë moderne e bashkëkohore

Xhamia e Agait

Plani rregullues i Elbasanit e përjashtoi atë nga monumentet e kulturës, ndonëse kishte vlera të veçanta arkitekturore, pasi ekzistenca e saj kishte lidhje me emrat e arkitektëve të mëdhenj shqiptarë të kohës. Xhamia mendohet se ka qenë e projektuar nga Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu dhe u ndërtua disa vite më vonë. Sipas Çelebiut, xhamia është më e re se ajo e Ballijes dhe se kishte një minare shumë të bukur. Ka mendime se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1640. Xhamia e Agait ka ekzistuar pranë vendit ku sot ndodhet Albtelekom dhe San Paulo Bank.

Xhamia e Kalasë së Peqinit

Vjen në radhë menjëherë pas xhamive që u ndërtuan vitet e para të pushtimit turk në vendin tonë. Pas Elbasanit ushtria turke pushtoi Peqinin dhe këtu vendosi një pjesë të ushtrisë së saj. Ashtu si edhe në Elbasan, turqit rindërtuan kalanë romake dhe brenda mureve të saj ngritën xhaminë, e cila ka qenë funksionale deri në gjysmën e shekullit të kaluar. Kjo xhami ishte ndoshta e vetmja në shkallë vendi që adhurohej për një fakt. Në një arkë të posaçme aty ruhej fija e flokut e Profetit Muhamed, e cila shfaqej një herë në vit për besimtarët. Kishte një influencë të jashtëzakonshme në zonën përreth deri në Kavajë. Qimja e Profetit Muhamed dyshohet se përvetësua nga një imam në kohën kur ajo u prish në sistemin totalitar e tashmë nuk dihet ende fati i saj.

Historia e xhamisë së poetëve, për nder të kryevezirit të Sulejmanit të Madhërishëm

Xhamia e Gazit të Sinanit, që njihej ndryshe edhe si “xhamia e poetëve”, për shkak se në të gjithë muret e saj ishin shkruar vjersha, lëvdata e fjalë profetike nga poetët dhe udhëtarët që vinin nga të katër anët e Perandorisë. Sipas Çelebiut në muret e saj kishte aq shumë mbishkrime sa mund të formohej një vëllim me 1500 faqe. Mendohet se ka lidhje me Sinan Pashë Biçakçiun, i cili jetoi në vitet 1506-1596. Sinan Pasha ishte ushtarak dhe pushtetar i lartë. Ka qenë oficer pallati në kohën e sulltan Sulejmanit (Sulejmanit të Madhërishëm), guvernator në Gaza e Tripoli. Merr titullin Gazi (hero) më 1564 me pushtimin e Jemenit, më pas komandat flote, kryekomandant i ushtrisë në luftën kundër Persisë 1580. Kryevezir më 1582 dhe guvernator i Damaskut më 1568. Ka drejtuar ekspedita kundër Hungarisë dhe Serbisë. Mendohet se ka financuar ndërtimin e xhamisë që njihet me emrin xhamia e Gazit. Pas kësaj periudhe përmenden edhe xhamia e Lepurit, xhamia e Sinan Beut, xhamia e Tabakëve, xhamia e Beqarëve dhe 20 medrese. Sipas kronikanëve, xhamitë e Elbasanit zotëronin një cilësi të tillë ku të gjitha minaret ishin në harmoni mes tyre në të njëjtën lartësi. Xhamitë kanë qenë ndërtuar në qendër të qytetit. Edhe në fshatra si në Fushë Buall dhe Godolesh ekzistojnë gjurmë të xhamive shekullore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama