Xhaxhai i Aleks Nikes Nuk i falim as Berishen as Bashen

Xhaxhai i Aleks Nikes: 'Nuk i falim as Berishen, as Bashen'

Ngjarja e 21 janarit vazhdon të jetë e pazbardhur pasi drejtësia shqiptare është akoma nën kontrollin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Kështu pohon në një intervistë për gazetën “Shekulli”, një nga familjarët e protestuesve të vrarë në 21 janarin e vitit 2011. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, shpreson se do të vihet drejtësia në vend, edhe pse shton se, jo vetëm gjykata, por dhe prokuroria kërkon ta mbyllë çështjen ende pa dënuar fajtorët e vërtetë. Mark Nika do të jetë sot në ceremoninë përkujtimore që do të zhvillohet para kryeministrisë, në nder të 4 të vrarëve më 21 janar.

Zoti Nika sot përkujtohen katër të vrarët në protestën e 21 janarit, mes tyre dhe nipi juaj. Cili është apeli juaj, tashmë 3 vjet nga vrasja e tyre?

Ne do te jemi në Tiranë për të përkujtuar 21 janarin, jo si datë kalendarike, por si ditën e vrasjes politike të Aleksit dhe shokëve të tij. Apeli ynë dhe i ndërkombëtarëve nuk ka gjetur përgjigje. Po mbushen 3 vjet nga data e masakrës dhe asgjë nuk po duket në horizont. Ne jemi të shqetësuar se si rezultat i presioneve politike, dobësisë dhe i nënshtrimit kronik të gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i 21 janarit ka degraduar dhe është kthyer në një farsë pa fajtor. Aleksi me shokë u thirrën, jo për të luftuar, por për të protestuar së bashku me opozitën e majtë.

Ku mendoni se qëndron pengesa për zbardhjen e ngjarjes?

Vrasjet nuk janë hetuar. Prokuroria ka lënë shteg vetë. Jo aq për shkak të paaftësisë profesionale, sesa për shkak të ndikimeve politike. Drejtësia ka liruar vrasësit dhe ka fshehur krimin. Ata ishin të pafajshëm, të pambrojtur, të parrezikshëm. Prokuroria është e predispozuar të mbyllë çështjen. Ajo nuk ka guxuar dhe nuk guxon të thërrasë fajtorët kryesorë, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Brendshëm të asaj kohe, që mburren nëpër kamera se vramë dhe vrasim përsëri.

Së bashku me ju, drejtësi për 21 janarin ka kërkuar dhe e majta. Sot ajo është në mazhorancë, mendoni se duhet të bëjë më tepër për zbardhjen e kësaj ngjarjeje?

Njeriu që projektoi vrasjet, plagosjet dhe burgimet dihet, është ish-kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm. Ne kemi pasur dhe kemi premtimin nga shumica parlamentare që do të krijohen lehtësia, se është kompetencë e prokurorisë, që çështja të zbardhet deri në fund. Mua më duket se ishte koha e mjaftueshme për tu shprehur. Mazhoranca e sotme, jo se do të dërgojë njeri në gjyq, por duhet të bëjë denoncimin publik, sidomos Ministria e Brendshme, se kush urdhëroi, e dyta pse nuk merret i pandehur ish-drejtori i Policisë që nuk respektoi urdhrin e prokurorit të Përgjithshëm për ndalimin e gardistëve? Askush nuk e pengon. Ne përshëndesim qëndrimin e ministrit të Shëndetësisë, pavarësisht se me vonesë, që kërkoi hetim për mjekët që u bënë pjesë e manipulimit të ngjarjes.

Keni ende shpresë se 21 janari do të zbardhet plotësisht?

Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, ne vazhdojmë të shpresojmë se një ditë çështja do zbardhet përfundimisht dhe se fajtorët kushdo qofshin, do vihen para drejtësisë. Ndoshta është koha e pamjaftueshme për qeverinë e re, por ne shpresojmë dhe njëherë, sidomos me premtimin publik që ka bërë kryeministri aktual, që tha në Parlament se ka mandat për ta hetuar këtë çështje. Por vrasja e Aleksit dhe shokëve të tij, pa reformë në drejtësi, është e vështirë të realizohet sepse drejtësia është ende e komanduar nga kreu i ekzekutivit të kaluar.

Sot do të jeni pjesë e ceremonisë përkujtimore, ku do të jetë dhe zoti Rama. Keni një kërkesë që do ia drejtoni kryeministrit?

Do e takojmë, patjetër. Ai ka ardhur në shtëpi dhe kemi biseduar me të. Kemi biseduar çështjen dhe juridikisht. Kur një fakt është i njohur botërisht, është parim universal që nuk ka nevojë për tu provuar. Është e njohur botërisht që gardistët kanë qëlluar mbi demonstruesit. Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm kanë pranuar botërisht kur kanë deklaruar se ‘kemi mbrojtur institucionet duke vrarë njerëz’. Ata nuk kanë të drejtë të përdorin armë, jo vetëm aty, por mbi asnjë turmë. Është manipuluar opinioni. Do presim, por jo pafundësisht. Ne e kemi kërkuar hakmarrjen nëpërmjet drejtësisë. Ne nuk e falim as Berishën, as Bashën, as gardistët që kanë qëlluar mbi ne.

Ceremonia, përkujtohen sot viktimat e 21 janarit

Mazhoranca qeverisëse përkujton sot 4 të vrarët në 21 janar të vitit 2011, në protestën e organizuar nga opozita e atëhershme. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, ligjvënësit socialistë por dhe familjarë e të afërm të viktimave. Ceremonia përkujtimore do të nisë në orën 11.00 para Kryeministrisë pikërisht në vendet ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Pritet që kryeministri Edi Rama të zbulojë dhe pllakatet e bonzit që do të vendoset në secilin vend duke e shoqëruar këtë ceremoni përkujtimore me një fjalim të shkurtër. Pllakatet e bronzit që do të vendosen në bulevard, janë pa emrat e viktimave, por ato do të shërbejnë si nderim dhe dëshmi e sakrificës së Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës që humbën jetën në 21 janarin e 3 viteve më parë.

Gaçi: Nuk do të rreshtim deri në zbardhjen e ngjarjes

Partia Socialiste do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, pohon se ceremonia e sotme është një përkujtim në nder të katër të vrarëve të 21 janarit, në përvjetorin e tretë të ngjarjes, por nuk është një mbyllje e çështjes. Ndërsa sqaron se ceremonia e sotme përkujtimore, në mënyrë të veçantë pllakat e bronzit që do të vendosen sot në bulevardin, “Dëshmorët e Kombit”, janë një ide e kryeministri Rama, ai vazhdon të mbështesë kërkesën e familjarëve për të vendosur drejtësi. Më herët Gaçi ka pohuar se: “Kjo është veçse një simbolikë në nderim të sakrificës së tyre, pasi Partia Socialiste nuk do të reshtë përpjekjet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënies para drejtësisë të autorëve që morën jetën e katër protestuesve”. Pavarësisht se më 21 janar u vranë katër persona dhe në bankën e të akuzuarve përfunduan gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, në burg nuk përfundoi askush. Veprimi i tyre u konsiderua nga gjykata si vrasje nga pakujdesia.

Lalla: Ngjarja shumë komplekse, një vrasje e pazbardhur

Prokurori i Përgjithshëm, Ardiatik Lalla, pranon se ende vijon të jetë e pazbardhur krejtësisht ngjarja e 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona. Por ai shton se kjo është një ngjarje shumë komplekse. “Me të drejtë partnerët tanë ndërkombëtarë ngrenë çështje që kërkojnë zgjidhje nga institucionet shqiptare, ku përmendet gjerësisht rasti i 21 janarit. Kjo çështje komplekse ka disa dimensione. Së pari, një pjesë e hetimit, ajo që ka të akuzuar konkret, tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Së dyti, për personat e akuzuar si organizatorë të protestës së 21 janarit është pushuar çështja, për shkak të amnistisë së vitit 2012. Së treti, ajo që është pjesa më e rëndësishme në këtë diskutim, janë faktet ende të pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve”, - tha Llalla. Ai shtroi se për zbardhjen e këtyre elementëve të hetimit ka një angazhim të Prokurorisë së Përgjithshme. “Pak javë më parë janë zhvilluar analiza të detajuara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, të cilat janë karakterizuar nga vullneti i përbashkët për të arritur në përgjegjës konkretë. Organi i prokurorisë, krahas hetimeve të saj, ka lënë edhe detyra konkrete për strukturat e policisë gjyqësore për zbardhjen e të gjithë veprimeve antiligjore. Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe ato pikëpyetje, për të cilat ka ndjeshmëri të lartë në media dhe në opinionin publik”, - tha Lalla.

Tritan Shehu: Hetim jo transparent, prokuroria konfuze

Demokratët pranojnë se ngjarja e 21 janarit vazhdon të jetë e pazbardhur dhe e pazgjidhur. Deputeti të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaron se menjëherë pas ngjarjes, PD-ja dhe kryeministri Berisha kërkuan një ndjekje ligjore sa më transparente, sa më të hapur, por gjithashtu dhe gjithëpërfshirëse të ngjarjeve të 21 janarit. “Fatkeqësisht nuk pamë diçka tillë, pamë disa procese të shkëputura, të ndodhura me të cilat sot është e vështirë të krijosh një tablo të përgjithshme”, shprehet Shehu. Sipas tij, një pjesë e proceseve janë mbyllur dhe kanë mbaruar, por nga ana tjetër organet e drejtësisë janë konfuzë. “Lidhur me këtë çështje organi i prokurorisë ka një konfuzion në atë që shpreh, nëse do të vendosin të bëjnë diçka me tej apo jo. Do thosha se është detyrë e tyre dhe atribut i tyre të jenë të qartë dhe të sqarojnë mirë se çfarë duan të bëjnë dhe çfarë rruge ligjore duan të ndjekin. Pra, është shumë e shpejtë dhe e pamundur për mua sot të bëj prononcim për këtë çështje se unë shoh një konfuzion nga vetë organi i prokurorisë”, - deklaron Shehu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama