Humbja kundër Tërbunit normalisht që ka shokuar të gjithë, pasi ishte një rezultat që nuk mund të pritej. Kontestimet nga ana e tifozëve kanë qenë të shumta për ekipin, por edhe aludimet për diçka të paqenë kanë qenë prezente sikundër ndodh rëndom në ambientet sportive në Shqipëri. Një ditë më pas Korça është zgjuar e shokuar nga kjo humbje që është bërë objekt bisede në çdo cep të qytetit. Mirëpo ajo që ka më shumë rëndësi për momentin është gjendja e klubit. Humbja kundër Tërbunit, normalisht ashtu sikundër pritej, ka tronditur klubin, por jo vetëm.
Duket se pas kësaj humbjeje një tronditje të madhe do të pësojë edhe formacioni dhe aktorët kryesorë të 11-shes titullare që ishte deri në këto momente që nga faza e tretë e kampionatit. Paraqitjet e dobëta të Xhejms dhe Renatinjos, por edhe forma jo fort e mirë e Orelesit duket se kanë arritur të kapin fundin e durimit.
Një gjë e tillë u duk shumë qartë në pjesën e dytë kundër Tërbunit teksa hyrja në lojë e Shkëmbit dhe Plakut tregoi ritëm tjetër për Skënderbeun. Kapiteni i korçarëve tregoi se është ende i aftë t'i japë frymëmarrje ekipit dhe të shërbejë mjaft mirë në këtë kampionat që u vështirësua papritur.
Në 45 minuta në dispozicion që pati Shkëmbi, u rikthye të ishte sërish timonieri i Skënderbeut teksa shpërndarja e topave ka qenë e saktë dhe me tempizëm të lartë sa në të majtë e në të djathtë. Kjo ishte ajo që i mungonte Skënderbeut gjatë gjithë kësaj kohe.
Duket se Shkëmbi ka fituar sërish formacionin pas ndeshjes së mirë që tregoi dhe mund të lërë në stol Orelesin të paktën deri në fund të sezonit.
Nga ana tjetër, Plaku është ai që do të ulë Xhejmsin me shumë mundësi në stol. I ardhur si titullar i padiskutueshëm, Xhejms nuk arriti të futet mirë në tempin e ekipit, ndërsa Plaku, menjëherë pas rastit të dhënë, i dha shumë shpejtësi manovrës së sulmit bardhekuq, lëvizshmëri që Skënderbeut i mungon me Xhejmsin në krah të Salihit. Duket se kjo humbje do të bëjë pikërisht "kokë turku" Xhejmsin dhe Orelesin.