Unifikimi i praktikave ligjore vijon të jetë problem madhor i drejtësisë, pasi për një rast të ngjashëm, ka disa vendime të kundërta. Shpeshherë, prokuroria, por edhe Gjykata e Lartë, janë munduar të studiojnë këto praktika, por megjithëse kanë kaluar shumë vite nga ndryshimi i regjimeve, ende nuk ka vendime të njëjta për dosje të ngjashme. Shumë ministra, deputetë apo drejtorë të rëndësishëm janë liruar nga burgu me procedura, ndërsa njerëzit e thjeshtë që kanë “kopjuar” këta precedentë janë shpallur fajtorë, madje janë dënuar në maksimum, pasi nuk kanë pranuar fajin. Kohët e fundit, janë diskutuar shumë dy standardet për kryebashkiakët e Vlorës dhe Kamzës. Të dy janë vënë nën akuzë, ndërsa njëri procedohet penalisht në gjendje të lirë, tjetri është arrestuar. Shpëtim Gjika i Vlorës akuzohet për falsifikim dokumentesh, madje në dy raste, ndërsa kolegu i tij nga Kamza, Xhelal Mziu, akuzohet për shpërdorim detyre.
Shpëtim Gjika
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Shpëtim Gjika është akuzuar se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”. Akuzën e ka kryer në bashkëpunim dhe e ka kryer dy herë. Neni 186 i Kodit Penal përcakton se falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë. Pra, Shpëtim Gjika, rrezikon një dënim prej shtatë vitesh burg. Sipas aktakuzës, Gjika me disa persona të tjerë ka falsifikuar një formular të një mbledhjeje të KKRRT-së të Vlorës, dhe ka dhënë dy leje ndërtimi. Njërën leje e ka dhënë në zonën e Portit në Vlorë, ndërsa tjetrën dyshohet se e ka dhënë të një lulishteje. Megjithëse këto prona kanë pasur “pronar”, sërish ka dyshime se trualli ka qenë shtetëror. Dëmi i shkaktuar shtetit në këto dy raste mund të jetë qindra mijëra euro. Prokuroria e Vlorës nuk vendosi asnjë masë sigurimi për këtë zyrtar, duke u mjaftuar vetëm me dërgimin e dosjes në gjykatë dhe duke e marrë të pandehur.
Xhelal Mziu
Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, sipas prokurorisë, akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas precedentëve të mëparshëm, shumica e zyrtarëve që janë akuzuar vetëm me këtë akuzë janë shpallur të pafajshëm. “Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme, se shtetasi Xhelal Mziu kanë kryer veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’”, thuhet në aktakuzë. Neni 248 i Kodit Penal parashikon se kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta apo kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Pra, në analizë të këtij neni, Mziu rrezikon shtatë vite burg. Ai akuzohet se ka skualifikuar një firmë, e cila kishte fituar tenderin për ndërtimin e një rruge. Fondi për ndërtimin ishte tetë milionë lekë të reja, ndërsa ka dyshime se Mziu, me paramendim, e ka skualifikuar së bashku me drejtorin juridik. Gjatë dëshmisë, ai ka pohuar se përgjegjësia është e drejtorit juridik, pasi nuk ka pasur dijeni për këtë tender. Bazuar në këto prova, Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Mziut në gjykatë, e cila pranoi kërkesën dhe vendosi masën e arrestit me burg. Tashmë Mziu kërkon nga Gjykata e Apelit lirimin nga burgu dhe seanca do të zhvillohet në datën 13 janar.
Në krahasim me Gjikën, akuzat që rëndojnë ndaj Mziut duken më të lehta, pasi dëmi që mund t’i ketë shkaktuar shtetit Gjika bazuar edhe në dosje, është shumë herë më i lartë sesa dëmi që ka shkaktuar Mziu. Por, në këtë rast, kreu i Bashkisë së Kamzës është në burg, ndërsa ai i Vlorës po gjykohet në liri, madje gjykimi i tij u transferua në Tiranë, për shkak të situatës në qytetin bregdetar.
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta apo kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.