Nehat I., 32-vjeçar, deri tani iu është nënshtruar 11 operacioneve, ndërkaq prej një vit i duhet të mbajë maskë në fytyrë, për shkak të djegies. Ai nuk u përvëlua rastësisht. Lumnija është fajtore që Nehatit iu dogj 25 për qind e lëkurës në trup.
Derisa Nehati po flinte, ajo ia hodhi mbi trup dy litra vaj ushqimor të nxehtë.
“Kam kërcyer nga krevati i tmerruar. Shpejt jam parë në pasqyrë dhe lëkura filloi të më binte. Mishi i fytyrës po më shkëputej nga eshtrat. U tmerrova. Kam humbur vetëdijen dhe në vete kam ardhur pas pesë javësh në komë”, ka rrëfyer Nehati për gazetën gjermane “Bild”.
Ngjarja ka ndodhur në Düsseldorf. Aty ai edhe ishte bërë bashkë me Lumnije D., 37-vjeçare. “E doja, pavarësisht xhelozisë së saj patologjike, e cila iu shtua edhe më gjatë shtatzënësisë”, ka theksuar ai.
Tani Lumnija ndodhet në burg, e dënuar për tentim vrasje. Atje edhe e ka lindur foshnjën e gjinisë femërore. Fëmija po rritet në një familje gjermane, pasi Nehati nuk mund të kujdeset për të. Ai jeton nga ndihma sociale dhe nuk mund të punojë, sepse i është djegur edhe një pjesë e dorës. Thotë se tani për tani nuk mendon për të ardhmen.