Sezoni i ri televiziv duket se po vjen me risi edhe në televizionin “Top Channel”. Pas konfirmimit të largimit nga prezantuesin i Adi Krastës nga “E diell” përflitet se edhe bashkëprezantuesja e këtij programi, ylli i ekranit Xhemi Shehu do të zhvendoset nga ky spektakël. Zëra të ndryshëm brenda këtij televizioni kanë pohuar për gazetën se, Xhemi do të rikthehet sërish në programin popullor të humorit “Portokalli”. Program që është drejtuar para disa vitesh nga bukuroshja sharmante me mjaft sukses.
“Portokalli”
“Portokalli” pas mjaft vitesh ndryshoi drejtim dhe duket se e humbi shkëlqimin që pati dikur. Me ndryshimet e sezonit të kaluar në këtë program; mbylljes së kontratës nga ana e prezantuesit-humorist Agron Llakaj, ky pozicion iu dha Salsano Rrapit dhe këngëtares Eneda Tarifa. Por përveç publikut që nuk u ambientua asnjëherë me rolin e Enadës si prezantuese, apo përpjekjes së saj pa sukses për t’u bërë humoriste, duket se edhe drejtuesit e televizionit kanë pasur pakënaqësi. Ndaj zgjidhja është aty. Rikthimi i suksesit të programit është pikërisht një fytyrë që ka ndarë suksesin dhe ngjitjen e saj në karrierën televizive pikërisht në këtë program. E, në fakt, kush më mirë se Xhemi do ta bënte këtë gjë. Prandaj ajo është kandidatura më e mundshme për t’i risjellë edhe një herë audiencën kabaresë “Portokalli”. Aq më tepër që konkurrenca mes programeve të humorit është rritur qysh me hapjen e spektaklit “Apartamenti 2XL” në Vizion Plus. Xhemi Shehu prej vitesh është një nga imazhet kryesorë të televizionit “Top Channel”, ndërsa në këtë sezon të ri ajo vjen pas sjelljes në jetë të djalit të saj, Martin, i cili tashmë është tre muaj. Prej miqve të prezantueses bukuroshe thuhet se Xhemi është kthyer menjeherë në linjat e saj të përkryera, gjë që do ta vërtetojmë shumë shpejt me daljen e saj në ekran.
“E diell”
Ashtu siç u shpreh edhe një javë më parë Adi Krasta në një intervistë të botuar edhe në faqet “VIP” të gazetës Mapo, konkurrenca e ditës së diel mes dy televizioneve Top Channel dhe Klan do të vazhdojë me programet e së dielës. Ndërsa “E diela Shqiptare” do të vazhdojë me Ardit Gjebrean në Klan, “E diell-a” siç edhe kemi pohuar do të vijë me ndryshime në imazh. Ka kohë që në tavolinë diskutohen emrat që do të zëvendësojnë prezantuesin Krasta, apo tashmë edhe Xhemin, në këtë spekakël maratonë që nis në orën 14:00 deri në 17:00. Pas komentimit të Alban Dudushit, një emër tjetër është në fokusin e dretjuesve të televiziont Top Channel. Kështu një tjetër kandidaturë e mundshme është ajo e Ledion Liços, i cili aktualisht është bashkëprezantues i emisionit të mëngjesit “Wake up”. Por edhe pse ende nuk është marrë një vendim konkret se kush do të jenë figurat që do të jenë të dielave në “E diell”, ajo që është e dukshme është fakti se prezantuesit do të përzgjidhen brenda këtij televizioni!