Xhemi rikthim ne femijeri
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Ke ndryshuar shumë që nga koha kur u shfaqe për herë të parë në ekran?
Do ishte fatkeqësi për mua po të isha po e njëjta... Sigurisht që kam ndryshuar. Jam rritur shumë që nga ajo kohë dhe ende vazhdon të veprojë mbi mua ky proces ndryshimi.
Çfarë lexon përgjithësisht?
Momentalisht jam e impenjuar me librat e shkollës, që nuk më lënë shumë kohë për të lexuar gjëra të tjera, por mund të them që në shumicën e rasteve lexoj libra të rekomanduar nga të tjerët, pasi vetë nuk është se kam ndonjë autor të preferuar ku dhe mund të përqendroj zgjedhjet e mia.
Bukurinë e përjetshme në shkëmbim të shpirtit. A do ta bëje këtë zgjedhje?
Kjo është njësoj si të çelë trëndafili, pa iu mbjellë fara në tokë... Si mund të jem e bukur në mungesë të zanafillës? Përveç kësaj, unë e quaj shpirtin si dhuratën më të çmuar që Zoti i dhuroi njeriut dhe nuk do ta shkëmbeja kurrë e me asgjë!
Le ta lëmë mënjanë paktin me djallin. Si do ta ruash bukurinë tënde?
Me gjëra shumë praktike e të thjeshta. Mospërdorim cigareje, alkooli dhe ushqimesh abuzuese për shëndetin.
Një pikë të dobët dhe një sekret të pamjes tënde.
Sekretin e pamjes time nuk e kam zbuluar ende vetë, pasi është diçka gjenetike, mbi të cilën nuk jam e mirinformuar. Përsa i përket pikës sime të dobët, do të thosha flokët dhe thonjtë, që mund t’i karakterizoja thjesht të dobët.
Ç’trajtim bën në sallonet e bukurisë apo tek parukieri?
I frekuentoj vetëm kur kam spektakle ose për ndonjë rast të veçantë. Tani që jam në shkollë nuk më duhen as thonjtë fals e as zgjatimet e flokëve, pasi nuk janë praktikë për një që mban shënime e që nuk ka as kohë t’u bëjë trajtime speciale flokëve që mos të ngatërrohen etj., etj. Maskat e fytyrës i aplikoj në shtëpi si dhe krehjet e flokëve i realizoj po vetë. Sinqerisht, përtoj të lë orar në parukeri e më pas të pres sërish, pasi ka radhë. E quaj humbje kohe dhe durimi!
Ka një moshë për gjithçka. Për ty ka mbaruar periudha e...
...lojërave me shoqet e pallatit. Kujtoj ndonjëherë lojërat e improvizuara e plot gjallëri që zhvillonim me njëra-tjetrën. Tani më bën përshtypje që nuk shoh më vajza të vogla të dalin e të luajnë si unë dikur. Mbase preferojnë të bëjnë muhabete...
Cila do të ishte veshja e preferuar për mbrëmje?
Një fustan treçerekësh me shpatulla të hapura, i zi ose i bardhë, do ishte zgjedhja ime e këtyre ditëve.
“Uniforma” e përditshme për në punë?
Xhinse dhe një këmishë ose pulovër. Çdo gjë që është komode në trupin tim dhe që më lejon të lëviz lirshëm.
Kur nuk punon, xhinse dhe atlete?
E njëjta gjë që thashë më lart. Edhe kur shkoja në punë, xhinset ishin pjesë e pandashme e imja.
Të brendshmet e preferuara?
Victoria’s Secret, Yamamay.
A mund ta konsiderosh veten seksi? Apo...?
Seksi? Jo, s’do të thosha kështu... Mund ta konsideroj veten një femër normale që trupi i lejon të veshë çdo lloj rrobe që dëshiron, kuptohet, larg veshjeve vulgare.
Çfarë mban zakonisht në çantë?
Uhuu... çfarë pyetjeje! Çdo çantë e imja ka brenda gjëra që tjetra nuk i ka, duke filluar me stilolapsa e fletore e për të vazhduar me parfum, antidjersë, letra të lagura, objekte që sipas trurit tim supersticioz janë fatsjellëse, usb, krehër, pasqyrë, shkëlqyes buzësh, laps sysh, pudër, portofolin dhe po e mbyll me karamele. Kaq po më kujtohen tani... Ah po, edhe facoleta.
Muzika që nuk mungon kurrë në iPod-in apo në makinën tënde?
Me gjithë larminë e muzikës që dëgjoj, nuk më mungon kurrë muzika greke, e cila më pëlqen jashtëzakonisht shumë, theksoj: vetëm muzika e tyre, pasi nuk mund të thosha të njëjtën gjë për këngëtarët...
Nëse do të zgjidhje, në ç’qytet do të doje të jetoje?
Roma, Roma dhe vetëm Roma. Pata vërtet arsye të fortë që më bëri të hiqja dorë nga ai qytet...
Zgjedhjet për stinën e pranverës?
Preferoj sërish këmishët dhe, përsa u përket bluzave, i dua të jenë prej pambuku.
Parfumi i preferuar
La Prairie Silver Rain
Celulari që mban
Nokia luna 8600
Çanta e preferuar
Çdo çantë D&G, në veçanti, xhins i kombinuar me flori
Këpucët e preferuara
Stuart Weitzman
Linja e produkteve të flokëve
Elseve/Elvive
Disku i preferuar
Robin Thicke
Nga : Revista Jeta