Kur të gjithë prisnin ta shihnin në fushën e blertë qoftë edhe për pak minuta, paraditen e djeshme ka qarkulluar menjëherë lajmi i largimit të Xhevahir Sukajt nga të kuqtë, për shkak se nuk ishte në planet e trajnerit Sormani. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë lojtari në një prononcim të shkurtër për "Panorama Sport". Ai ka zbardhur një pjesë të enigmës së largimit të beftë të tij.
"Të them të drejtën, sot (dje) isha përgatitur për të luajtur, por mora vesh që nuk isha në planet e trajnerit Sormani. Dhe kur nuk të duan në skuadër, nuk ke çfarë bën tjetër veçse të largohesh", ka thënë sulmuesi, i cili ka ndjekur nga afër ndeshjen e të kuqve ndaj Slovan Bratislavës në "Elbasan Arena".
Ajo që ka rënë në sy nga prania e futbollistit ishte fakti se ai ka qëndruar larg drejtuesve të klubit dhe e ka ndjekur takimin si një tifoz i thjeshtë, duke mos pasur asnjë kontakt me ta. Madje, futbollisti është parë edhe me bileta në dorë në momentin që ka hyrë në stadium, por nuk dihet nëse ato ia ka dhënë klubi, apo është detyruar që t'i blejë.
Firmos në Malajzi për 500 mijë $, zbardhet prapaskena e largimit
Ka marrë fund aventura dhe telenovela e Xhevahir Sukajt te Partizani. Destinacioni i ri i sulmuesit shkodran do të jetë Malajzia, pikërisht FC Perak. Mësohet se Sukaj ka rënë dakord që të nënshkruajë një kontratë 18-mujore me klubin aziatik, ku do të përfitojë edhe 500 mijë dollarë gjatë këtij angazhimi me FC Perak.
Qershori ka sjellë disa lajme kontradiktore në lidhje me të ardhmen e 28-vjeçarit shkodran, pasi fillimisht shkoi në Malajzi për t'u njohur me kushtet dhe skuadrën që e kërkonte. U tha se Sukaj do t'i nënshtrohej një prove, por lojtari deklaroi se ka shkuar atje për të firmosur dhe jo për t'i testuar. Pas kthimit nga Malajzia, në mes të qershorit, drejtuesit e kuq hynë në bisedime me goleadorin më të mirë të sezonit të shkuar.
Më 21 qershor, klubi deklaroi se është arritur akordi që Xhevahir Sukaj të mbetej pjesë e Partizanit edhe për një vit, madje lajmi u shoqërua me një foto ku lojtari dhe presidenti Demi shtrëngonin duart. Përpos akordit, u tha se lojtari mund të largohej nga "demat" nëse merrte ofertë të majme nga jashtë. Pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura, të cilat Sukaj i ka marrë pas akordit për të mbetur i kuq.
Prapaskena e largimit
Që nga momenti që është kthyer nga Malajzia shkodrani e ka pas vendosur për të vijuar te skuadra aziatike, e cila i ka bërë një ofertë të majme. Gjithsesi, lojtari ka rënë dakord për ta ndihmuar Partizanin në Europë për një periudhë njëmujore. "Panorama Sport" ka arritur të zbardhë prapaskenën e largimit të lojtarit pa luajtur në Europë. Pas kthimit të skuadrës nga faza përgatitore në Itali, Sukaj iu bashku Partizanit në stërvitje, por gjatë këtyre seancave u pa qartë se ai ishte prapa me përgatitjet.
Në këto kushte, sulmuesi ka biseduar me stafin dhe ka kërkuar të dijë nëse ai do të jetë titullar ndaj Slovan Bratislavës. Stafi, me në krye Starovën, nuk ia kanë garantuar, kështu që lojtari ka kërkuar një favor nga Partizani që t'i heqë emrin nga lista e federimeve në UEFA. Duke mos qenë i sigurt tek aktivizimi dhe kualifikimi, lojtari ka kërkuar që të mos e djegë mundësinë e lëvizjes në merkaton e dimrit, pasi nëse do të luante disa minuta në Ligën e Europës me Partizanin, i binte që deri në verën e vitit të ardhshme Sukaj të "ngujohej" te FC Perak, pasi sipas rregullores, brenda një sezoni mund të luash vetëm me dy klube.
Stafi teknik dhe drejtuesit e lartë të klubit e kanë marrë parasysh kërkesën e shkodranit, i cili, edhe pse kishte shprehur gatishmëri për t'i ndihmuar në Europë, nuk kishte kondicionin e duhur fizik. Kështu që sot, Xhevahir Sukaj së bashku me familjen e tij do të udhëtojë drejt Malajzisë për të nisur një aventurë të re në karrierën e tij.