Si rrallë ndonjëherë në një proces gjyqësor, seanca e radhës ndaj 9 të akuzuarve se kanë dërguar luftëtarë në Siri, nisi me një lutje.
Një nga të pandehurit e akuzuar, Fadil Myslimani, i cili ishte i pari që kërkoi fjalën, lexoi një letër, ku i kërkonte gjyqtarëve të bëheshin myslimanë dhe t’i shihnin ata dhe besimtaret e tjerë që ishin në sallë, si vëllezër.
I pandehuri tjetër, Gerti Pashja, u kërkoi gjyqtarëve të sqaronin se çfarë kuptonin ata me terrorizëm, pasi sipas tij në akuzën e Prokurorisë edhe ndërtimi i xhamive, si dhe vajtja e besimtareve në xhami, quhen akte terroriste.
Gerti Pashja tha se ata mbaheshin te akuzuar vetëm se ishin besimtarë myslimanë.
Gjatë seancës dëshmuan tre persona, te cilët pranuan se ishin praktikantë myslimanë dhe se kishin shkuar në Siri, ku kishin qëndruar dy deri në tre muaj.
Por megjithëse kishin njohje me të pandehurit, asnjë prej dëshmitarëve nuk pohoi para gjykatës se ishin ata qe kishin ndërmjetësuar për të shkuar në Siri, por se ishin takuar me ta rastësisht në autobus, apo në Stamboll ku bënin ndalesën e radhës.
Dëshmitarët kanë pranuar se gjate qëndrimit në Siri ata ishin trajnuar për përdorimin e armëve./