Termi “blue jeans” ekziston prej më shumë se 500 vjetësh. Në fakt emri origjinal ishte “Blue de Genes’” dhe ka shoqëruar marinarët gjenovezë gjatë motit të keq në vitet 1500. Po ashtu xhinset janë përdorur nga minatorët amerikanë dhe, sipas librave të historisë, i mbante veshur edhe Garibaldi kur zbarkoi në Marsala. Xhinset u bënë popullore nga kaubojsët e filmave uestern të viteve ‘30 dhe u shndërruan në një veshje tepër të kërkuar nga Elvis Presley e James Dean. Sot xhinset janë pantallonat që nuk mungojnë në asnjë gardërobë, si të meshkujve ashtu edhe të femrave. Mund të vishen çdo ditë, megjithatë nuk përjashtohen edhe në raste më elegante. Të bukura, të punuara me shumë kujdes ose të mbushura me diamante, xhinset arrijnë shifra prej miliona eurosh, duke u bërë në mënyrë absurde simbol i luksit të shfrenuar. Janë objekt i çmuar që nuk kanë aspak lidhje me marinarët që çanin përpara detin me anije.
Gjithashtu me xhinset identifikohet secili prej nesh, janë pantallonat që preferohen nga të gjithë, të rinj e të vjetër. Duke filluar që prej 1968-s u bë veshja më e përdorur në mbarë botën dhe akoma sot në vitin 2012 është e vetmja veshje me të vërtetë e globalizuar e përdorur me të njëjtën lehtësi nga yjet e spektaklit e kinemasë, profesorët, studentët dhe deri te punëtorët e thjeshtë. Shumë shpejt u shndërrua në një veshje të pandarë për sa i përket gjinisë që, sigurisht, është veshja si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Madje ka kaluar edhe kufijtë e shumëllojshmërisë së veshjeve për kultura dhe shoqëri të ndryshme, duke u shndërruar kështu në një veshje tepër të preferuar në çdo kohë. Edhe xhinset kanë filluar të evoluojnë dhe kanë pasur shumë ndryshime rrënjësore. Edhe pse është simbol i marinarëve, xhinset vazhdojnë të mbeten pantallonat më të kërkuara. Pavarësisht se fabrikohen në shumë vende të botës, superprodhuesit e tyre mbeten Kina dhe Turqia, ku krahu i punës është më i lirë.
Cilat xhinse bëjnë për ju
Edhe pse ekzistojnë shumë lloje xhinsesh duhet të dimë se çfarë na shkon dhe na përshtatet më mirë. Gjetja e xhinseve të përshtatshme për trupin e gjithsecilit prej nesh mund të shndërrohet në punë stresuese. Shpeshherë dëgjojmë se xhinset janë veshja më e rehatshme, megjithëse në shumë raste një komoditet i tillë kushton deri sa të arrihet. Duhen nerva dhe kohë që të gjenden xhinset e duhura që në provën e parë, sepse me siguri që do ta kenë qoftë edhe një defekt. Një gjë e tillë është një problem që përfshin pjesën më të madhe të të rinjve. Praktikisht zgjedhja e duhur është që të dish t’i kombinosh xhinset me veshjet dhe aksesorët e duhur. Mos blini asnjëherë xhinse shumë të ngushta nëse nuk keni një linjë perfekte, sepse ju nxjerrin në pah edhe defektin më të vogël. Nëse keni një trup të tillë duhet të kini kujdes edhe me gjatësinë. Kur jeni të gjata mund të vishni xhinse deri te kyçi këmbës dhe të dukeni tamam si balerina. Nëse keni një gjatësi mesatare këshillohet që të shmangni gjatësinë sipër kaviljes dhe të përdorni xhinse të gjata me taka të larta.