Xhufi Greqia nuk na njeh as kufirin tokesor

Xhufi: Greqia nuk na njeh as kufirin tokesor

Kështu shprehet historiani Pëllumb Xhufi, në një intervistë . Greqia madje nuk njeh as kufirin e vendosur nga ambasadorët në vitin 1913.

“Nuk ka një marrëveshje me Greqinë për mirëmbajtjen e shenjave kufitare dhe për shmangien e incidenteve kufitare. Këto dy marrëveshje do të shënonin njohjen “de jure” të kufirit të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913”, tha dje Xhufi për gazetën “Shqiptarja.com. Ai flet dhe për problemet që kanë dalë në kufi gjatë tërë këtyre viteve dhe nevojën e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, të kërkuara nga ana e palës shqiptare. “Qeveria shqiptare e ka denoncuar refuzimin grek për nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve në vitin 1994, pas agresionit ndaj një reparti ushtarak në Peshkëpi. Pas vitit 1997 Greqia ka marrë përsipër të riparojë shenjat kufitare, por pa nënshkruar marrëveshjen përkatëse. Edhe incidentet kufitare ka zgjedhur t’i zgjidhë në kuadrin e bashkëpunimit mes policive kufitare, duke shmangur kështu nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse me palën shqiptare”, deklaroi profesor Xhufi.

Për të akoma më i rëndë është fakti që fqinji ynë jugor ka pretendime për kufirin e vendosur në fillim të shekullit të kaluar.

“Greqia nuk e ka njohur kufirin e vitit 1913, ndaj ka kërkuar rishikimin e tij edhe pas Luftës së Parë Botërore, më 1919. Por dhe pas luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946. Me sa duket pret luftën e Tretë Botërore për të zgjidhur përfundimisht çështjen e kufijve me Shqipërinë, duke aneksuar dhe Shqipërinë e Jugut”, deklaron Xhufi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama