Xhufi Si do i ndryshojme tekstet e Historise

Xhufi: Si do i 'ndryshojme' tekstet e Historise

Historiani Pëllumb Xhufi  do të jetë  pjesë e një komisioni që do i rishkruajë dhe rishikojë tekstet e historisë për arsimin parauniversitar, së bashku me një grup historianësh të njohur nga Shqipëria, Kosova e më gjerë si Paskal Milo, Afrim Krasniqi, Bernard Fischer e të tjerë.

Kjo është një nismë e Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, përmes të cilës synohet unifikimi i teksteve mes dy vendeve, por njëherazi bëhet edhe një lloj rishikimi përmbajtësor i tyre, për periudha, ngjarje e personazhe historikë.

Vetë Xhufi premton se shkrimi i teksteve të historisë për shkollat e mesme nuk do të jetë më një operacion biznesi, por një detyrë fisnike, ku autorët e teksteve do të vendosin faqen, nderin dhe integritetin e vet, profesional dhe moral.

“Ambicia jonë është që këto tekste të jenë vetëm dhe thjesht produkt i logjikës shkencore historike dhe jo produkt i llogarive dhe interesave jashtë-shkencore, politike e ekonomike, siç ka ndodhur jo rrallëherë në të kaluarën e afërt. Vetëm disa vjet pas lançimit të së ashtuquajturës reformë e “alter-tekstit”, lënda e historisë, që duhej të ishte lënda më e dashur për nxënësit tanë, rezulton të jetë kthyer në një lëndë të bezdisshme dhe të pakuptueshme për ta. Protagonistë të kësaj reforme u bënë shtëpi botuese dhe historianë të besuar të pushtetit, të cilët nxituan t’u ngulitnin nxënësve versionin e tyre të historisë, ku shpeshherë heronjtë bëheshin tradhtarë dhe tradhtarët bëheshin heronj, ku virtytit i thuhej ves dhe vesit i thuhej virtyt. Ku fshiheshin të vërtetat dhe ku shpaloseshin të pavërtetat. Dhe ku periudha të tëra historike, si antikiteti dhe mesjeta shqiptare janë shkruar nga njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara. Shumëkujt i kujtohet se në tekstet e prodhuara nga ofiçina e “alter-tekstit”, nxënësit u shushatën kur gjetën të përfshihej Shqipëria e Jugut brenda kufijve të Greqisë. Në tekste të tillë “alternativë” shqiptarët përshkruheshin si popull i egër malesh, që jetonin duke plaçkitur e duke u pushtuar territore fqinjëve të tyre sllavë e grekë! E pra, gjëma dhe mëkate të tilla antishkencore, që janë pa fund në tekstet e “alter-tekstit” nuk do mund të ndodhin më, pasi autorët e teksteve të reja të historisë do të jenë profesorë e studiues të mirëfilltë, shqiptarë e të huaj, autorë tekstesh gjithashtu, por mbi të gjitha autorë monografish e punimesh fondamentale, të njohura e të certifikuara në mjediset shkencore shqiptare dhe ndërkombëtare. Shkrimi i teksteve të historisë për shkollat e mesme nuk do të jetë më një operacion biznesi, por një detyrë fisnike, ku autorët e teksteve do të vendosin faqen, nderin dhe integritetin e vet, profesional dhe moral”, shprehet Xhufi për GSH.

“Si studiues i Mesjetës shqiptare, nuk do të kem të bëj aq shumë me rivlerësime figurash e ngjarjesh historike, sa do kem të bëj me evidentimin e momenteve dhe personazheve të panjohur më parë dhe që i kam evidentuar gjatë hulumtimeve të mija të fundit. Sigurisht, kolegët që merren me historinë moderne dhe bashkëkohore do të kenë të bëjnë me figura të debatuara fort, duke filluar nga ajo e Ahmet Zogut dhe e Enver Hoxhës. Por unë jam i bindur se ata zotërojnë të gjithë bagazhin intelektual, informacionin, integritetin, kurajën dhe akribinë shkencore për t’i trajtuar sa më objektivisht edhe këto figura. Sigurisht, me vetëdijen se jo për gjithçka dhe për këdo do të mund të thuhet fjala përfundimtare. Lënia hapur e debatit apo i ashtuquajturi open-ended approach do të përbëjë edhe një nga qasjet më të spikatura metodologjike të angazhimit tonë: t’u lëmë nxënësve të hapur rrugën e kërkimit dhe të informimit të pavarur. “

Xhufi thekson se përsa i përket debatit për kuislingët , nuk do të ketë ndonjë befasi në tekstet e reja.

“Kuislingët nuk mund të jenë një temë debati serioz, as tek ne dhe as tjetërkund. Në asnjë kohë e në asnjë vend nuk u është rezervuar kuislingëve ndonjë vlerësim tjetër, veç stigmës e përçmimit. Në këtë kuptim, nuk mund të pritet të ndodhë ndonjë çudi me tekstet e reja. Veçse, figurat historike, cilatdo qofshin ato, do të fotografohen nëpërmjet akteve dhe veprave të tyre, pa i ngarkuar ato me cilësime e komente subjektive. Ne nuk kemi ndërmend as të idealizojmë e as të censurojmë ndokënd mbi bazën e veprimtarisë së vet politike. Nëse Mithat Frashëri ka qenë vërtet një patriot, kjo do të rezultojë nga vetë aktiviteti i tij deri në vitet e Luftës II Botërore. Nëse ai apo patriotë të tjerë si ai, më vonë bashkëpunuan me pushtuesin, kjo gjithashtu do të rezultojë nga paraqitja e fakteve dhe e veprave të atyre vetë, jo nëpërmjet vlerësimeve të autorëve të tekstit“.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama