Xhuvani 4 te vrare pas nje shpulle te Jahos

Xhuvani, 4 te vrare pas nje shpulle te Jahos

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për vrasjen e katër personave me 4 nëntor të këtij viti, krim për të cilin tashmë siç dihet akuzohet Kostandin Xhuvani, djali i ish- deputetes socialiste Luiza Xhuvani. Sipas hetimit të Prokurorisë, Xhuvani është përgjegjës për vrasjen e 4 personave mëngjesin e 4 nëntorit në lokal “Ante Grand”, në rrugën e Elbasanit, në pronësi të Xhelo Vasjarit. Ngjarja dyshohet se ndodhi, pasi një prej viktimave, Edi Jaho, qëlloi me pëllëmbë në banak, një nga personat me të cilët shoqërohej Xhuvani në momentin e ngjarjes. Në ngjarje mbetën të vrarë, Edi Jaho, miku i tij, Enea Xhaj, tregtari italian Xhamapaolo Azola, si dhe miku i Xhuvanit, Arbër Demiraj, djali i ish- kryeprokurorit të Apelit të Tiranës, Arbër Demiraj. Sipas hetimit të prokurorisë, pas konfliktit Xhuvani, ka dalë nga lokali bashkë me djalin e ish- prokurorit dhe pas pak momentesh ata janë futur në lokal me armë në duar, ndërsa Xhuvani qëlloi në drejtim të Jahos dhe Xhajit. Nga të shtënat mbetën të plagosur rëndë dhe më pas vdiqën edhe Xhamapaolo Azola, si dhe miku i Xhuvanit, Arbër Demiraj. Të dy këta dyshohet se janë vrarë aksidentalisht sipas prokurorisë.

Hetimi

Në datë 04.11.2014 në Prokurorinë e Tiranës, mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes u regjistrua procedimi penal nr.8078 për veprar penale tw “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” nw ngarkim tw Kostandin Xhuvanit i biri i Gjergjit dhe Luizës 25 vjeç, i dënuar më parë Me datë 04.11.2014 rreth orës 04.20 salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u njoftua se në Rrugwn e Elbasanit në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1, qw ishte pranw shkoi te lokali dhe në rrugën kryesore konstatoi një automjet Mercedez ML me targa TR0250N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip Benz ML dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri doli nga mjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani i datëlindjes 24.06.1989. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se: Vendi i ngjarjes është Bar “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është konkretisht lokali i sipërcituar i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyre në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahajt dhe Enea Xhajt. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me numër 14053073 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62mm.

Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Nga këqyrja e këtij ambientit janë gjetur fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të rrugës së Elbasanit përballë hyrjes se lokalit është gjetur një automjet me targa TR0250N me dyer të hapura dhe në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit ne oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur ne tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani. Nga aktet hetimore ka rezultuar Kostandin Xhuvani , Arbër Demirajt, Erald Side e Alban Ballçaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij e cila rezulton të ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballçaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka patur një konflikt. Gjatë këtij konflikti shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas ka vdekur në spital edhe shtetasi italian Xhampaolo Acola (Giampaolo Azzola).

Një kalimtar ndihmoi policët

Është pyetur si person që ka dijeni shtetasi Enver B... i cili ndër të tjera sqaron se ka qenë duke udhëtuar me motor nga Ambasada Amerikane në drejtim të Saukut kur ka parë që nga një lokal po dilnin disa persona që po mbanin një person tjetër në dorë për ta çuar të një makinë tip Benz ML aty pranë. Deklaruesi shpjegon se njëri nga personat ishte i veshur me tuta gri dhe në dorë kishte një pistoletë. Deklaruesi i ka shmangur këta persona dhe pasi ka ecur disa metra me motoçikletë ka ndaluar për të parë. Ai ka parë që pasi personat hipën në mjetin Benz ML, ata i ka ndaluar policia dhe në këtë moment personi me tuta gri dhe pistoletë në dorë ka dalë nga makina dhe është larguar me vrap në drejtim të Fakultetit Ekonomik dhe një punonjës policie që po e ndiqte me vrap. Deklaruesi ka shkuar në ndihmë të policisë duke e bllokuar personin që po largohej. Pasi e kanë neutralizuar deklaruesi shpjegon se personi me tuta gri i ka sharë dhe kanosur fillimisht dhe me pas u ka thënë se ishte djali i Luiza Xhuvanit dhe nëse e lëshonin ai do t’u jepte flori.

Plumb në gjoks Arbër Demirajt

Tek kufoma e shtetasit Arbër Demiraj u konstatua një plagë tejshkuese arme zjarri në gjoks thyerje e dërrasës se kraharorit (sternum) dëmtim i mushkërive, aortës torakale, grumbullim gjaku në sasi të madhe në zgavrën e gjoksit, dëmtim (çarje) e diafragmës, dëmtim i muskujve dhe lëkurës së shpinës me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar nga një qitje e vetme predhe armë zjarri. Nisur nga karakteristikat e plagës vrimë hyrje drejtimi i qitjes ka qenë nga para- prapa nga lart poshtë. Përreth buzëve te plagës vrime hyrje nuk u konstatuan faktorë plotësues te qitjes. Ky rezultat do te përcaktohet me saktësi shkencore pas ekspertimit kimik të teshave. Shkaku i vdekjes së shtetasit Arbër Demiraj ka qenë shoku i rëndë traumatiko-hemorragjik.

Xhuvani pas sherrit, iu drejtua viktimave: Çfarë kishit ju të dy?

I pyetur në cilësinë e personit që tregon për rrethanat të hetimit shtetasi Anton Binaku i cili punon si roje sigurie në lokalin “Ante Grand”, ai shpjegon se rreth orës 03.45 në lokal kanë ardhur katër persona dhe ai ka njohur si fytyrë njërin prej tyre i cili është klient i rregullt. Këta persona janë ulur në një tavolinë në fundin e lokalit. Bashkë me ta ka qenë dhe një person tjetër i veshur me tuta sportive ngjyrë gri. Ky shtetas deklaron se në lokal kanë qenë dhe dy persona të tjerë të cilët i ka fiksuar fizikisht. Në një moment njëri nga personat që deklaruesi e identifikon si “Beratasi” ka bërë fjalë me një djalë tjetër pranë banakut dhe e ka qëlluar me pëllëmbë. Deklaruesi shpjegon se personi që u qëllua është larguar bashkë me dy persona të tjerë. Në këtë çast aty është afruar djali me tuta gri i përshkruar me lart dhe e ka pyetur deklaruesin nëse kishte ndonjë problem. Ky i fundit i ka thënë se nuk ka probleme dhe nisur sa meë sipër deklaruesi shprehet se personi i njohur si “Beratasi” kishte njohje me këtë të fundit. Më pas te këta dy persona janë ulur në të njëjtën tavolinë. Gjithashtu deklaruesi shpjegon se në tavolinën e parë sapo futesh tek dera ishte shtetasi italian Paolo dhe shtetasi Arben Shuaipi.

Rreth orës 04.10 deklaruesi ka parë që tavolina ku ndodhej “beratasi” po debatonte me disa të tjerë. Në këtë moment deklaruesi është afruar për t’i qetësuar. Në këtë moment ai ka parë që shtetasi Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj kanë patur armë zjarri të tipit pistoleta në duar. Deklaruesi nuk i ka identifikuar me emra këta dy persona por nga paraqitja për njohje ai ka njohur shtetasin Kostandin Xhuvani si personin me tuta dhe në deklarim ka sqaruar se personi tjetër që kishte armë zjarri ishte ai që kishte vdekur dhe që ishte i shtrirë në ndenjësen e pasme të mjetit tip Mercedez dhe që i korrespondon shtetasit Arbër Demiraj. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku për të qetësuar situatën grupi në mes të cilëve ishin edhe shtetasit Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj janë çuar nga tavolina për të dalë dhe pas tyre ka shkuar shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Në këtë moment janë futur përsëri në lokal shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj me pistoleta në duar dhe shtetasi Kostandin Xhuvani iu është drejtuar personave të identifikuar nga deklaruesi si Beratasi dhe kolonjari, duke iu thënë “Çfarë kishit ju të dy “dhe menjëherë ka qëlluar me armë në drejtim të tyre. Deklaruesi sqaron se ka dalë me shpejtësi jashtë lokalit dhe në këtë kohë ka dëgjuar dhe krisma të tjera dhe ka njoftuar policinë. Është kryer veprimi hetimor i paraqitjes për njohje ku njohësi Anton Binaku ka identifikuar si personin që ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasve të identifikuar si Beratasi dhe kolonjari , shtetasin Kostandin Xhuvani.

Kushëriri i Demirajt: Xhuvani i tha se kishte vrarë Arbrin

Është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale shtetasi Alban Ballçaj i cili deklaron se është kushëri me shtetasin Arbër Demiraj dhe kanë qenë bashkë gjatë gjithë mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Ai deklaron se ka shkuar me Arbër Demirajn rreth orës 02.00 në lokal “Ante Grand”. Në kohën që kanë zbritur nga makina dhe janë afruar te dera e lokalit ata kanë takuar dy persona të tjerë ku njëri ishte i veshur me tuta gri sportive me flokë të zeza i gjatë rreth 183 cm dhe një tjetër qeros me një nishan në kokë. Këta dy persona janë përshëndetur me Arbrin pasi njiheshin dhe janë ulur të katërt në një tavolinë në lokal ku kanë pirë nga një xhin me shveps. Pas disa çastesh Arbri dhe personi qeros janë çuar nga tavolina dhe kanë shkuar duke u ulur ne një tavolinë tjetër. Ai sqaron se më vonë personi i identifikuar si shtetasi Erald Sida është larguar me një femër nga lokali. Deklaruesi shpjegon se rreth orës 04.00 ai ka shkuar për të marrë ajër të pastër jashtë lokalit dhe pasi ka qëndruar përreth pesë minuta ka dëgjuar krisma arme që vinin nga brenda lokalit. Ai është futur brenda menjëherë dhe ka parë të shtrirë në toke tre persona mes të cilëve dhe kushëriri i tij Arbër Demiraj. Ai shpjegon se ka parë shtetasin Kostandin Xhuvani i cili kishte një pistoletë në dorë dhe po qëllonte në drejtim të personave të shtrirë në tokë. Ai ka vënë re se pranë trupit të Arbrit në tokë ka qenë një tjetër pistoletë. Deklaruesi sqaron se në këtë moment në lokal është kthyer shtetasi Erald Sida i cili e ka pyetur djalin me tuta gri se çfarë kishte bërë dhe ky i fundit i është përgjigjur se “Me duket se kam vrarë edhe Arbrin”. Deklaruesi, shtetasi Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida kanë marrë Arbrin dhe pasi e kanë nxjerrë jashtë e kanë futur në automjetin me targa TR 0250 N për ta çuar ne spital por në këtë moment është afruar një automjet policie i cili nuk i ka lejuar të largohen. Shtetasi Kostandin Xhuvani në këtë çast ka dalë nga dera e pasme e automjetit dhe është larguar me vrap duke mbajtur pistoletën në dorë dhe një punonjës policie e ka ndjekur me vrap.

Policët: Në radio na thanë se ka konflikt me armë

Punonjësi i policisë Lorenc A... shpjegon se ka qenë në shërbim me kolegun Kelvin Sh... dhe kanë marrë njoftim nga radio se në lokalin e Xhelo Vasiarit kishte konflikt me armë dhe bashkë me kolegun kanë qenë afër vendit në makinën e policisë. Ai shpjegon se duke u afruar kanë konstatuar një automjet tip Mercedez ML ku po futeshin disa persona. Makina e policisë u ka zënë rrugën dhe punonjësit e policisë kanë dalë nga makina duke bërë thirrjen “Ndal Policia. Në këtë moment nga automjeti ka dalë një person me tuta gri i cili mbante në dorë një pistoletë dhe është larguar me vrap. Deklaruesi shpjegon se e ka ndjekur me vrap atë duke thërritur policia dhe ka qëlluar me armën e zjarrit të tij në ajër. Në këtë moment personi ka hedhur armën në oborrin e shkollës dhe ka vazhduar vrapin. Punonjësi i policisë e ka ndjekur deri kur e ka neutralizuar me ndihmën e një qytetari tjetër deri në ardhjen e patrullave. Personi i ndaluar sipas raportit të shërbimit dhe procesverbalit të kapjes në flagrancë rezulton se personi i kapur nga ana e punonjësit të policisë është shtetasi Kostandin Xhuvani. Nga sa më sipër konstatohet se shtetasi Kostandin Xhuvani pas një grindjeje të çastit me shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe si rrjedhojë të dy ata kanë humbur jetën. Nga të shtënat me armë zjarri të shtetasit Kostandin Xhuvani kanë humbur jetë edhe shtetasit, Arbër Demiraj i cili është qëlluar me armë zjarri brenda në lokal dhe është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe gjithashtu është qëlluar po brenda ne lokal edhe shtetasi italian Xhampaolo Acola i cili ka gjetur vdekjen në spital. Në këto kushte rezulton plotësisht e provuar se nga ana e shtetasit Kostandin Xhuvani janë konsumuar veprat penale “Vrasja ne rrethana te tjera cilësuese” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/4 të Kodit Penal. Meqenëse hetimet kanë përfunduar dhe akuza është e provuar plotësisht, bazuar në nenet 331 dhe 332 të Kodit të Procedurës Penale po ju paraqesim për gjykim çështjen penale nr. 4426të vitit 2014 në ngarkim të të pandehurit Kostandin Xhuvani i biri i Gjergj dhe Luiza i datëlindjes 24.06.1989 lindur dhe banues ne Tiranë,i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/4 të Kodit Penal.

Italiani Acola u vra aksidentalisht me një plumb në gjoks

 Sipas aktit të ekspertimit mjeko ligjor nr.492 datë 07.11.2014 ka rezultuar se; Xhampaolo Acola ka një plagë tejshkuese në krahun e majtë në regjionin deltoid. Vrima e hyrjes është e lokalizuar në regjionin deltoid te majtë. Vrima e daljes është e lokalizuar në pjesën e brendshme në krahun e majtë, në 1/3 sipërme të tij. Vrima e hyrjes në gjoks është e lokalizuar ne linjën axillare të majtë, në nivel të brinjës 3 dhe të 4- tët. Çarje e mushkërisë së majtë, hemotoraks masiv,çarje e diafragmës, stomakut, hematomë e mezenterit. Minimal gjak ne zgavrën e barkut . Këto dëmtime janë shkaktuar nga një qitje e vetme. Drejtimi i qitjes ka qenë oblikisht nga e majta ne te djathte, nga lart – poshtë. Përreth buzëve te plagëve vrima hyrje nuk u konstatuan faktorë plotësues të qitjes. Shkaku i vdekjes së shtetasit Xhampaolo Acola (Gianpaolo Azzola) ka qenë shoku i rendë traumatiko –hemorragjik.

Enea Xhaji vdiq pas një plumbi afër veshit të djathtë

Në trupin e Enea Xhajit u konstatua një plagë tejshkuese arme zjarri në anën e majtë të qafës. Thyerje e vertebrave 2 -3 të qafës, dërrmim i palcës së kurrizit në nivelin e qafës. Dëmtim i indeve te buta të qafës dhe faqes së djathtë, dërmishtje,me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar nga një qitje e vetme predhe armë zjarri. Dërmishtja e përshkuar pas veshit te djathtë është shkaktuar me mjet mbretës .Drejtimi i qitjes ka qenë nga e majta në të djathtë, pothuajse në një vijë të drejtë. Përreth buzëve të plagës vrimë hyrje nuk u konstatuan faktorë plotësues të qitjes. Shkaku i vdekjes së shtetasit Enea Xhaji ka qenë kontuzioni i rëndë i trurit ( palcës së qafës).

Pesë plumba në kokë, fytyrë dhe qafë vranë Edison Jahon

Edison Jaho ka pesë plagë tejshkuese arme zjarri të lokalizuara në kokë, fytyrë dhe qafë. Këto dëmtime janë shkaktuar nga predha e një armë zjarri nga pesë qitje. Plagët e konstatuara ne këndin e djathtë të gojës dhe në anën e djathtë te mjekrës janë shkaktuar nga qitje të realizuara brenda veprimit të faktorë plotësues të qitjes. Drejtimi i qitjeve ka qenë nga para- mbrapa dhe poshtë lart. Ndërsa plagët e konstatuara ne anën e majtë te mjekrës dhe qafës janë shkaktuar nga qitje të realizuara brenda veprimit të faktorëve plotësues të qitjes ( gazrat dhe pjesët e padjegura te barutit) me drejtim nga para- mbrapa nga e majta në të djathtë dhe paksa nga poshtë-lart. Shkaku i vdekjes së shtetasit Edison Jaho ka qenë kontuzioni hemorragjik i trurit. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama