Xhuvani Do te terhiqem ne thellesine e dhimbjes me peshe te parehabilitueshme

Xhuvani: Do te terhiqem ne thellesine e dhimbjes me peshe te parehabilitueshme

Deklarata e Luiza Xhuvanit:

Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit!

Dhimbje për katër jetët e humbura!

Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më!  Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit.

E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç.

Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit.

Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët  e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.

Ngjarja  e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj.

Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë.

Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi.

E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.

Drejtësia duhet t'i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im.

E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdolloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.

Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë.

Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im.

Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme.

Drejtësia le të bëjë drejtësi!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama