Xhuvani E mbylla me komunizmin

Xhuvani: E mbylla me komunizmin

Filmi "Lindje Perëndim-Lindje" i shkon për shtat atmosferës që kanë krijuar aktivitetet kulturore në Tiranë që prej një muaji, në kuadër të përvjetorit të 20-të të Rënies së Murit të Berlinit. Katër ditë përpara datës së saktë të ngjarjes që gjithë Evropa Lindore kujton, në kinemanë shqiptare vjen premiera e filmit që ka për motiv fundin e një sistemi totalitar në Shqipëri.

Në takimin e djeshëm me median, pas shfaqjes së filmit "Lindje-Perëndim-Lindje" (98 minuta), në kinemanë "Millenium", regjisori Gjergj Xhuvani deklaroi se "me këtë film mbylla ciklin e filmave mbi komunizmin. Tek "I dashur armik" është instalimi i këtij regjimi i cili arrin kulmin tek "Slogans" dhe tani mbyllet me "Lindje..".

Sa për kujtesë, tek "I dashur armik", regjisori sjell vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa largohej ushtria e fundit gjermane në Shkodër, po aty do të ndodhnin arrestimet e para të "armiqve të popullit" nga fituesit e luftës.

Kurse "Slogans", me humor dhe sarkazëm tregon përshkallëzimin e dhunës dhe të indoktrinimit politik të masave.
"Lindje-Perëndim-Lindje" e kap fillin e historisë tek regjimi ekonomik dhe social i vendit dhe tek humbja e shpresës së njerëzve.

Personazhet e Xhuvanit, të krijuar në bashkëpunim me të atin, Dhimitër Xhuvani dhe Jani Durin, reflektojnë këtë mjedis të lodhur të krizës totale, ku u zu keqazi Shqipëria në fund të viteve tetëdhjetë.

' Edhe pse të rinj, pesë çiklistët e kësaj historie duken të kapur pas ëndrrave banale për spektatorin e sotëm, por domethënëse për kohën kur mungonte liria totale, liria e informimit, liria e të jetuarit, e të veshurit, madje edhe liria e të dashuruarit. Uniformat e shpëlara të "Partizanit", autobusi i Klubit dhe Nexhmiu i lodhur brenda asaj rrangalleje, shtëpitë e rrjepura, rrugë dhe vende pak të ndriçuara janë tablotë e përhershme. Ka pak diell në filmin e Xhuvanit.

Udhëtimi drejt perëndimit i pesë heronjve (aktorët protagonistë Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Gentian Hazizi, Fatjon Pustina, Ervin Bejleri dhe Lulzim Zeqja) dhe një spiuni ndërmjetëm (që do të kërkojë më pas azil politik), luajtuar nga aktori Romir Zalla, është një dështim i dhimbshëm që lidhet me zhvillimet e ngjarjeve në verë të nëntëdhjetës në Tiranë.

Nuk u ngelet gjë tjetër veç të kthehen. Kthimi është i vështirë, kalimi i kufirit duket i pamundur. Konfliktet në kufirin jugosllavë janë një aventurë më vete, me fare pak dialogë, që kujtojnë inate të vjetra etnike. "Ju më pyesni sot si e shoh përballjen e shqiptarit në kufi. Nuk ka ndryshuar asgjë.

Kanë ndryshuar format, përmbajtja është po ajo". Situatave dramatike dhe poshtëruese si këto mund t'u qasesh si të duash, por ajo që do, zgjedh dhe bën Xhuvani, është qasja nëpërmjet zhanrit të komedisë dramatike dhe brenda tij ka vend për ironi dhe humor.

"Çdo regjisor krijon stilin e tij dhe stili është derivat i një zhanri. Në jetë na ndodh që në momentet dramatike vjen humori dhe në momente të humorit ndodh drama. Edhe bashkëpunëtorët e mi, skenaristët, aktorët janë të gjithë të këtij stili, të këtij zhanri.

Brenda kësaj logjike të përbashkët ngrihet i gjithë filmi",- tha Xhuvani. Ai ka përmbledhur me pak fjalë edhe kredon e punës së tij për triptikun e filmave mbi komunizmin. Të tre filmat kanë në thelb njeriun "ai nuk vdes kurrë. Shikoni, unë nuk jam as pro, as kundër komunizmit. Filmat e mi nuk janë politikë. Po të vësh re në këta filma njerëzit janë të ngrohtë. Për mua nuk ekzistojnë njerëzit e këqinj, janë situatat ato që e bëjnë njeriun të keq."

Pas kësaj fraze përmbyllëse që të kujton njëherësh po atë besim që kishte për njeriun, të keqen dhe të mirën, edhe Dhimitër Xhuvani, kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Ferri i pranishëm për mediat, i kujtoi ato se premiera e sotme e "Lindje-Perëndim-Lindje", do të jetë edhe një homazh për bashkëskenaristin dhe shkrimtarin Gjergj Xhuvani shtoi se kjo premierë pa të atin do të jetë megjithatë e bukur. "Ai e ka bërë punën e tij",- tha ai duke e përmbajtur mallëngjimin që ka shkaktuar humbja akoma e freskët e të atit, shkrimtarit Dhimitër Xhuvani.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama