Xhuvani fillimisht mohon krimin Po blija duhan. Ne fund thote Nuk mbaj mend

Xhuvani fillimisht mohon krimin: 'Po blija duhan'. Ne fund thote: 'Nuk mbaj mend'

Hetimet e Policisë së Tiranës në lidhje me vrasjen e katërfishtë e ndodhur mëngjesin e të martës në një lokal nate në rrugën e Elbasanit, kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me rrethanat dhe shkaqet e mundshme të krimit të katërfishtë, për të cilin tashmë është i arrestuar dhe akuzohet Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani dhe regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani. Burime të Policisë së kryeqytetit përpos identifikimit zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, mësohet se kanë zbuluar edhe detaje të reja për krimin e rëndë. Sipas hetuesve të policisë, grupi i personave që ndodheshin në lokal të përfshirë në këtë masakër, kanë pasur një marrëdhënie miqësore në lokal deri pak momente përpara se të niste konflikti mes Kostandin Xhuvanit, miqve të tij si dhe dyshes tjetër që ndodheshin në lokal. Madje ata jo vetëm që kanë qenë miqësorë, por se edhe kanë shkëmbyer biseda e batuta miqësore mes tyre duke bërë që mes personazheve të krijohej një raport deri diku miqësor, deri rreth orës 4 të mëngjesit. Madje gjatë kohës që kishin qenë duke pirë në lokal, grupet iu kanë qerasur njëri- tjetrit edhe pije të shtrenjta që ofroheshin në lokal duke bërë që mes tyre të krijohej ideja se ambienti dhe marrëdhënia mes tyre po krijohej miqësore. Ndërkaq i dyshuari kryesor për ngjarjen, Xhuvani, edhe pas arrestimit ka pretenduar se nuk kishte dijeni ç’kishte ndodhur në lokal.

Pak momente pasi policia kishte ndaluar Xhuvanin, policia i kishte komunikuar atij se ishte i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së katër personave, ai ka pohuar se nuk dinte gjë se çfarë kishte ndodhur në lokalin ku kishte qenë ai. Pak momente më parë. Xhuvani, ka pretenduar se kishte dalë nga lokali për të blerë cigare aty afër dhe se nuk kishte gjetur. Por fakti se po ikte me vrap dhe se në dorë kishte një armë e cila më vonë rezultoi të ishte ajo që kishte qëlluar në vendin e ngjarjes, tradhtoi këtë të fundit, duke bërë që ai më pas të ndryshonte qëndrim, por se sipas hetuesve ai ka qenë gjatë gjithë kohës në gjendje të dehur. Ndërkaq më vonë Xhuvani pretendoi në polici se nuk mbante mend asgjë për ngjarjen ndërsa ka pretenduar se nuk kishte kryer ndonjë krim. Por ekzaminimet kriminalistike kanë hedhur poshtë pretendimet e tij. Sipas hetuesve rreth orës 12:00, në lokal kanë mbërritur, biznesmeni Acolo dhe miku i tij, po ashtu një biznesmen, por shqiptar nga Vlora me banim në Tiranë. Të dy ata sipas burimeve të policisë ishin përfshirë një projekt për restaurimin e mundshëm të stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Italiani mësohet se ishte i interesuar për fasadat dhe ndenjëset e stadiumit si dhe për pjesë të tjera që kishin të bënin kryesisht me çështje të logjistikës dhe për këtë shkak ai kishte ai ishte lidhur me biznesmenin shqiptar emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia. Më parë dy biznesmenët kishin qenë duke pirë në një lokal në rrugën e Durrësit, para se të zhvendoseshin tek “Ante Grand”, në rrugën e Elbasanit. Ndërkaq aty ata mësohet se kanë gjetur në një tavolinë, pranë dy personat, Enea Xhaj dhe Edison Jaho. Në një tavolinë më parë, ishin ulur Kostandin Xhuvani, miku i tij, Arbër Demiraj, kushëriri i këtij të fundit, Alban Ballçaj si dhe Erald Sida. Të katërt këta kishin disa orë që qëndronin në lokal, duke konsumuar pije alkoolike të forta, kryesisht uiski dhe pije të tjera të shtrenjta. Pasi ka ardhur italiani, duke qenë se tavolinat e tyre ishin afër dhe komunikimi mes italianit dhe vlonjatit në italisht dëgjohej, grupi i Xhuvanit dhe dy të vrarët e tjerë, nisën të shkëmbenin batuta të ndryshme mes tyre. Kaq u desh dhe në barin e natës, u krijua përshtypja se gjithçka shkonte mirë, përveç muzikës që nuk ishte me këngëtar real si çdo natë, por se me këngë të regjistruara në kompjuter. Pavarësisht kësaj mes palëve, ka nisur shkëmbimet e bisedave ndërsa grupi Xhuvanit herë pas here shkëmbeu batuta dhe biseda në italisht me Acolon dhe mikun e tij. Ndërkaq në bisedë e sipër mes tyre, por edhe me Jahon, si dhe me Xhajn, palët iu kanë ofruar njëri- tjetrit qerasje me pije alkoolike, xhin, uiski, apo pije të tjera. Pasi kanë pranuar dy tri herë, në një rast, Xhuvani mësohet se ka refuzuar pijen ofruar nga dyshja Xhaj dhe Jaho, çka ka bërë që mes tyre të lindte debat dhe fyerje mes tyre. Gjakrat janë nxehur kur një prej personave, i ka kërkuar Xhuvanit që t’iu jepte pak “mall”. Kjo ka bërë që ata të nxeheshin dhe të debatonin mes tyre, duke bërë edhe nisjen e sherrit.

 Vrasjet ndodhën pasi të konfliktuarit u kthyen në lokal

Kur mes grupeve, atij të Xhait e Jahos dhe Xhuvanit, Demirajt, Ballçajt dhe Sidës, ndodhi incidenti i mallit, personat dolën fillimisht jashtë, por më pas ata janë rifutur brenda, ndërsa Xhuvani ka pasur një pistoletë në dorë. Ai i është drejtuar dy personave duke iu drejtuar armën ndërsa, miku i tij Arbër Demiraj, (djali i avokatit Skënder Demiraj, ish- prokuror i Apelit të Tiranës), është përpjekur ta ndalojë. Në këtë moment këtij të fundit dyshohet se i është shkrehur arma në mënyrë të pavullnetshme duke qëlluar mbi mikun e tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas ai ka qëlluar në drejtim të dy personave të tjerë Edison Jaho dhe personit tjetër Enea Xhaj, duke i qëlluar të dy në kokë dhe duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në këtë moment ka mbetur i plagosur rëndë edhe italiani Xhampaolo Acolo. Edhe ky i fundit mori plagë të rënda në gjoks pranë zemrës dhe u nis për në spital, ndërsa miku i tij, biznesmeni vlonjat për fatin e tij të mirë shpëtoi pa marrë plagë. Ai u dërgua në spitalin ushtarak në kryeqytet, ku edhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda, por edhe për shkak se ai pësoi infarkt i ndikuar nga plagët. Biznesmeni italian mësohet se prej disa vitesh jetonte në Shqipëri ku edhe merrej me aktivitete biznesi. Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, italiani ishte frekuentues i zakonshëm i lokaleve të natës në kryeqytetet e sidomos i lokaleve ku me pijet dhe koktejlet mund të shijoje muzikë live ku këndonin këngëtarë të ndryshëm dhe kryesisht këngëtare femra.

Policia liron Ballçajn, nuk ishte i përfshirë

Dje në orët e para të mëngjesit Drejtoria e Policisë së Tiranës, vendosi edhe lirimin e Alban Ballçajt, një nga personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e mëngjesit të të martës në lokalin ku ndodhi masakra në rrugën e Elbasanit. Ballçaj është djali i tezes së Arbër Demirajt, i cili mbeti i vrarë në ngjarjen e mëngjesit të të martës. Ai është lënë i lirë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës edhe me miratimin e prokurorisë, pasi nga shqyrtimi i rrethanave ka rezultuar se ai nuk ishte përfshirë në përplasjen në lokal. Sipas policisë Ballçaj gjatë marrjes së tij në pyetje dhe dhënies së deklarimeve ka qenë tepër bashkëpunues, duke rrëfyer detajet e ngjarjes si dhe rrethanat e krimit dhe shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë. Rrëfimi i detajuar i këtij të fundit si pranimi i tij për të dëshmuar, ka bërë që hetuesit të konkludojnë se ai nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje. Madje hetuesit thanë se prania e Ballçajt në vendin e ngjarjes atë natë kishte qenë krejtësisht e rastësishme në ngjarje. Dëshmia e tij, bashkë me dëshminë e një punonjësi të sigurisë së lokalit, ish- efektiv i policisë tashmë në lirim janë dy dëshmitë kyçe që sipas policisë përbëjnë edhe deklarimet që hedhin dritë tërësisht mbi ngjarjen dhe mbi rrethanat e saj. Sipas hetuesve deklarimet e tyre janë përputhur me të njëri-tjetrit.

Sida hetohet për shfrytëzim prostitucioni

Erald Sida, një nga personat e arrestuar për ngjarjen e mëngjesit të të martës, në kohën kur ka ndodhur krimi, mësohet se ka qenë në një ambient tjetër pranë lokalit duke kryer marrëdhënie seksuale me një femër e cila më vonë u mësua se ishte prostitutë. Sipas hetuesve është konfirmuar se Sida në kohën që ndodhte masakra ku u vranë katër vetë, ishte në lokal, duke kryer marrëdhënie seksuale me një femër kundrejt pagesës. Ndërkaq sa i përket rrethanave të tjera, hetuesit thonë se paraprakisht ai dyshohet se nuk ka pasur rol në ngjarje përveç faktit se ka qenë i ulur në lokal me Xhuvanin, Demirajn dhe Ballçajn. Ndërkohë kur janë dëgjuar të shtënat, ai ka dalë për të parë çdodhi, ndërsa është arrestuar më pas nga policia. Ai është ndaluar pasi i është marrë deklarimi vajzës me të cilën Sida po bënte seks. Ajo ka pohuar se ishte paguar nga Sida, për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Për këtë shkak ai është arrestuar nga hetuesit me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

Prokuroria: Ja pse e pushuam hetimin ndaj Xhuvanit

 Policia dhe Prokuroria e Përgjithshme janë përfshirë në një debat indirekt dje në lidhje me nisjen e hetimit dhe të pushimit të hetimeve për kanosjen me armë të një personi në lagjen “18 shtatori” në qytetin e Gjirokastrës në muajin maj të këtij viti pas akuzave të Partisë Demokratike për mosarrestimin e Xhuvanit, pas shpalljes së tij në kërkim. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, prokuroria sqaron se Kostandin Xhuvani ka qenë në Elbasan, edhe pse pretendohet se ka qenë në Gjirokastër. “Më 25 prill, Kostandin Xhuvani ishte në spitalin psikiatrik. Prania e tij vërtetohet nga kartela mjekësore. Xhuvani u dërgua në spital, pasi kishte konsumuar shumë alkool”, shpjegon deklarata. Më tej, sqarohet edhe se Xhuvani është paraqitur në spitalin psikiatrik të Elbasanit në orën 17:00 të datës 25 prill, ndërsa ngjarja në Gjirokastër ka ndodhur në orën 19:00. Më herët, opozita ka hedhur akuza se Konstantin Xhuvani, i akuzuari për vrasjen e katër personave ditën e djeshme, ka qenë i përfshirë në ngjarjen e Lazaratit.

Ndërkaq nga ana tjetër, policia tha “Lidhur me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike se shtetasi Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim dhe Policia e Shtetit qëllimisht e ka lënë të lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se: Në datë 25.04.2014, rreth orës 19:30, shërbimet e policisë së Komisariatit Gjirokastër janë njoftuar se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen 18 Shtatori ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm”. Nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje ka rezultuar se një konflikt ishte shkaktuar për shkak të dy vajzave, mes një grupi prej 3 të rinjsh dhe të tjetër shtetasi që shoqërohej me vajzat. Njëri prej djemve ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, të tipit pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë në ajër dhe pas kësaj ai është larguar te vendqëndrimi i taksive.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama