Bazilika e Elbasanit, zbuluar në qendër të qytetit në vitin 2007, është kthyer në një mollë sherri mes arkeologëve që drejtojnë projektin dhe bashkisë së qytetit. Arkeologu Ylli Cerova i është kundërvënë projektit të bashkisë për të mbuluar me xham mozaikun e kësaj bazilike. Ai ka denoncuar në prokurori për shkelje të ligjit të trashëgimisë kulturore bashkinë, e cila momentalisht ka pezulluar punimet. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, i kërkoi Ministrisë së Kulturës të ndërhynte për të zgjidhur situatën, ndërkohë që zoti Cerova, arkeologu që së bashku me Elio Hobdarin drejton projektin arkeologjik, reagon dhe akuzon publikisht bashkinë dhe kryetarin Sejdini për shkelje të hapur të ligjit. “Duke filluar nga viti 2007 dhe në vijim, me fondet e akorduara nga Instituti i Arkeologjisë dhe në një rast nga Bashkia e Elbasanit, gjatë mandatit të parë të kryetarit Qazim Sejdini, është bërë e mundur të zbulohet një pjesë e bazilikës paleokristiane që ndodhet në ish-bezistanin e qytetit të Elbasanit. Bazilika paleokristiane dallohet për një arkitekturë të pasur dekorative, mozaik tepër interesant dhe për pikturën murale shumëngjyrëshe. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të zbuluar plotësisht bazilikën e Elbasanit, por nuk është gjithçka në dorën tonë. Fondet financiare për zbulimin e bazilikës përcaktohen nga Instituti i Arkeologjisë dhe ne jemi të varur prej tyre.
Në këto rrethana, pa u zbuluar plotësisht bazilika hartohet një projekt për mbulimin e një pjese të mozaikut, i bashkërenduar me projektin mbi restaurimin e rrugës ‘Egnatia’ që përshkon kalanë e Elbasanit nga perëndimi në lindje. Fondet financiare janë nga Komiteti Europian dhe një pjesë nga taksapaguesit elbasanas. Shuma në euro për realizimin e këtyre projekteve nuk është e vogël. Personalisht, sapo më sqaruan në lidhje me projektin e mbulimit të mozaikut të bazilikës kam qenë kundër për faktin se nuk mund të jem dakord që mbi mozaikun paleokristian të vendosen tre pllaka betoni mbi të cilat do të ngrihen kolona metalike për të mbajtur strukturën prej xhami. Në projekt parashikohet gjithashtu të ndërtohet një mur betoni midis naosit dhe narteksit që ndan përmes monumentin”, thekson Cerova. Sipas tij, në projektin për mbulimin e mozaikut, nuk janë marrë fare parasysh sugjerimet e specialistëve.
Kryetari i bashkisë, nga ana tjetër, ka replikuar me Cerovën për këtë problem. “I drejtohem ministrit të Kulturës të vijë të shikojë mozaikun e të vërë dorë. Ndryshe na e lini në dorë ta ndërtojmë kur ju jeni të pazotë. Rruga ‘Egnatia’ është drejt përfundimit e ne jemi të kënaqur me ecurinë dhe cilësinë e punimeve. Por ndërkohë, për bazilikën nuk po bëhet asgjë, megjithëse ajo është një vepër mjaft e rëndësishme. Ju shkarkuat Ylli Cerovën nga detyra e drejtorit të Parkut të Butrintit, pasi e ktheu atë në park plehrash. Të mos e kthejmë edhe bazilikën e Elbasanit në vend mbeturinash”, ka thënë Sejdini. Nga ana tjetër, arkeologu Ylli Cerova thekson se ky projekt nuk mund të zbatohet, megjithëse është firmosur dhe nga Bashkia e Elbasanit. “Projekti dëmton vetë monumentin dhe dikush duhet të përgjigjet për shpërdorimin e parave të taksapaguesve elbasanas. Dikush duhet të përgjigjet dhe për kostot financiare të projektit ekzistues dhe atij që duhet të hartohet sipas vërejtjeve të specialistëve të fushës. Unë kam besim tek organet e drejtësisë, të cilave ju jam drejtuar për të mbrojtur monumentet e kulturës”, thekson Cerova.