Ylli Hoxha mendon se Flamurtari mund të bëjë surprizën në Kukës në ndeshjen e dytë të turit gjysmëfinal të Kupës. Në një intervistë për "Panorama Sport", ish-lojtari kosovar i Kukësit tha se beson te një përmbysje e mundshme e rezultatit. Për Hoxhën, Flamurtari ka qenë në kampionat shpeshherë i dënuar nga fati dhe arbitrat.
Si e vlerëson Hoxha ndeshjen e Kupës me Kukësin?
Dua të them mendimin tim, që në ndeshjen e parë fati nuk ka qenë me ne, por kundër. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por unë dua të them se në futboll gjithçka është e hapur. Edhe pse të gjithë s'e presin, ne nuk kemi se çfarë të humbasim. Flamurtari ka kualitete për ta kthyer rezultatin.
Sa janë realisht shanset e Flamurtarit për t'u kualifikuar?
E përsëris edhe një herë. Ne i kemi të gjitha kualitetet dhe mundësitë për ta kthyer gjithçka dhe për t'u kualifikuar në finalen e Kupës. Çdo gjë është e mundshme. Pse të mos tentojmë të bëjmë surprizën. Mundësitë mbeten të hapura.
Ju e njihni Kukësin pasi keni veshur më parë fanellën e këtij klubi. Cilat janë pikat e forta të kundërshtarit?
Mendoj se Kukësi ka shumë pika të forta dhe jo më kot është aty ku gjendet aktualisht. Është një ekip që ka lojtarë shumë cilësorë.
Po pikat e forta të Flamurtarit?
Edhe ne nuk mbetemi pas Kukësit. Kemi një grup me shumë kualitete në skuadër.
Me cilët nga lojtarët i mbani lidhjet te skuadra kuksiane?
Normalisht kam kaluar tre vite shumë të mira dhe të suksesshme te Kukësi. Kam respekt për qytetin dhe tifozët atje. Marrëdhëniet dhe miqësinë i ruaj me të gjithë ata lojtarë që kanë qenë pjesë e skuadrës kur unë kam qenë te Kukësi.
Mendoni se rrezikon Flamurtari qëndrimin në Superiore?
Realisht nuk është asgjë e sigurt ende. Tri pikët që morëm në Laç na dhanë karakter shumë të fortë. Do të luftojmë deri në fund.
Sipas jush, çfarë nuk ka shkuar deri më tani te skuadra vlonjate?
Ka pasur probleme të ndryshme. Në shumë raste kemi pasur edhe mungesë të fatit, por në shumë ndeshje edhe arbitrat kanë qenë kundër nesh.
Si e vlerësoni ndeshjen me Vllazninë që luhet për kampionat?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë për të dyja skuadrat. Si Flamurtari, ashtu edhe Vllaznia luftojnë për një objektiv të përbashkët: qëndrimi në Superiore.
Jeni i kënaqur me çfarë po jepni te Flamurtari?
Normalisht, çdo njeri ka mundësi të japë më shumë. Por e rëndësishme është të sakrifikojmë veten tonë dhe të japim si grup më të mirën për skuadrën.