James Blunt gëzon një popullaritet në të gjithë botën, e pa diskutim edhe në Shqipëri. E kjo jo vetëm për këngët apo albumet e suksesshme që ka publikuar deri më tani, por edhe për impenjimet e tij humane si ushtarak. Si i tillë, Blunt ka shkelur edhe më parë në tokën shqiptare. Më saktë në Prishtinë, si komandant i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë gjatë trazirave të vitit 1999. Ai ishte oficeri i parë britanik që hyri në kryeqytetin e Kosovës. Gjatë shërbimit në këtë vend shkroi këngën "No bravery". Edhe më vonë, artisti është shprehur në shumë raste gjatë shfaqjeve të tij publike pro pavarësisë së Kosovës, gjë që e bën figurën e tij edhe më të dashur për publikun shqiptar.
Edhe pse vokali i tij origjinal spikati që në fëmijëri, James ndërmori seriozisht një karrierë muzikore vetëm pas shkëputjes nga ushtria. Albumin e tij të parë, "Back to Badlem", që menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikëve muzikorë që e vlerësuan maksimalisht, e hodhi në treg në vitin 2005. Kënga e tretë e CD-së, "You‘re beautiful" u kthye në një hit të momentit, duke u klasifikuar që në fillim në majat e klasifikimeve britanike. Vetëm gjashtë javë pas debutimit, ajo u rendit e para, duke bërë që albumi "Back to Badlem" të klasifikohej si më i shituri. Pas suksesit në Britaninë e Madhe, kënga pushtoi kontinentin evropian, duke fituar statusin si hiti absolut i verës së 2005-s. James Blunt u bë artisti i parë që kryesoi për javë të tëra klasifikimet amerikane. Britaniku i fundit që kishte bërë një gjë të tillë ishte Elton John.
Artisti ka marrë dhjetëra kandidime për çmime prestigjioze, mes të cilave edhe "Grammy", dhe është vlerësuar në 2006-n si artisti më i mirë britanik dhe artisti më i mirë i muzikës pop në ceremoninë "Brit Awards". Albumi i tij i fundit "All the lost souls", promovimi i të cilit u bë synim i turneut mbarëbotëror dhe ndalesës në Shqipëri, u hodh në treg më 17 shtator të vitit 2007. Pjesa më e madhe e këngëve janë shkruar prej tij në shtëpinë që ka në Ibiza. Vetëm gjatë dy javëve të para, albumi është shitur në 650 mijë kopje. Pritet që perfomanca e tij prej dy orësh në stadiumin "Qemal Stafa" në Tiranë, të sjellë këngë të reja dhe hite të vjetra të këngëtarit.
Nga : Gazeta Shqip