Për 100-vjetorin e lindjes Instituti i Historisë kishte premtuar botimin e plotë të studimeve historike
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë organizojnë 100-vjetorin e lindjes së historianit Injac Zamputti, më 12 shkurt, ora 12.00 në sallën e Akademisë së Shkencave.
Për Injac Zamputtin dhe për fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe flet prof. dr. Seit Mancaku. Ai ka kontribut në fushë të etimologjisë, ishte njohës i literaturës kishtare dhe i dokumentacionit të autorëve të vjetër të shqipes Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani. Mancaku i ka njohur tashmë këtij historiani, meritën e mbrojtjes së një teze re për vendin që i duhej dhënë "Mesharit" të Gjon Buzukut.
Një ndër punimet e tij të para në këtë fushë, është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij.
Për kontributin në ndriçimin e historisë së Shqipërisë të shekujve XVI-XVII flet historiani Pëllumb Xhufi kurse Luan Malltezi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar referon për punën e madhe në fushën e dokumentacionit për historinë mesjetare të shqiptarëve.
Për dyzet vjet Injac Zamputti punoi në fushën e studimeve historike në Institutin e Shkencave dhe të Historisë.
Ai mbahet mend si studiuesi që dokumentin historik mesjetar e sillte prej latinishtes apo italishtes mesjetare, "gjuhë që ishin armët e tij".
Në vitet '60 nisi përgatitjen e studiuesve të rinj për të bërë kërkime në arkivat e Venedikut, Vatikanit, Raguzės, sepse ai vetë (për shkak të origjinës italiane) nuk mund të shkonte.
Ai transkriptonte, përkthente dhe komentonte dokumentet në mikrofilma që sillnin nxënësit e tij. Mbi këtë lëndë Instituti i Historisë botoi një seri veprash: "Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë (1479 -1499)" dhe seriali i librave "Dokumente për Historinë e Shqipërisë" deri në vitet 1675-1699. Janë rreth 4500 faqe dokumente. Për këtë arsye ky njeri nderohet sot nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë.
Është parashikuar në program që prof. dr. Ferit Duka të flasë për historinë osmane të shqiptarëve në optikën e Zamputtit; Behar Gjoka për "Gjergj Fishtën sipas Injac Zamputtit" dhe Musa Vyshka për veprën e tij letrare.
Injac Zamputti u lind më 12 shkurt 1910 në Shkodër, ku kishte lindur babai i tij, Romolo, me origjinë italiane. Studioi në kolegjin Saverian të Jezuitëve. Aty e mbajtën mësues të letërsisë shqipe, koleg i ri i Ndre Mjedës, mik dhe koleg i albanologut italian, klerikut Zef Valentinit.
U martua me vajzën shkodrane Roza dhe krijoi familje të madhe. Studioi në Universitetin e Triestes për Shkencat Politike ku mbron temën "700-a Veneciane dhe Shqipëria".
Është akoma në fazën e parë të veprës e cila deri në fund të Luftës së Dytë Botërore i përket krijimtarisë letrare. Bashkëkohës i Ernest Koliqit, Migjenit, Vinçenc Prenushit, shkroi publicistikë në revistat "Hylli i Dritës", "Leka" dhe në "Kumbonat e së dielës". Botoi vëllimet me novela "Zemra njerëzish", "Atje, nën hijen e Rozafës", melodramën "Damiani himariot" dhe dramën historike "Guri i themelit".
Si kritik ai ka dy vepra madhore: "Ekskursion në veprën e Kadaresë" dhe "Fishta, koha, njeriu, vepra".
Është botuar gjithçka që ai ka shkruar me pseudonimet Ales, Notarios, Pol-iglota, Rosea, Sila, Sirena etj. deri në Luftën e dytë Botërore, pjesa tjetër ku ai fillon dhe shfaqet si historian, është botuar nëpër revista dhe buletine shkencore.
Artikujt me karakter historik, etnologjik, etik, gjuhësor, arkeologjik i boton në "Buletinin e Shkencave", në revistën "Studime Historike", "Studime Filologjike". Kjo është një lëndë që mbetet për t'u botuar në një vëllim më vete.
Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta premtoi më 2008 se në 100-vjetorin e lindjes së Zamputtit, në vitin 2010, do të botohej vepra e tij e plotë. Fjala ishte për studimet historike, ndërsa vepra letrare e përmendur më lart si letërsi e traditës, duket më e vështirë që të ribotohet pas gjysmë shekulli.
Në vitin 1988 boton punimin "Mbishkrimi i Arbërit" dhe " Mbishkrimi i Brarit" i lexuar për herë të parë prej tij në mënyrë të plotë.
Po atë vit del përkthimi i tij "Burgimet e mija" të Pashko Vasës.
Në vitet e fundit botoi tek "Hylli i Dritës" një ese për fillimet e letërsisë në gjuhën shqipe. Punimi i fundit ishte për aksionin kolonizues të Dionisit dhe luftrat iliro-romake.
Në vitin 1995 i jepet dekorata "Punonjës i shquar i Shkencës dhe i teknikës për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike".
Në vitin 1993 riatdhesohet në Itali ku vdiq, më 28 shkurt 1998 në Tivoli.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli