Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, mban fjalën dhe shpërblen ekipin me 100 mijë euro për kalimin e turit të parë të Ligës së Europës. Ndodhi ajo që kishte lajmëruar gazeta. Paraditen e djeshme, në mbledhjen dhe analizën që trajneri dhe stafi zhvilluan, Gjici shpërndau edhe shumën e premtuar për kalimin e malazezëve të Rudarit.
Ai u ndau futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit zarfet e personalizuara me paratë në formë shpërblimi për atë çka dhanë në dy sfidat e para. Titullarët në dy ndeshjet me Rudarin dhe pjesëtarët e stafit u shpërblyen me nga 4 mijë euro. Ndërsa kanë përfituar edhe lojtarët e stolit me nga 2 mijë euro. Presidenti është treguar zemërgjerë edhe me ata lojtarë, të cilët nuk kanë qenë fare në stol, të cilët janë shpërblyer me nga 600 euro secili. Kur presidenti shpërndau premiot, nuk munguan edhe batutat që e karakterizojnë numrin një të klubit.
Gjici
Gjatë shpërndarjes së parave, Gjici ndër të tjera iu drejtua lojtarëve duke u thënë: "Urdhëroni zotërinj premion që ju premtova. Ju e dini që Safet Gjici atë që thotë, e mban. Premtimet e mia janë bërë realitet, ndaj unë ju kam kërkuar në çdo rast që të fitoni, të kaloni ture dhe të tjerat m'i lini mua në dorë. Kështu që merreni shpërblimin dhe me mend në kokë për ndeshjen e radhës. Këtu do duket se sa do vleni. Fitoni sërish dhe kaloni turet dhe unë do bëj timen. Këtë herë ju ndava 100 mijë euro, ndërsa herën tjetër do jenë shumë më tepër. Ju bëni tuajën, unë bëj timen", mësohet t'ju ketë thënë presidenti Gjici lojtarëve. Premio për kalimin e turit të dytë ndaj Austrisë së Vjenës është 150 mijë euro. Një shifër e konsiderueshme, duke pasur parasysh se kalimi i turit shpërblehet me rreth 220 mijë euro nga UEFA.
Motivimi
Pas shpërndarjes së premios, i gjithë stafi dhe lojtarët kanë vijuar analizën e gjatë ku si fillim kanë parë një ndeshje të Austrisë së Vjenës dhe më pas kanë analizuar me detaje të gjitha skemat teknike dhe taktike të kundërshtarit. Trajneri Hasan Lika u ka kërkuar shumë vëmendje titullarëve, të cilët do kenë shumë punë në fushën e blertë, pasi dihet cilësia e lojtarëve që austriakët kanë në përbërje. Tekniku ka dhënë direktiva dhe këshilla direkte për lojtarë të ndryshëm, ku përgjithësisht i është drejtuar sektorit të mbrojtjes. Sfida e parë ndërmjet Austrisë dhe Kukësit do të luhet nesër, në orën 21:05, në stadiumin kryesor të Vjenës, "Ernst Hapel". Më pas takimi i kthimit do të luhet pas një jave në Elbasan.
SKERDILAID SULOZEQI