Zbardhen disa nga detajet e ngjarjes që ndodhi të hënën, në orët e vona të natës ku gazetari sportiv Eduard Ilnica u dhunua nga presidenti i Kastriotit, Alban Vogli, së bashku me disa persona të tjerë. Nga burime të sigurta brenda policisë, gazeta ka arritur të zbardhë me detaje gjithçka ndodhi në afërsi të "Zogut të Zi".
Ngjarja Burimet bëjnë të ditur se gazetari Ilnica ka qenë me disa miq të tij dibranë në lokal dhe makinën e kishte të parkuar përpara lokalit. Më pas, ai ka dalë vetëm për të ikur dhe në këtë moment është sulmuar direkt pa i thënë asnjë fjalë.
Ai është goditur nga Alban Vogli me grushte e shkelma, në një kohë që presidenti i skuadrës krutane ka qenë i shoqëruar edhe nga katër persona të tjerë. Agresorët kanë qenë me dy makina, një "Volkswagen Tuareg" dhe një "Mercedes". Pasi e kanë goditur, kanë hapur bagazhin e mjetit tip "Tuareg" dhe kanë tentuar ta fusin me forcë.
Por, dikush nga dëshmitarët i kishte telefonuar policisë dhe në kohën që janë ndier sirenat e policisë, por duke shtuar edhe faktin se Ilnica ka bërë rezistencë, autorët janë larguar. Të njëjtat burime policore, të mirinformuara në lidhje me ngjarjen, saktësojnë se agresorët i kanë marrë Ilnicës edhe çelësat e makinës së tij dhe telefonin.
Madje, ata i kanë marrë edhe makinën që kishte të parkuar aty. Dhe mjeti i gazetarit është gjetur vetëm dje në drekë në një rrugicë aty afër vendngjarjes mes një blloku pallatesh. Ndërsa telefoni nuk është gjetur akoma. Një ngjarje që tashmë është në duart e organeve ligjzbatuese.
Policia po heton në lidhje me këtë, në një kohë që ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen maksimale të të gjithë opinionit shqiptar ku reagimet kanë qenë të shumta, edhe nga drejtues të lartë të qeverisë si ministri i Drejtësisë.