Zbardhen përgjimet telefonike të Ermal Hoxhës dhe të dyshuarve të tjerë të akuzuar si të përfshirë në trafikun e kokainës që përpunohej në laboratorin e Xibrakës. Gazeta “Panorama” ka siguruar bisedat e përgjuara, transkriptet e të cilave ndodhen në dosjen e organit të akuzës.
Referuar përgjimeve, të dyshuarit kanë kryer komunikime me gjuhë të koduar me njëri-tjetrin, duke shmangur përdorimin e fjalëve, që mund të ngrinin dyshime. Në një bisedë të datës 13 janar, i dyshuari Arjan Dalipi i thotë Ermal Hoxhës se nuk mund të punohej nga i ftohti. “Kanë ngri markuçët (tubat). Nuk i lajmë dot qentë sot”, i është përgjigjur Dalipi.
Sipas Prokurorisë, përmes përgjimeve telefonike është zbuluar se dy shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno më 13 janar janë shoqëruar nga Ermal Hoxha, i cili i ka marrë në ambientet e magazinave ku ishte ndërtuar laboratori dhe i ka kthyer në Tiranë.
Po nga përgjimet ka rezultuar se të nesërmen e kësaj dite, Ermal Hoxha, përmes komunikimeve në telefon i kërkon Kelmend Dalipit të shoqëronte dy shtetasit kolumbianë.
Nga vëzhgimet e mëvonshme është vënë re se në 10:30, Kelmendi ka mbërritur në laboratorin e Xibrakës me mjetin e tij, nga i cili kanë zbritur dy shtetasit kolumbianë.