Mbyllet çështja "Duro" te Kukësi. Trajneri i bashkohet ekipit dhe zyrtarisht ka rinisur punën. Gazeta arrin të zbardhë gjithë prapaskenat e ngjarjes së krijuar pas konfliktit Duro-Spahia, zënkë e cila detyroi trajnerin ta braktisë skuadrën për dy ditë. Ditën e enjte, trajneri Duro pati një përplasje me drejtorin e përgjithshëm, ku nuk munguan as tonet e larta.
Trajneri nuk u paraqit në seancën e fundit para Flamurtarit dhe as nuk udhë- toi drejt Vlorës. Ishte vetë presidenti Gjici që shkoi atë pasdite në stërvitje dhe foli me lojtarët, madje insistoi dhe negocioi me Klodian Duron për ta qetësuar. Skuadra në Vlorë u drejtua nga drejtori teknik Hasan Lika dhe për fatin e mirë fundi u shoqërua me një trepikësh dhe "paqe".
Skuadra pas fitores darkoi në një prej restoranteve në aksin Kavajë-Durrës dhe tavolinës iu bashkua dhe trajneri Duro, i cili ka qenë i shoqëruar nga mesfushori Edon Hasani. "Pajtim" që u shoqërua edhe me një "selfie".
Mbledhja
Por te Kukësi dje është zhvilluar një mbledhje, ku ka qenë prezent drejtori i përgjithshëm Spahia, trajneri Duro, drejtori teknik Lika dhe pjesëtarët e tjerë të stafit. Gazeta zbardh fjalimin e numrit një të klubit, i cili mësohet se ka thënë:
"Më vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu, pasi në klub të gjithë jemi të barabartë dhe punojmë fort, sikurse në një familje. Kërkoj nga ju që të jemi harmonikë me njëritjetrin dhe t'i lëmë mënjanë meritat, pasi s'kemi çfarë ndajmë. Jemi për një qëllim të përbashkët, duam të arrijmë me patjetër objektivat dhe ta ngremë sa më lart emrin e Kukësit. Sa për atë që ka ndodhur, nuk dua të flas më, dua që të harrohet. Jam i kënaqur për fitoren me Flamurtarin, tani të gjithë bashkë të përqendruar për takimin e radhës. Tashmë duhet të mendojmë për Vllazninë, pasi trepikëshi është e vetmja rrugë".
Sqarimi
Kjo mbledhje solli sqarimin mes Duros me Spahinë dhe pasi konsumuan një kafe, gjithç- ka u fokusua te seanca e parë stërvitore para Vllaznisë. Përgatitjet nisën nga Kodrat e Liqenit për lojtarët që nuk luajtën në ndeshjen me Flamurtarin, ndërsa ata që u aktivizuan kryen fitnes në palestër. Më pas skuadra drekoi bashkë, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se çdo gjë është sheshuar dhe të gjithë aktorët në klub janë të bashkuar për të vijuar me fitoret, këtë radhë ndaj shkodranëve në "Zeqir Ymeri".
Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi