Bekim Balaj largohet nga Rijeka dhe firmos në Rusi me klubin e Terek Groznit. Lajmi u konfirmua dje në orët e vona të mbrëmjes nga vetë futbollisti shkodran. "Nga ky moment jam lojtar i Terek Groznit. Falënderoj menaxherin Shkumbin Qorrmemeti për mundësinë që më krijoji", - shkruante Balaj në profilin e tij në rrjetin social "Facebook". Sulmuesi i Kombëtares ka nënshkruar një kontratë 2- vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon.
Marrëveshja është finalizuar në ambjentet e hotel "L'Agapa", në rezidencën e Kombëtares në Francë. Pas insistimit të drejtuesve të klubit, Balaj u bind të firmoste për Terekun. Ky ekip militon në Superligën ruse, por përfaqë- son kryeqyetin e Republikës së Çeçenisë, Grozni. Kampionatin e fundit Tereku e mbylli në vendin e 7-të.
Për herë të parë te Terek Grozni ka luajtur një tjetër futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për ish-portierin e Kombëtares, Ilion Lika, i cili u aktivizua në sezonin 2008-2009. Terek Grozni lufton për një vend në Kupat e Europës në kampionatin rus dhe bëhet fjalë për një skuadër të mirëinvestuar. Trajner është Rashid Rakimov nga Taxhikistani, ndërsa në përbërje të skuadrës, krahas lojtarëve venës, ka edhe kamerunas, armenë, brazilianë dhe ukrainas.
Shifrat
Për të mundësuar këtë transferim, burime ekskluzive të "Panorama Sport" pranë sulmuesit shkodran, treguan dje se klubi çeçen ka derdhur në arkën e kroatëve të Rijekës një shumë prej 550 mijë eurosh për të blerë kartonin. Nga ana tjetër, sulmuesi do të përfitoj në total 800 mijë euro për dy sezone. Në kontratën e 25-vjeçarit mësohet se janë të përfshirë edhe shumë bonuse, qoftë për golat gjatë sezonit, por objektivat e klubit, si dhe detaje të tjera ekstra, që lidhen me apartamentin dhe automjetin që do të ketë në dispozicion.
Në total i gjithë transferimi ka shkuar 1.35 milionë euro. Balaj do të gjej në kampionatin rus mesfushorin kosovar, Bernard Berisha, që është pjesë e Anzhit. Sulmuesi lë pas një aventurë pozitive 2-vjeçere te Rijeka në Kroaci, por me sezonin e fundit jo në nivelin e pritshëm.