Zbardhen dhe telefonatat e pas vrasjeve në Selitë. Personi i parë i njoftuar nga Flamur Ymeri për vrasjen e dy të rinjve në Selitë një javë më parë ka tentuar të njoftonte menjëherë Policinë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Punonjësi i Policisë në komisariatin 2, që ai ka marrë në telefon, nuk është përgjigjur, pasi e kishte lënë celularin në makinë. Gjithçka ka ndodhur pasi pronari i vilës 2-katëshe në Selitë telefonoi një të njohurin e tij dhe i kërkoi që të njoftonte Policinë. Në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Flamur Ymerit, thuhet se policia gjyqësore ka pyetur me deklarim 11 persona, të cilët shpjeguan si dëshmitarë afër vendit të ngjarjes, shkruan ‘Panorama”. Po kështu, nga këqyrja e telefonit celular rezulton se shtetasi Flamur Ymeri në orën 08:26 ka dërguar një SMS te numri i telefonit të regjistruar me emrin B… me tekst “Jam Flamur Ymeri, po më vrasin në shtëpi te centrali”, dhe në orën 08:28 i ka dërguar përsëri mesazh këtij numri me tekst “lajmëro shpejt B….”.
Dokumenti i Prokurorisë vëren se nga ana e policisë gjyqësore u thirr shtetasi M.S, i cili ishte personi që mbante numrin e telefonit me shkrimin B. Ky person u pyet me deklarim dhe sqaroi se rreth orës 09:00, më 17 Dhjetor 2014, e ka marrë në telefon shtetasi Flamur Ymeri dhe i ka thënë se “kam vrarë dy shtetas dhe të kam dërguar mesazh”. Dëshmitari ka thënë se nuk e kishte besuar dhe e kishte marrë përsëri dhe e kishte pyetur dhe Flamuri përsëri ia kishin konfirmuar. Më pas, dëshmitari kishte lexuar SMS-në që i kishin ardhur nga numri i Flamurit.
Pikërisht pas kësaj momenti që përshkruhet në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë ndaj Flamur Ymerit, ka ndodhur edhe telefonata. Personi që kishte marrë mesazhin nga pronari i vilës 2-katëshe, duke qenë se kishte në celular numrin e një oficeri të Komisariatit numër 2, i ka telefonuar menjëherë atij. Pas kësaj tentative, polici i Komisariatit 2 nuk është përgjigjur në telefon dhe, sic ka rezultuar më pas, ai e kishte lënë celularin në makinë. Derisa ai është kthyer dhe ka parë thirrjen në telefon, Flamur Ymeri mësohet se ka telefonuar avokatin e tij dhe i ka treguar për krimin. Mbrojtësi ligjor i 45-vjecarit Ymeri ka njoftuar më pas Policinë. Sipas hetimit, ka qenë avokati që lajmëroi Policinë në numrin 129 dhe grupi i hetimit mbërriti në vendin e ngjarjes para se oficeri i Komisariatit nr 2 të merrte dijeni për atë që kishte ndodhur. Ervin Shaba, 26 vjec dhe Adnan Luli, 22 vjec, janë qëlluar disa herë me armë zjarri brenda në banesën e Flamur Ymerit në Selitë.