Hasan Lika ka qëndruar për 90 minuta në këmbë në sfidën e djeshme. Trajneri i Kukësit e ka përjetuar maksimalisht përballjen duke dhënë udhëzime për të tijtë në çdo moment.
Fillimisht ekipi ishte rreshtuar në mbrojtje, por pas pësimit të golit tekniku jepte udhëzime që ekipi të zhvendosej përpara.
Kamerat e kanë fokusuar disa herë Likën gjatë takimit, i cili lëvizte në varësi të ekipit në fushë. Në shumë momente, urdhrat e tij për lojtarët në fushë dëgjoheshin shumë mirë në televizion.
Fakti që kishte shumë pak tifozë në një stadium gjigant, bënte që të dëgjoheshin thuajse të gjitha udhëzimet e teknikut për lojtarët.
Lika është kapur më shumë me Latifin dhe Fukuin, në një kohë që në momentin e goditjes së dënimit në hyrje të zonës ishte pikërisht tekniku që vendosi të ekzekutohej nga Latifi.
Udhëzimet Gjithçka nis që në minutat e para me Likën që hyn në lojë së bashku me të besuarit e tij. Ai u bën me shenjë dhe u flet lojtarëve që të avancojnë përpara, pasi pësojnë gol.
Në pjesën e dytë, tonet e teknikut të skuadrës kuksiane janë më të ngritura. Në momentin që skuadra fitoi një goditje dënimi në hyrje të zonës, Lika ishte ai që vendosi që atë ta godiste mesfushori kosovar.
"Latifi, Latifi, ta godasë ai", ishte klithma e teknikut nga stoli. Por, mesfushori bëri një goditje të dobët. Gjatë minutave në vazhdim, Lika u fliste thuajse gjatë të gjithë kohës Latifit dhe Fukuit duke u dhënë udhëzime. "Bëni kujdes nga krahët!", ishte fraza e teknikut për dy lojtarët.
Tekniku ishte i vëmendshëm në çdo moment dhe i udhëzonte të tijtë të rreshtoheshin kur ishin të pavendosur. Dhe, në momentin kur Lilaj tentoi me një goditje krejtësisht për t'u harruar, zhgënjimi i Likës ishte i menjëhershëm: "O Lile, po pas o burr!".