Skënderbeu vijon punën në Austri në ditët e fundit të fazës përgatitore duke u munduar që të jetë sa më në formë për vijimin e sezonit.
Përveç seancave stërvitore dhe ndeshjeve miqësore, bardhekuqtë dje i janë nënshtruar gjatë paradites një analize të plotë të zhvilluar nga trajneri Andrea Agostineli.
Në analizën para ekipit, italiani u ka bërë me dije të tijve se deri në këto momente është i kënaqur nga kjo fazë përgatitore, pavarësisht se koha ka qenë e shkurtër në dispozicion.
Ai ka kërkuar impenjim maksimal të ekipit në ditët e mbetura të fazës për të qenë sa më në formë në fund të qëndrimit të tyre në Tirol të Austrisë.
Agostineli
"Jam mjaft i kënaqur nga impenjimi juaj në çdo seancë stërvitore që kemi zhvilluar këtu në fazën përgatitore. Pavarësisht se koha ka qenë shumë e shkurtër në dispozicion, më vjen mirë që falë impenjimit tuaj kemi arritur të ecim përpara me përgatitjet.
Kjo periudhë do të jetë shumë e rëndësishme për ne si për formën që do të tregojmë në Europë, por edhe për vijimin e të gjithë sezonit deri në fund të vitit.
Në ditët e mbetura kërkoj që të ndjekim me kujdes çdo moment të stërvitjeve që do të zhvillojmë për të përfituar sa më shumë dhe për të shmangur problemet e mundshme fizike", e nisi analizën e tij Andrea Agostineli që më pas u ndal edhe në paraqitjet e ekipit në fushë në dy miqësoret e luajtura deri në këto moment.
Trajneri në këtë pjesë të analizës nuk ka pasur vetëm elozhe dhe vlerësime për të tijtë, por edhe kritika dhe kërkesë më të lartë të llogarisë.
Ai u ka bërë me dije lojtarëve se duhet të jenë më shpejt në kohë për të luftuar për topin e parë dhe ka theksuar gjithashtu se kujdesi në prapavijë duhet të vijë edhe nga lojtarët e krahut.
"Dy miqësoret që kemi zhvilluar deri në këto momente kanë dhënë mjaft përgjigje të mira, pozitive për ne. Forma e disa lojtarëve që ka ardhur duke u ngritur ndjeshëm dhe përshtatja e mirë e afrimeve të reja si edhe paraqitja e elementëve të rinj janë gjëra shumë pozitive.
Por më duhet t'ju them se ka pasur disa fraksione loje që kemi shënuar ulje të tempit dhe kjo më shqetëson.
Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë në një ekip kampion. Ndoshta është e justifikuar nga përgatitjet e pakta, por duhet ta shmangni në takimet e tjera që do të luajmë.
Një moment i vetëm shpërqendrimi mund të na ndëshkojë dhe kjo ulje e tempit të lojës suaj më shqetëson. Nga ana tjetër, dua që t'ju jap edhe një udhëzim për fazën defensive.
Një ekip i madh bëhet i tillë vetëm kur mbron në bllok. Nuk duhet të kërkojmë përgjegjësinë vetëm te mbrojtja, pasi të gjithë përfshi edhe mesfushën duhet të impenjoheni për të dubluar lojtarët kundërshtarë. Në disa momente kam parë neglizhim nga lojtarët e krahut në mbulimin e zonës.
Nuk dua që të ndodhë më", u ka thënë Agostineli të tijve në analizën e zhvilluar ditën e djeshme në Tirol të Austrisë para seancës stërvitore të radhës. Korçarët ndodhen prej disa ditësh në Austri ku po zhvillojnë fazën përgatitore.
Megjithatë, Skënderbeut do t'i duhet që fillimisht të presë vendimin e KAS-it nëse do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve apo jo.
LLAZI SARO