Kur kanë kaluar 15 ditë nga vrasja e bankierit Artan Santo, policia dhe prokuroria ende nuk kanë një pistë të fortë që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Dyshimet kryesore të prokurorisë bien mbi kushërinjtë Gazmir dhe Klodian Gjozi, të cilët janë në qeli prej 14 ditësh. Ndaj tyre, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditë, edhe pse prokuroria kërkoi të shpallej i paligjshëm ndalimi që është kryer me iniciativë nga ana e policisë. Gazeta “Mapo” zbardh dosjen e prokurorisë për kushërinjtë Gjozi, të cilët do të përballen sërish me gjykatën për të fituar lirinë. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Tiranës rezulton se në duart e kushërinjve të arrestuar si të dyshuar për vrasjen kanë rezultuar gjurmë baruti, fakt ky i konfirmuar nga akt-ekspertimi me numër 6948 datë 27.06.2014. Të arrestuarit kanë deklaruar se nuk kanë qëlluar asnjëherë me armë zjarri, por policia dyshon edhe se motori i tyre është i ngjashëm me atë të vrasësve. Nga ana tjetër, kundër kësaj piste janë dëshmitarët e kushërinjve Gjozi, të cilët pohojnë se ata kanë qenë në fshat në momentin e krimit. Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe dy të ndaluarit, të cilët kanë deklaruar se kanë qenë duke punuar tokën kur janë njoftuar nga inspektori i zonës se duhet të paraqiteshin në polici. Të dyshuarit janë ndaluar teksa lëviznin me një automjet tip “Benz ML”, ndërsa motori në pronësi të shtetasit Klodian Gjozi është gjetur në një servis në afërsi të Rinasit.
Ngjarja sipas prokurorisë
Mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe materialeve të ardhura nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, më datë 26.062014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar hetimet paraprake për veprat penale të parashikuara nga neni 78-25 (vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim) dhe 278/2/5 (Mbajtje pa leje e armëve luftarake). Nga hetimet e para ka rezultuar se më datë 26.06.2014, rreth orës 09:30, policia është njoftuar nga salla operative se në vendin e quajtur ish-Blloku, pikërisht në kryqëzimin e rrugëve “Ismail Qemali” dhe “Ibrahim Rugova”, pranë bankës “Credins” është qëlluar me armë zjarri dhe ka gjetur vdekjen shtetasi Artan Santo. Ky shtetas ishte aksioneri kryesor dhe drejtor ekzekutiv i bankës “Credins” si dhe aksioner kryesor në disa sipërmarrje të tjera. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të gjetura dhe pamjeve filmike, provohet se Artan Santo është qëlluar në momentin që po zbriste nga mjeti i tij, nga dy persona me motoçikletë. Janë sekuestruar pamjet filmike të disa bizneseve që ndodhen në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe rrugët interurbane të segmentit “Tiranë-Rinas-Thumanë”, nga ku është konstatuar se autorët janë larguar në drejtim të rrethit të Kurbinit. Nga këqyrjet paraprake dhe informacionet e marra ka rezultuar se motoçikleta e përdorur nga autorët e ngjarjes mund të jetë e markës “Suzuki” model V-Strom 650 CC, prodhim i viteve 2002-2004. Gjithashtu, nga informacionet paraprake ka rezultuar se motori është shkëputur nga ndjekja e policisë pranë fshatit Ishëm dhe fshatit Bubq. Gjatë kontrollit të kësaj zone janë siguruar të dhëna se shtetasi Klodian Gjozi ka një motoçikletë “Suzuki V-Strom” ngjyrë e zezë. Ky shtetas është ndaluar duke lëvizur me kushëririn e tij Gazmir Gjozi, me automjetin tip “Mercedes ML”. Këta dy shtetas janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi në rrugë operative ka patur të dhëna se mund të jenë autorët e ngjarjes. Motoçikleta në pronësi të shtetasit Klodian Gjozi është gjetur te servis “Liu” në fshatin Rinas. Policia ka ushtruar kontroll në banesat e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar një qese me 13 fishekë armë gjahu, 17 fishekë automatiku, 13 fishekë model 7.62 mm dhe 7 copë fishekë manovre. Në këto kushte, më datë 27 qershor 2014, në orën 22:50 minuta, policia ka kryer ndalimin me iniciativë të dy kushërinjve Klodian dhe Gazmir Gjozi.
Dëshmia e të arrestuarve
Dy të ndaluarit janë pyetur nga policia mbi vendndodhjen e tyre përgjatë mëngjesit dhe paradites së 26 qershorit, por ata kanë deklaruar se kanë qenë duke punuar tokën në fshatin Limmetaj derisa janë shoqëruar nga policia. Gjatë seancës së pyetjes, i arrestuari është pyetur nëse ka qëlluar me çifte, armë zjarri apo nëse ka kryer saldime apo veprime të tjera të kësaj natyre. I ndaluari ka deklaruar në polici se nuk ka qëlluar kurrë me armë zjarri dhe as me çifte. Të njëjtin fakt ka pohuar përpara oficerëve të policisë edhe shtetasi Gazmir Gjozi. “Kemi qenë duke punuar tokën, deri kur ka ardhur policia e zonës dhe u ka thënë se do të paraqiteshin në polici bashkë me Klodianin për të dhënë shpjegime. Kemi hipur në makinën time dhe jemi nisur për në shtëpi për t’u ndërruar. Gjatë rrugës na ndaloi policia dhe na shoqëroi”, thotë në dëshminë e tij shtetasi Gazmir Gjozi. Edhe ai, njëlloj si kushëriri deklaron se nuk ka qëlluar kurrë me armë zjarri apo çifte.
Baruti në duar
Sipas dosjes së prokurorisë rezulton se dy të ndaluarve u janë marrë mbetjet e duarve dhe është vendosur kryerja e ekspertimit kimik për evidentimin ose jo të faktorëve plotësues të qitjes. Sipas këtij testi rezulton se në dorën e djathtë të të ndaluarve janë evidentuar gjurmë baruti, të cilat sipas akt-ekspertimit vijnë nga kapsollat e armëve të zjarrit. “Nga akti i Ekspertimit Kimik nr. 6948 datë 27.06.2014 është konkluduar se: Në dy shiritat ngjitës (gjurmëkopjues transparent) të etiketuar për secilën dorë të shtetasit Klodian Gjozi, u evidentua prania e nitriteve dhe nitrateve, të cilat janë të pranishme dhe tek mbetje të qitjes me armë zjarri me prejardhje nga barutet”, thuhet në pjesën e parë të akt-ekspertimit kimik. Më pas, referuar po të njëjtit akt rezulton se në tamponin për marrjen e faktorëve plotësues të qitjes për ekzaminim fizik, të etiketuar për dorën e djathtë të shtetasit Klodian Gjozi u evidentuan dy mikrogrimca unike. “Këto mikrogrimca përmbajnë tri elemente kimike: Antimon Barium dhe plumb, me prejardhje nga kapsollat e armëve të zjarrit. Gjithashtu, janë konstatuar edhe dy grimca indicative me përmbajtje të dy elementeve kimik Antimon dhe Barium që janë tregues që duhet të jenë me prejardhje nga kapsollat e armëve të zjarrit. Në tamponin e dorës së majtë nuk u evidentuan të tilla”, thuhet në akt-ekspertimin kimik për gjetjen e faktorëve plotësues të qitjes në duart e shtetasit Klodian Gjozi.
Nëntë dëshmi kundër: Në orën e vrasjes ishin në fshat
Grupi i hetimit ka marrë në pyetje 9 banorë të fshatit, të cilët deklarojnë se dy të rinjtë kanë qenë duke punuar në kohën e vrasjes
Për të verifikuar alibinë e të dyshuarve se ditën e ngjarjes kanë qenë duke punuar tokën në fshat, policia ka pyetur disa persona, banorë të fshatit, të cilët kanë konfirmuar praninë e dy të arrestuarve në fshatin e tyre. Të afërm të të ndaluarve por edhe banorë të tjerë të fshatit i kanë thënë policisë se Klodian dhe Gazmir Gjozi, më datë 26.06.2014 kanë qenë në fshat nga mëngjesi deri në mbërritjen e policisë. Sipas dosjes së prokurorisë, janë të paktën 9 dëshmitarë qe e konfirmojnë një fakt të tillë, të cilët kanë deklaruar për llogari të hetimit se dy të dyshuarit kanë ndihmuar banorët e tjerë të fshatit për ndërtimin e një ujësjellësi. Ata kanë thënë se puna për ndërtimin e tij ka nisur mëngjesin e datës 26 qershor dhe dy kushërinjtë kanë kryer transport materialesh, si dhe kanë ndihmuar punonjësit që kryenin punimet. Por ky version, sipas prokurorisë pritet të konfirmohet ose të rrëzohet nga të dhënat e kompanive celulare për vendndodhjen e telefonave që kanë përdorur dy të dyshuarit. Kjo është edhe një nga detyrat që gjykata i ka lënë prokurorisë, e cila duhet të plotësohet brenda afatit 15-ditor, kohë gjatë së cilës kushërinjtë Gjozi mbahen në paraburgim si të dyshuar për vrasje. Ky afat përfundon pas dy ditësh, kohë kur do të zhvillohet seanca e radhës ndaj shtetasve Klodian dhe Gazmir Gjozi. Mbrojtja e tyre ka siguruar pamjet filmike të një servisi, të cilat tregojnë se rreth orës 9:30 të mëngjesit të datës 26 qershor, dy kushërinjtë kanë qenë në një servis bashkë me motorin, që sipas policisë është i ngjashëm në model me atë që kanë përdorur dy autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo. Krahas hetimeve për zbulimin e autorëve të krimit, prokuroria në bashkëpunim me policinë po hetojnë edhe për motivet e ngjarjes së rëndë.