Zbardhet ekspertiza shkaqet qe i moren jeten Sokol Olldashit

Zbardhet ekspertiza, shkaqet qe i moren jeten Sokol Olldashit

Ditën e sotme është zbardhur ekspertiza mjeko-ligjore, e cila ka shpjeguar shkaqet e vdekjes së deputetit demokrat Sokol Olldashi. Sipas ekspertizës thuhet se nuk është konstatuar përdorim i lëndëve të huaja dhe se goditja vdekjeprurëse ka ardhur nga kolona e makinës. Gjithashtu theksohet se shkak i vdekjes ka qenë shoku traumatiko-hemorragjik, ndërsa sqarohet se ky lloj shoku ndodh shpesh gjatë aksidenteve rrugore si pasojë e përplasjes. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore iu dorëzua Prokurorisë, ndërsa mësohet se ekspertiza është kryer nga dy mjekë ligjorë, veprimet e të cilëve janë filmuar. Sokol Olldashi humbi jetën mbrëmjen e datës 20 nëntor 2013 pranë Krrabës, për shkak të daljes nga rruga të mjetit me të cilën i ndjeri udhëtonte.

Ekspertët autoteknikë dhe ata rrugorë, të cilët hetuan për shkaqet e aksidentit tragjik të mbrëmjes së 20 nëntorit 2013 në Qafë-Krrabë, në vendin Lapidari, bënë të ditur se pakujdesia i mori jetën deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme përmes këshilltarit për median, Albi Serani, bëri publike rezultatet e ekspertizës autoteknike, ku renditen shkaqet dhe rrethanat që ndikuan në aksidentin e rëndë, që i mori jetën ligjvënësit demokrat në moshën 41-vjeçare, teksa udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës me makinën e tij tip “Benz” me targa AA 003 NH. Sipas ekspertëve, mungesa e sinjalistikës, fakti që deputeti nuk kishte vënë rripin e sigurimit, errësira, moti me shi, fushëpamja e kufizuar dhe mosvënia e barrierave të sigurisë janë të tjera shkaqet që sollën vdekjen e babait të dy fëmijëve.

Raporti përfundimtar, i hartuar nga një grup ekspertësh të kërkuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë konstaton se shkaqet kryesore që kanë sjellë aksidentin janë:

- Shpejtësia e automjetit (neni 139 i Kodit Rrugor)

Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Sipas ekspertizës, në bazë të nenin 139 të Kodit Rrugor, më specifikisht, në paragrafin 3 të tij, thuhet se: “Veçanërisht, drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa... në pjerrësi të forta, ... në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ......”. Në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h.

- Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore (neni 144 i Kodit Rrugor)

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale.

- Përdorimi i rripit të sigurimit (neni 170 i Kodit Rrugor)

Nga këqyrja në vendngjarje dhe nga ekspertiza ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit.

Raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës. Sipas materialit zyrtar, dorëzuar ditën e sotme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstatohet se: “Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim”. Lidhur me këtë çështje, grupi i ekspertëve prezanton edhe një këndvështrim teorik, sipas të cilës: “Një barrierë garanton të gjitha performancat, që janë mbajtja e mjeteve të rënda, zbutja e efektit të përplasjes për personat, mjetet e lehta dhe ridrejtim të kontrolluar të mjetit pas përplasjes–duhet gjithashtu të sigurojë një veprim efikas kundërshtues për përmbysjen e mundshme të mjeteve që kanë bariqendrën e lartë (situatë që mund të jetë po aq e rrezikshme aq sa edhe mungesa e mbajtëseve) dhe mundësisht duhet të karakterizohet për të pasur hapësira të limituara pune (gjerësi operative, deformim edhe devijim)”.

Lidhur me rastin konkret, ekspertët autoteknikë shprehin mendimin se “...konstatojmë edhe shkeljen e kërkesave të nenit 14 të Kodit Rrugor nga enti pronar i rrugës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama