Zbardhet kercenimiBosi i mafias ballkanase shantazhon Edi Ramen

Zbardhet kercenimi:Bosi i mafias ballkanase shantazhon Edi Ramen
Arsyet e vizitës së beftë të Edi Ramës në zyrën e Bamir Topit janë sqaruar dje publikisht nga deputeti Erjon Braçe. Sipas deputetit të PS bëhet e ditur se në adresë të tij dhe liderit të opozitës ka ardhur një letër që ka dhe një CD ku akuzohej për vrasje dhe trafik droge ai vetë dhe kreu i PS-së, Edi Rama. Sipas Braçes, në CD paraqiteshin “prova të rreme” të cilat kishin si qëllim të pengonin opozitën në nismën e saj kundër korrupsionit.

Shantazhi ndaj opozitës

Në adresën postare të Erjon Braçes ka shkuar një letër e cila ka pasur një shënim ku thuhet se Braçe dhe Edi Rama kanë lidhe me dy vrasje dhe trafiqe të drogës. Deputeti socialist ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin e këtij “shantazhi” në bashkëpunim me personin e shumëkërkuar nga Maqedonia, Daut Kadrioski. “Berisha në cilësinë e kryeministrit është angazhuar drejtpërdrejt në relativizmin e kësaj fushate historike transparence dhe në ndërprerjen e saj duke sulmuar, atakuar e shpifur. Ai ka njehsuar struktura të veçanta të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kundër përfaqësuesve të opozitës.

“Të hënën pas një mbledhjeje pune personeli më ka rënë në dorë një zarf i dorëzuar nga posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda saj është një CD nga ana e pasme shkruhet: ‘Ke 24 orë kohë, ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë’, dhe në fund ka emrin e shtetasit nga Maqedonia Daut Kadrioski. Në përmbajtje të kësaj CD-je flitet për mua dhe kreun e PS-së Edi Rama që nga personi i kërkuar nga më shumë se 13 shtete, akuzohemi se jemi përfshirë në përdorim dhe trafik droge dhe në vrasjen e dy shtetasve, njërin në Tiranë dhe tjetri që është hedhur nga kati i dytë në një ndërtesë në Maqedoni. Në këto akuza përfshihen edhe krerë të tjerë të politikës si Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi”, është shprehur Braçe.

Akuzat ndaj Berishës

Braçe për këtë situatë ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Berisha duke bërë një lidhje me një fjalim të kryeministrit në 25 nëntor të këtij viti ku ka përmendur emrin e Kadrioskit.

“Të njohur me këto fakte gjykuam se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike, në një fazë të re ku Berisha po përdor dhe zëvendëson krimin e organizuar jo për akuza banale, por akuza të rreme penale në vend dhe rajon. Kjo do të thotë se Berisha po prek fundin dhe po bëhet i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon aktet korrrputive të tij”, tha Braçe. “Pas këtyre kontakteve do të bëjmë kallëzim penal për të gjithë këtë histori që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të politikës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i kësaj është që opozita të ndërpresë fushatën kundër korrupsionit. Berisha është në dijeni të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e tij”, tha Braçe. “Shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve që refuzojnë t’i nënshtrohen këtyre praktikave kriminale dhe mafioze dhe që garantojnë çdo shqiptar se fushata jonë e transparencës nuk do të ndalet. Ne nuk jepemi dhe do ta çojmë deri në fund këtë fushatë”, përfundoi Braçe.

Kush është bosi i mafias ballkanase, Daut Kadriovski

Daut Kadriovski ka lindur në vitin 1948 në Shkup. Kadriovski është shqiptari më i përfolur nga të gjitha agjencitë e zbulimit në botë, si trafikant droge. Shumë prej miqve të tij janë arrestuar në Evropë në vitet ‘80, gjatë transportimit të drogës, e cila dyshohej të ishte e porositur prej tij. Në 1984-ën dhe 1985-ën, ai ndalohet dy herë me radhë dhe futet në burg, në fillim në Turqi dhe më pas në Gjermani, nga ku del nga burgu vetëm në fillim të viteve ‘90, për t’u rikthyer në zonat që kontrolloheshin nga miqtë e tij, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni, që në atë kohë ishin ende në ish-Jugosllavi.

Në shumë prej raporteve të trafikut të drogës, hasej emri i Kadriovskit, ndërkohë që ai do të arrestohej në një nga shtetet që nuk e priste. Në vitin 2000, ai ndalohet në Durrës, ndërkohë që për të kishte një mori fletëarrestesh, të prera nga shtete të ndryshme.Në Shqipëri, Kadriovski mundi t’i shpëtojë burgut, pasi drejtësia shqiptare nuk mundi t’i provojë dot atij asnjë prej akuzave gjatë kohës që ai ishte në paraburgim. Në 2002-shin, edhe pse kishte kërkesa nga një numër i madh shtetesh për ekstradim, ai u transferua për në Maqedoni, gjatë një marrëveshjeje midis dy vendeve, për vuajtje dënimi në shtetet respektive.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama