Pas kthimit nga Austria, ku u zhvilluan 12 ditë fazë përgatitore dhe pas marrjes së lajmit të keq nga KAS-i që ka lënë në fuqi vendimin e UEFA-s për përjashtimin e Skënderbeut nga Liga e Kampioneve, ekipi është rikthyer në Durrës, në rezidencën e përhershme në "Tropikal Resort".
Pikërisht, në ambientet e resortit, bardhekuqtë kanë zhvilluar edhe një mbledhje ku kanë marrë pjesë të gjithë, nga presidenti Ardian Takaj, stafi teknik e deri te lojtarët më të fundit.
Mbledhja është kërkuar vetë nga presidenti i Skënderbeut, i cili synonte që të sqaronte situatën në të cilën ndodhet klubi. Gjithashtu, ai u ka bërë të ditur lojtarëve edhe programin e ri që do të ndjekë ekipi në bashkëpunim me trajnerin italian Andrea Agostineli.
Një mbledhje e tillë ka pasur si qëllim që t'i mbajë të karikuar lojtarët, duke shmangur demoralizimin dhe ngarkesën psikologjike të ekipit në prag të sezonit të ri dhe nisjes së kampionatit.
Për këtë, sipas asaj që bëjnë me dije burimet e gazetës pranë klubit bardhekuq, presidenti Takaj u është drejtuar të tijve me sigurinë se nuk është fundi i botës për gjithçka ka ndodhur.
Një fjalim emocionues që ka pasur si qëllim, të ngrejë moralin e futbollistëve pas "lotëve" të lajmit që mbërriti nga KAS-i. Numri një i klubit ka theksuar se ekipi do të jetë akoma edhe më i fortë duke dominuar për shumë vite kampionatin.
Fjalimi
I qetë dhe me fjali që i shqipton me ngadalësi, Takaj ka bërë gjithçka që lojtarët të mos demoralizohen dhe të rikthehen më të fortë se kurrë në kampionatin e ardhshëm. "E di se të gjithë, duke filluar nga unë e deri te ju, na ka mërzitur vendimi i KAS-it pasi nuk kemi arritur të fitojmë dot të drejtën.
Nuk ia kemi dalë të faktojmë pafajësinë dhe vërtetësinë e rezultateve që së bashku, duke djersitur në fushë ju i keni arritur me meritë të plotë. Normalisht, një vendim i tillë sjell ngarkesë të madhe psikologjike, mbi të gjitha te ju.
Prandaj, jam sot këtu për t'iu dhënë forcë dhe kurajë që së bashku do t'ia dalim të jemi sërish ai ekipi që të gjithë druheshin kur e kishin përpara. Prandaj, duhet që të qetësohemi.
Nuk ka ndodhur fundi i botës. Normalisht, e di gjithkush që do të ishte mirë që të merrnim pjesë në Europë, pasi e kemi merituar plotësisht, por ky është vendimi dhe duhet respektuar.
Prandaj, ju ftoj që ta marrim me qetësi dhe të jemi të përqendruar psikologjikisht, pasi kemi shumë rrugë për të bërë së bashku", deklaroi fillimisht Takaj në fjalën e tij përpara lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit. "Ne ishim ata që bëmë histori dhe kapëm grupet e Ligës së Europës.
Do të jemi po ne që brenda një kohe të shkurtër do të arrijmë në grupet e Ligës së Kampioneve, pasi ky ekip ka ambicie. Unë jam i bindur për këtë, pasi shoh në sytë tuaj etjen për fitore dhe suksese.
Të jeni të bindur se do të rikthehemi akoma edhe më të fortë në kampionatin që po afron", e mbylli fjalimin e tij përpara ekipit presidenti i kampionëve të Shqipërisë, Ardjan Takaj.
Situata
Deri përpara vendimit të KAS-it, besimi te korçarët se do të fitonin pafajësinë dhe do të arrinin të merrnin pjesë në Ligën e Kampioneve, ishte shumë i madh.
Por, pas vendimit përfundimtar, në kampin korçar është krijuar një atmosferë e zymtë. Skuadra zhvilloi edhe një fazë përgatitore në Austri për të qenë gati për ndeshjet ndaj Ferencvaroshit në Ligën e Kampioneve.
Por, tashmë gjithçka ka marrë fund dhe ekipit do t'i duhet të presë fillimin e kampionatit të ardhshëm. Për herë të parë, gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, bardhekuqtë nuk do të kenë mundësinë të marrin pjesë në Champions.
Aktualisht, lojtarët janë lënë pushim deri më 31 korrik ku do të grumbullohen sërish për të nisur një fazë intensive përgatitore përpara fillimit të kampionatit më 7 shtator.
Korçarët do të mbahen mend gjatë, pasi sezonin e kaluar arritën të bëheshin pjesë e grupeve të Ligës së Europës duke hyrë në histori.
LLAZI SARO