Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Evarist Pashën njëri prej personave të përfshirë në videoskandalin në QSUT-së. Ndërkaq për dy të akuzuarit Albi Boçaj dhe Patrik Kaço, të arrestuar gjithashtu nga policia, gjykata vendosi t’i lirojë ata, duke vendosur masën e sigurisë me detyrim me paraqitje. Ndërkaq për dy personat e shpallur në kërkim, Andi Bushaj 19-vjeç si dhe Dejvi Lame 18 vjeç, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Të pestë personat janë të dyshuar si të përfshirë në skandalin e videos së regjistruar në urgjencën e QSUT-së, ku shfaqet një vajzë në gjendje shoku e shtrirë në shtrat, ndërsa të akuzuarit prekin vajzën në vendet intime. Në videon e regjistruar në Prill 2014 në spitalin publik të Tiranës, dallohet që i dyshuari Pasha dhe dy persona të tjerë, të shpallur në kërkim, prekin një vajze të re, e cila ishte në një situatë humbje vetëdijeje, pas konsumimit të një sasie të madhe alkooli. 25-vjeçari Evarist Pasha, nga Tepelena, student i infermierisë, ka qenë i punësuar si sekser i një agjencie funeralesh në afërsi të QSUT-së, ndërsa më herët ai është dënuar për tentativë trafikimi droge e armëmbajtje pa leje. Në video një person me ngjashmëritë e tij, duket teksa bashkë me dy të tjerë, ngacmojnë vajzën e shtrirë, ndërsa qeshin me veprimet e tyre. Mbi ta rëndon akuza e “ngacmimit seksual”.
Ndërkaq dy personat e tjerë, Albi Boçaj dhe Patrik Kaço, janë shokët që e kanë shoqëruar 17-vjeçaren në urgjencë nga një lokal nate, ku kishte humbur ndjenjat për shkak të abuzimit me alkoolin. Dy të rinjtë Boçaj dhe Kaço, sipas prokurorisë akuzohen për “moskallëzim krimi” pasi kanë qenë në dijeni të ngacmimit seksual të kryer nga 3 personat e tjerë dhe nuk kanë kallëzuar këtë vepër penale. Sipas prokurorisë nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka nisur në datën 25 prill 2014, në një lokal të tek pedonalja, ku po organizohej një ditëlindje e një shoku të vajzës 17-vjeçare të dëmtuar. Vajza ka qenë e ftuar në mbrëmje dhe ka qenë aty bashkë me miqtë e saj, një ndër ta dhe personi nën hetim Patrik Kaço. Nga hetimet e prokurorisë mësohet se e dëmtuara dhe personi nën hetim Kaço kanë qenë të shoqëruar në lokal dhe me personat nën hetim Dejvi Lame dhe Andi Bushaj dhe dy vajza te tjera. Të gjithë së bashku kanë konsumuar pije alkoolike, deri sa e dëmtuara është dehur aq shumë sa ka humbur vetëdijen. Kur e dëmtuara humbi ndjenjat, personat nën hetim, Andi Bushaj dhe Dejvi Lamaj, e nisur më taksi në urgjencën e QSUTsë “Nënë Tereza”. Në spital ata kanë takuar një person që i ka ndihmuar për transportin e vajzës me barelë për në urgjencë, dhe bëhet fjalë pikërisht për personin e arrestuar,.të pandehurin Evarist Pasha.
Ky i fundit u la në burg nga gjykata gjatë ditës së djeshme. Pasi personeli i ka bërë ekzaminimin e nevojshëm, ka rezultuar se vajza kishte intoksikacion nga alkooli, ndërsa më mjekët janë larguar për të parë pacientë të tjerë. Në këtë kohë, personat nen hetim Andi Bushaj dhe Dejvi Lamaj, gjithashtu nën efektin e alkoolit, kanë qëndruar në dhomën ku ndodhej e shtrirë pa ndjenja shoqja e tyre. Gjatë kësaj kohe, ata dyshohet se kanë regjistruar një video ku shfaqeshin duke i zbuluar të dëmtuarës pjesë intime të trupit. Ndërkohë që Bushaj dhe Lamaj po bënin videon me vajzën pa ndjenja, në filmim shfaqet dhe Evarist Pasha, i cili qesh teksa i shikon veprimet e të dyshuarve. Sipas prokurorisë, Pas dy orësh djemtë që kanë bërë videon i kanë telefonuar Patrik Kaços që të shkonte në spital. Ai ka shkuar atje së bashku me shokun e tij Albi Boçajn, ndërsa më pas gjendja e vajzës është përmirësuar dhe pasi janë njoftuar mjekët, vajza është larguar vetë nga spitali. Pas ngjarjes së asaj nate, Andi Bushaj dhe Dejvi Lamaj jua kanë treguar personave të tjerë në shkollë videon e regjistruar në spital. Pas këtij veprimi, ata e kanë shpërndarë atë në rrjetin social Facebook, gjë që ka çuar dhe në procedimin penal të ngjarjes. Pas hetimeve të kryera nga prokuroria, me kërkesë të kësaj të fundit, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre protagonistët e ngjarjes, Evarist Pashën, i cili ndodhej në sallën e gjyqit gjatë komunikimit të masës së sigurisë, dhe gjithashtu për dy personat e tjerë në mungesë Andi Bushaj dhe Dejvi Lamaj. Gjithashtu masën “detyrim paraqitjeje” për dy personat e tjerë nën hetim për “mos kallëzim krimi” Albi Boçaj dhe Patrik Kaço.
Masat e sigurisë
Të akuzuarit Evarist Pasha, burg apa afat
Andi Bushaj, burg pa afat në mungesë
Dejvi Lame, burg pa afat në mungesë
Albi Boçaj, lirohet me detyrim paraqitjeje në prokurori
Patrik Kaço lirohet me detyrim paraqitjeje në prokurori
Familjarët: Djemtë janë të pafajshëm
Pas komunikimit të masës së sigurisë, familjarë dhe të afërm dolën nga salla e gjyqit të irrituar dhe mes lotësh kanë akuzuar medien për publikimin e ngjarjes duke pretenduar pafajësinë me fjalët “ata s’kanë bërë asgjë”,- thanë ata. Ndërkaq në lidhje me pretendimin e prokurorisë dhe publikimet në media, ata hodhën akuza duke pretenduar se gjithçka ishte fryrë nga mediat dhe se të afërmit e tyre nuk ishin përgjegjës për këtë situatë. Ndërkaq të afërmit e të akuzuarve, janë shprehur përpara gjykatës se djemtë janë të pafajshëm dhe se situata ndaj tyre është fryrë më tepër nga mediat se sa është në të vërtetë. Ata nuk kanë dashur më tepër të flasin mbi rastin e fëmijëve të tyre, por se kanë mohuar që të afërmit e tyre të ishin fajtorë për abuzimin me të adoleshenten në spital. Hetimi i prokurorisë nisi pas publikimit në mediat sociale të skandalit të videos në ambientet e QSUT-së, ndërsa më tej mediat publikuan më tej skandalin.