Zbardhet pas 9-muajsh vrasja e 34-vjeçarit Fatjon Tahiri. Si autor të krimit policia ka arrestuar Tatjan Gjashtën, 33 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 24 janar 2014, në afërsi të rrugës “Ali Pashë Gucia” në Tiranë dhe motivi ka qenë për shkak të konflikteve të pronësisë. Burimet policore bëjnë me dije se Familja Gjashta dhe Tahiri, ishin përfshirë në një konflikt të ashpër, për një pronë që e pretendonin të dyja palët. Situata kishte shkuar deri në kanosje e kërcënime serioze për jetën.
Më 24 janar të këtij viti, palët janë takuar me njëra-tjetrën, në rrugën e lartpërmendur. Tahiri dhe Gjashta janë konfliktuar ashpër mes tyre, duke shkëmbyer fjalë fyese. Më pas situata ka degjeneruar në përleshje fizike dhe autori i dyshuar i krimit ka përdorur sende të forta në goditjen e 34-vjeçarit. Më pas, ai është larguar nga vendi i krimit, për të humbur gjurmët. Fillimisht policia e raportoi si vdekje natyrale. Pavarësisht kësaj, familjarët kërkuan që të bëhen hetime për vdekjen e Fatjon Tahirit. Trupi u dërgua në morg dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore konstatuan shenja dhune në trupin e kufomës.
Mendohet se goditjet e rënda në pjesë të ndryshme të trupit, shkaktuan vdekjen e 34-vjeçarit. Pas marrjes në dorëzim të raportit, policia nisi hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, në dukje kriminale. Ajo shkoi në familjen Tahiri dhe mori dëshmitë e të afërmeve të viktimës. Gjatë kësaj procedure, familjarët thanë se prej kohësh kishin konflikte pronësie me familjen Gjashta. Ato kishin qenë të shpeshta dhe dyshimet e vetme i ngrinin mbi të arrestuarin e dy ditëve më parë. Tatjan Gjashta fillimisht ka menduar se policia nuk ka pasur dyshime mbi autorësinë e krimit. Ai ka vijuar i qetë jetën. Më 24 shtator të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka lëshuar ndaj tij masën e arrestit me burg për veprën penale të vrasjes me dashje, vendim të cilin policia e ekzekutoi në të njëjtën ditë. Dosja për vrasjen e Fatjon Tahirit ende nuk ka përfunduar, pasi grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të krimit.