Zbardhet strategjia e Skenderbeut Liridon Latifi drejt largimit

Zbardhet strategjia e Skënderbeut, Liridon Latifi drejt largimit

Merkatoja e Skënderbeut nuk mund të quhet e mbyllur, pasi do të ketë ende lëvizje për të forcuar akoma edhe më shumë ekipin. Mirëpo, pritshmëritë janë që të ketë edhe largime. Afrimet e fundit kanë qenë kryesisht mesfushorë krahu me tipare sulmuese. Masato Fukui, Enis Gavazaj dhe Shend Kelmendi janë futbollistë që mund të përshtaten në të dyja krahët.

latifi

Por, pse Skënderbeu ka përforcuar skuadrën me tre lojtarë në këto role, për më tepër që pjesë e ekipit janë edhe Latifi, Abazi e Nafiu, që gjithashtu luajnë si mesfushorë krahu? "Panorama Sport" zbardh strategjinë e merkatos korçare, teksa jo më kot drejtuesit janë orientuar drejt lojtarëve të krahut. Sipas të gjitha gjasave, një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës, Liridon Latifi, do të shitet këtë verë dhe largimi i tij natyrshëm do të linte një gropë nga krahët e mesfushës.

Në këto kushte, për t'i paraprirë një situate të pakëndshme, Skënderbeu ka afruar plot tre emra që shihen si zëvendësuesit idealë të Latifit. Gavazaj dhe Kelmendi janë talente të dalë nga Prishtina, ndërsa Fukui vjen pas një sezoni fantastik me Tiranën. Japonezi mund të luajë në të dyja krahët dhe afrimi i tij konsiderohet si më i rëndë- sishmi në këtë merkato.

Klub Bryzhi

Për Latifin prej kohësh vijon të interesohet vazhdimisht ekipi belg Klub Bruzhi. Skënderbeu është i interesuar ta shesë kosovarin, por në lojë mësohet se janë edhe klube të tjera. Kohët e fundit korçarëve u ka ardhur një ofertë interesante nga një klub zviceran për Latifin. Mësohet se drejtuesit po projektojnë shitjen e tij pas muajit korrik, pasi të jenë luajtur edhe ndeshjet e Ligës së Kampioneve, në mënyrë që përfitimet të jenë më të mëdha, sikundër u veprua edhe me Bernard Berishën dhe Peter Olainkën.

Një paraqitje bindëse në Champions do të rrisë vlerën e Latifit, kështu që klubi nuk do të nxitohet. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një ndryshim strategjie në momentet e fundit, por gjasat janë të vogla.

Mbrojtja

Trajneri Andrea Agostineli i ka kërkuar klubit të afrojë një mbrojtës të majtë. Normalisht me katër mbrojtësit që Skënderbeu ka në dispozicion, nuk ka garanci për gjithë sezonin. Për këtë arsye, numri një i pankinës bardhekuqe ka kërkuar me ngulm afrimin e një tjetër lojtari, në mënyrë që ky repart të jetë i dubluar në çdo pozicion. Alternativa më serioze është ajo e Gledi Micit, për të zëvendësuar në mënyrën më të mirë largimin e mbrojtësit të krahut, Renato Arapi.

Llazi Saro



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama