Klubi i Futbollit Fla murtari nuk do të jetë 100% i privatit. "Panorama Sport" zbardh mënyrën e mundshme të privatizimit të Klubit të Futbollit Flamurtari. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se do të privatizohet logoja dhe aktiviteti i klubit, por jo asetet. Këto të fundit do të jenë pjesë e bashkisë. Çka do të thotë se Bashkia e Vlorës do të jetë pronare e stadiumit, fushave dhe çdo aseti tjetër. Por, për t'u theksuar është se Bashkia e Vlorës me shumë gjasa do të ketë aksione në Klubin e Futbollit Flamurtari pas privatizimit të tij. Duke qenë se bashkia do të jetë pronare e fushës, po diskutohet si mundësi që privatit të mos i merret qiraja e fushës. Kjo e bën bashkinë automatikisht aksionere të klubit.
"Bashkia do të jetë aksionere e Klubit të Futbollit Flamurtari. Po diskutohet që privatit të mos i merret qiraja e tokës, pasi bashkia sërish do të jetë pronare e aseteve. Pritet të privatizohet vetëm logoja dhe aktiviteti i klubit. Por gjithçka pritet që të përcaktohet nga Këshilli Bashkiak", u shpreh një burim pranë bashkisë për gazetën. Sugjerimet Bazuar në Vendimin nr. 39, datë 31.07.2014 "Për disa Ndryshime në Administrimin e Shoqërisë Flamurtari Football Club sha", Bashkia Vlorë ka nisur procedurat për privatizimin e shoqërisë "Flamurtari F.C.", e cila ka si aktivitet pjesëmarrjen dhe organizimin e aktiviteteve futbollistike e sportive.
Për këtë qëllim, në kuadër të organizimit të konsultimeve publike, të gjithë të interesuarit mund të bëjnë sugjerime apo të japin mendime në lidhje me këtë nismë dhe veçanërisht me kuotat që bashkia duhet të shesë në këtë shoqëri. Mësohet se një grup specialistësh të ekonomisë dhe sporteve në Bashkinë e Vlorës, si dhe këshilltarët ekonomikë dhe të fushës sportive të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, po mbledhin sugjerimet, të cilët mund të bëhen publike në një periudhë të mëvonshme. Takimet Sot e nesër Bashkia e Vlorës dhe Këshilli Bashkiak do të nisin diskutimet publike me grupet e interesit për privatizimin e klubit.
"Në kuadër të konsultimeve publike që i paraprijnë nismës për shitjen e aksioneve të shoqërisë 'Flamurtari Futboll Klub', Këshilli i Bashkisë dhe Bashkia Vlorë organizojnë takime të hapura me publikun pranë Pallatit të Kulturës Vlorë. Takimi i parë do të zhvillohet në datën 12.05.2016, ora 11:00, ku ftohen të marrin pjesë specialistë të fushës dhe cilido prej qytetarëve apo tifozëve të interesuar për këtë çështje. Takimi i dytë do të mbahet në datë 13.05.2016 në të njëjtin vend, ora 11:00, ku ftohen të marrin pjesë sportdashës apo grupe të ndryshme të interesit, të cilët mund të shprehin mendimet e tyre për këtë çështje", thuhet në njoftimin e bashkisë. Nuk dihet ende nëse në këto konsultime publike do të marrin pjesë drejtuesit aktualë të klubit.