Zbardhet vendimi Dinamo ne pronesi te bashkise

Zbardhet vendimi, Dinamo në pronësi të bashkisë

Dinamo ndryshon pronar. Bëhet fjalë për klubin dhe ambientet sportive që ndodhen në atë që quhej ishkompleksi "Dinamo".Dinamo Vendimi është marrë disa ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, por është bërë i ditur pasi është publikuar dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare. Dhe sipas vendimit, ai ka hyrë në fuqi menjëherë sapo është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në këtë mënyrë, klubi sportiv "Dinamo" do të jetë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, në një kohë që deri tani ishte nën administrimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në vendim thuhet se godina kryesore dhe trualli i saj do të mbeten sërish në përdorim të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve (ASHS). Bëhet fjalë për fushat e futbollit, të tenisit, volejbollit dhe shumë ambiente të ndryshme që tashmë do të jenë pronë e bashkisë së kryeqytetit së bashku me klubin sportiv.

Gazeta publikon të plotë vendimin e Qeverisë në lidhje me këtë çështje, si dhe inventarin e të gjitha pronave të paluajtshme shtetërore që në emërtimin Enti Përdorues, shkruhet "K.S Dinamo".

Vendimi

"Vendim Nr.315, datë 27.4.2016, për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pronës me emërtimin 'Klubi Sportiv Dinamo', Tiranë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, 'Për pronat e paluajtshme të shtetit', të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja 'd', 5, 7 e 8, të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, 'Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore', të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pronës me emërtimin 'Klubi Sportiv Dinamo', Tiranë, me numër pasurie 832, përkatësisht në administrim të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për komponentët e saj me numrat rendorë 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 e 9, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për komponentin me numër rendor 10, sipas formularit 3, bashkëlidhur këtij vendimi, për ta përdorur për ushtrimin e funksioneve të veta kulturore dhe sportive.

Komponenti me numër rendor 2, 'Godina kryesore' dhe trualli i saj do të mbetet në përdorim të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve (ASHS).

2. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet, përfshirë edhe ato të krijuara nga marrëdhëniet kontraktore të lidhura për pronën me numër pasurie 832, me emërtimin 'Klubi Sportiv Dinamo', Tiranë, dhe komponentët e saj nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9 e 10, bashkë me fondet e miratuara për këtë qëllim, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi i transferohen Bashkisë Tiranë.

3. Për pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të reflektohen ndryshimet përkatëse në listën e pronave të Bashkisë Tiranë, miratuar me vendimin nr. 834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, 'Për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë+pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës'.

4. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi dhe ta tjetërsojë atë.

5. Ngarkohen ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Financave, kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare", thuhet në vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave në lidhje me klubin sportiv Dinamo. Duket se gjërat kanë nisur të ndryshojnë për mirë në klubin blu.

Përgatiti: Besar Bozgo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama