Rama nis të shpërblejë aleatët e vegjël me rreshtin e dytë të kabinetit. Pas vendimit të një jave më parë ku u përcaktuan emrat e 23 zëvendësministrave, zbardhen emra të tjerë të listës së numrave 2. Për këto vendime emërimesh ka informacione me shkrim, por ka edhe të dhëna vizive. Rama preferon më shumë rrugën e dytë, sidomos në rrjetet sociale. Përmes fotos së publikuar në faqen zyrtare në Facebook, kryeministri Rama ka bërë të njohur indirekt edhe emrat e rinj të zëvendësministrave. Pas LSI-së dhe PBDNJ-së që u shpërblyen që në vendimin e parë me poste zv/ministri, këtë radhë vendimi ka qenë favorizues për aleatët e tjerë. Kreu i qeverisë i ka dhënë fund edhe dilemës se cilët do të jenë dy ndihmësit e ministrit të Financave, Shkëqim Cani. Zëvendësministri i ri i këtij dikasteri do të jetë Ervin Mete, i cili është kryetar i Partisë G99. Mete ka përfunduar studimet për të drejtën fiskale në një prej universiteteve të botës anglo-saksone, “London School of Economics” dhe master në programin e ligjit në Harvard.
Ervin Mete, i rikthyer prej disa vitesh në Shqipëri, punon si pedagog i Fakultetit Juridik në një prej universiteteve europiane dhe njëkohësisht është i angazhuar në politikë si kryetar i Partisë G99. Në këtë mënyrë, kryeministri Rama i ka hapur rrugë edhe futjes së aleatëve të tjerë në qeveri. Një tjetër zëvendësministër i Financave është Erjon Luçi, duke e kompletuar drejtimin në këtë dikaster. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se janë edhe 5 poste zëvendësministrash pa u mbyllur, ndërsa pritet që të shpërblehen edhe aleatët e tjerë të PS-së. Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Mark Frroku priten që të marrin nga një post zëvendësministri për partitë e tyre. Burime nga aleatët bëjnë të ditur se emërimet e reja mbyllen brenda kësaj jave duke plotësuar edhe nivelin e dytë të drejtuesve të ministrive. Ende kreu i qeverisë nuk ka emëruar dy zëvendësministra te Ministria e Drejtësisë, një zv/ministër te Mbrojtja si dhe një tjetër te Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Ndërkaq, një emër nga fusha e biznesit është përfaqësuar këtë radhë në qeveri, Alban Zusi, që është zgjedhur zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rual dhe Administrimit të Ujërave. Në këtë ministri është emëruar edhe Jani Baba i PBDNJ-së. Një javë më parë, kryeministri Rama emëroi në Ministrinë e Punëve të Brendshme dy zëvendësministra, Elona Gjebrean dhe Ilirjan Mustafaraj të cilët përfaqësojnë LSI-në. Ministria e Arsimit dhe e Sportit do të ketë si numra dy të saj Nora Malaj e LSI-së dhe Arbjan Maznikun nga PS. Shëndetësia do të ketë Milva Ekonomi dhe Klodian Rjepaj, të cilët do të jenë bashkëpunëtorët e ngushtë të Ilir Beqajt, kurse tek Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të jenë Dorjan Duçka nga LSI si dhe ish-deputetin socialist, Ilir Bejtja. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj do të ketë si bashkëpunëtor të tij Bardhylka Kospirin dhe Gentiana Sulën. Ylli Manjani i Lëvizjes Socialiste për Integrim i rikthehet sërish detyrës së zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Ish-diplomati Dritan Hila do të jetë i vetmi zëvendësministër i Mbrojtjes. Ndërsa LSI do të përfaqësohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga Sokol Dervishaj. Po në postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është dhe përfaqësuesi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Alqi Puli. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të ketë vetëm një zëvendësministre, Brunilda Paskalin e cila është përfaqësuese e LSI-së. Ndërsa zëvendësministra të Integrimit Evropian janë zgjedhur Gentian Elezi dhe Majlind Lazimi. Ish-kandidati socialist, Zef Çuni është numri dy në dikasterin e Kulturës ndërsa arkitekti Gjon Radovani do të mbajë postin e zëvendësministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Përfaqësuesi i tretë për PDB-në është një femër, Oljana Ifti e cila do të mbajë postin e zëvendësministres së Mjedisit së bashku me ish-kandidaten socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit në Shkodër, Diana Bejko.
Basha ironizon emërimet e Ramës
Nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ironizoi emërimet e reja të kryeministrit Edi Rama në disa drejtori të rëndësishme. “Diploma e merituar, nëpërmjet përkushtimit, dijes, punës dhe investimit tuaj personal ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm të diplomës false, të diplomës së blerë, të emërimeve nepotike apo politike, mbi baza jo transparente, me nota 5 apo 6 e jo për pozicione starti, por për pozicione që zakonisht shënojnë kurorëzimin e një karriere të suksesshme. Ky është një sulm frontal ndaj shkollimit, si vlerë, ndaj duhet dhe do të qëndrojmë fort, për të lartësuar vlerën e përkushtimit të studentëve tanë, për të lartësuar vlerën e diplomës që merret me meritë, për të lartësuar meritën“, u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha.
Rama shkurton shpenzimet e deputetëve për makinat
Funksionarët publikë dhe nëpunësit civil do të kenë më pak lekë në dispozicion për transportin. Qeveria nis të vërë në jetë premtimin për të shkurtuar shpenzimet e administratës shtetërore në tërësi. Projektligji i përgatitur tashmë ka si qëllim disiplinimin e shpenzimeve të transportit për një sërë funksionarësh që konsiderohen të kategorisë se dytë. Sipas vizion + , në draft saktësohet se çdo deputet pavarësisht largësisë nga zona e tij elektorale, nuk do të shpenzojë më shumë se 40 mijë lekë në muaj për transportin e tij, nga rreth 45 mijë lekë që ishte limiti më parë. Ndërsa funksionaret e tjerë, këtë kufi do ta kenë 20 mijë lekë nga 35 mijë që e kanë aktualisht. Në këtë dokument nuk përfshihen ministrat, Kryetari i Kuvendit apo krerët e institucioneve kushtetuese. Projektligji në fjalë i miratuar në qeveri, pritet të bëhet objekt diskutimesh edhe në Parlament. Një nismë të tillë të ngjashme e mori edhe qeveria Berisha në vitin 2009, ku vendosi heqjen e makinave dhe shoferëve për deputetët. Parlamenti shqiptar deri në vitin 2009, renditej i pari në Evropë për trajtimin e veçantë që u ofronte deputetëve, duke i pajisur të gjithë me makinë personale. Gjithashtu, ai kishte rekordin për shpenzimet për automjetet në dispozicion të deputetëve, me 20 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit, ose 50 për qind e shpenzimeve operative të këtij buxheti. Sipas llogaritjeve të qeverisë së mëparshme, një deputet i kushtonte buxhetit me makinën, mirëmbajtjen dhe shoferin, 19 mijë dollarë në vit.