Zbatimi i ligjit kunder duhanit

Zbatimi i ligjit kunder duhanit

Pronarët dhe menaxherët e lokaleve në Tiranë e konsiderojnë të zbatueshëm ligjin anti-duhan me ndryshimet që po i bëhen, por vetëm nëse gjobat nuk do të vendosen në mënyrë selektive.

“Ajo që duam ne është që të zbatohet në cdo skaj të Shqipërisë, në cdo vend, në cdo ambient dhe jo të penalizohen disa lokale, të pasqyrohet në gjithë Shqipërinë ligji, të jetë njësoj edhe për ato lokale që janë në fshat. Kështu mund të bëhet një konkurencë e ndershme”, thotë Arjan Çollaku, menaxher.

Ligji anti-duhan ka dështuar dy herë më parë për shkak se jo të gjithë subjeket ndëshkoheshin me gjobë kur konstatoheshin shkelje, por edhe për shkak të pamundësisë së menaxherëve të lokaleve për të ndikuar tek klientët.

Në të shumtën e rasteve kanë ndikuar vetë politikanët apo deputetë që me ndërhyrjet e tyre të pengonin zbatimin e tij. Penalizimi me gjobë edhe i klientit  që konsumon duhan në ambientet e mbyllura do ta detyrojë atë të mos e konsumojë, por nga ana tjetër shihet si lehtësi për bizneset.

“Nëse do të gjobiten edhe klientët, ndërgjegjësohen edhe duhanpirësit e rregullt që e pijnë duhanin. Kjo edhe për ne është më e lehtë sepse ne nuk do të shkojmë t’i themi mos e pi mos e bë, por që të mos bëhet edhe selektive për këta pronarët e fortë, që kanë njohje tek gjykatat dhe tatimet dhe përfitojnë nga këto gjëra”, thotë Nori Dushkaj,  menaxher lokali.

Ligji anti-duhan pritet  të amendohen për rritjen e masës së gjobës ndaj  subjekteve që shkelin ligjin. Pronari  i ambientit ku konsumohet duhan gjobitet në masën 300 mijë lekë, menaxheri i tij në masën 50 mijë lekë, ndërsa  personi që konsumon penalizohet me 5 mijë lekë.

Personat me ndikim në publik do të penalizohen 10-fish më shumë se një qytetar i thjeshtë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama