Një grup hetuesish të Prokurorisë dhe Policisë së Tiranës kanë shkuar në zyrën e Artan Santos, në Bankën “Credins”, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale kompjuterin personal të punës. Madje, akuza thotë se në duart e saj ka rënë edhe telefoni celular i viktimës. “Të dyja provat janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për t’iu nënshtruar ekspertizave”, – thanë dje burimet policore, teksa shprehen se kanë marrë edhe mesazhet e para, të cilat flasin për një marrëdhënie të tij me bashkëpunëtorët. Mesazhet, sipas hetuesve, janë urdhra apo sugjerim kolegëve apo vartësve, për të kryer sa më mirë punën, ndërsa ka pasur edhe disa debate në këto mesazhe. Personat që kanë dërguar apo marrë mesazhe nga Santo janë thirrur për t’u pyetur në Policinë e Tiranës, ndërsa deri dje pasdite, mësohet se mbi 50 persona janë pyetur.
Telefoni celular
Akuza thotë se ka sekuestruar celularin e viktimës, të cilin e ka dërguar në laborator për ekzaminime të mëtejshme. “Gjetëm shumë mesazhe të Santos. Ai ka folur edhe në disa rrjete sociale si Wats Up dhe Viber me kolegë, ndërsa të gjitha tekstet po analizohen nga një grup i gjerë hetimor, që është ngritur mes prokurorisë dhe policisë. “Gjithçka është në analizë. Madje kemi gjetur edhe disa mesazhe të fshira në celularin e viktimës që po i analizojmë. Nëse kanë ndonjë dyshim dhe mund të identifikojnë ndonjë konflikt të mundshëm, atëherë personin me të cilin ka komunikuar, e thërrasim për dëshmi”, – pohojnë burimet nga akuza. Mësohet se, krahas mesazheve, janë gjetur edhe një sërë telefonatash, madje edhe ato të fundit, ku sërish këta persona kanë dhënë shpjegime. Por, mësohet se telefonatat e fundit janë kryer me shoferin apo me ndonjë bashkëpunëtor të tij në bankë, rreth situatave.
Kompjuteri i punës
Prokuroria thotë se një grup hetuesish ka shkuar edhe në zyrën e Santos në Bankën “Credins”, ku në fokus të tyre ka qenë pikërisht kompjuteri i punës. “Pas sekuestrimit, kompjuteri është dërguar për ekspertizë. Kemi sekuestruar vendimet e fundit që ka marrë Santo, që kanë të bëjnë me urdhra për vartësit, apo me pasqyrat financiare të bankës. Krahas këtyre dokumenteve, po synojmë që nga ekspertiza të dalë ndonjë e dhënë edhe për dokumente të mundshme të fshira”, – pohojnë burimet nga akuza.
Deri dje pasdite është bërë grumbullimi i një sërë provave materiale, ku më kryesorja ka qenë sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit bankar dhe gjithë transaksionet e muajve të fundit që Banka “Credins” ka bërë brenda dhe jashtë vendit.
Shoqërimet
Pas vrasjes, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje rreth 50 persona mes të cilëve, administratorë të bankës dhe bizneseve ku viktima ka qenë aksioner. Janë pyetur të gjithë ortakët e bankierit Artan Santo si dhe punonjësit e Bankës “Credins”. Hetimet, sipas prokurorisë, janë shtrirë jo vetëm në Tiranë por dhe jashtë saj. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Artan Santo nuk operonte vetëm në fushën bankare dhe atë të medias, por ushtronte veprimtarinë e tij edhe në fusha të tjera si ajo e ndërtimit. Policia dhe prokuroria po punon jo vetëm për të përcaktuar motivin e vrasjes, por dhe për të vënë në pranga autorët e vërtetë të ngjarjes.
Bashkëpunimi
Grupi hetimor polici-prokurori
Prokuroria e Tiranës thotë se ka caktuar katër prokurorë për hetimin e kësaj çështjeje, të cilët janë shpërndarë në drejtime të ndryshme. Dikush heton për vendin e ngjarjes, të tjerë pyesin dëshmitarët, ndërsa po këqyren edhe dosjet e mëparshme në prokurori, ku emri i bankës, apo i Artan Santos, ka dalë në disa çështje penale. Policia ka angazhuar pothuajse të gjithë sektorët, që nga ai vrasjes, krimi ekonomik dhe antiterrori. Për këtë çështje është angazhuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Homazhet
Familjarë, të afërm, miq dhe politikanë nderojnë për herë të fundit bankierin
Kreu i SHISH: Asnjë Informacion për kërcënime ndaj Santos
Familjarët, të afërmit, miqtë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtuesit e lartë të institucioneve publike në vend, si dhe qytetarë të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit bankierit Artan Santo, gjatë homazheve të kryera paraditen e së premtes. Mes dhimbjesh për një baba, për një të afërm, për një biznesmen të suksesshëm, për një personazh të njohur dhe aktiv të shoqërisë, para trupit të zotit Santo u përlotën dhe shprehën dhimbje mijëra vetë, pjesë të një kortezhi të gjatë. Një kortezhi të paqtë si vetë natyra e bankierit Santo, pa thyer radhën e gjatë për ta parë për herë të fundit. Edhe Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryeparlamentari Meta, respektuan këtë radhë për disa minuta si pjesë e kortezhit, duke mos pranuar të kryejnë procedura standarde qeveritare. Më pas, duke lënë në librin e ngushëllimeve mesazhet e tyre. Kreu i Parlamentit dhe lideri i opozitës thanë se autorët duhen gjetur me çdo kusht, ndërsa shefi i SHISH tha se shërbimi nuk kishte ndonjë të dhënë për kërcënime ndaj tij.
“Në këtë ditë trishtimi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve të tij. Nuk mund të mos rresht së kërkuari vënien para drejtësisë të ekzekutorëve dhe të atyre që urdhëruan ekzekutimin e tij. Kjo dorë mizore duhet ndalur për t’i dhënë qetësinë dhe sigurinë familjes dhe shqiptarëve e shoqërisë tonë”, deklaroi Meta. “Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen. Uroj që Zoti t’u lehtësojë dhimbjen e padurueshme. Ishte një krim makabër, me mizori mafioze në zemër të bashkëjetesës sonë këtu në Tiranë, i hartuar dhe ekzekutuar me parametrat e një akti terrori, për të ngjallur terror dhe frikë. Si i tillë do të shërbejë si një thirrje e madhe e qytetarëve, si një ngritje në këmbë për t’i dalë përpara dhe për ta ndalur të keqen”, – deklaroi Basha. “Bankierët nuk i vret krimi. Kanë dashur ose të marrin diçka, ose të fshehin diçka. Do ta nxjerrin në hetim.
Në Shqipëri krimet nuk zbulohen, por harrohen”, tha avokati Spartak Ngjela. Ndërsa ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano, tha se Santo do t’i mungojë të gjithëve. “Na lë të gjithëve me një boshllëk vështirësish të kapërcyeshme humbja e mikut dhe njeriut të mirë siç ishte Santo. Ai ishte shembulli i shfrytëzimit të lirisë në shërbim të të tjerëve dhe që ngriti vlerat e një shoqërie të lirë”, u shpreh Nano. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e cilësoi si mjaft të rëndë humbjen e bankierit të talentuar, i cili, sipas tij, me vendosmëri krijoi një bankë që arriti t’i rezistojë krizës. “Banka ka një staf të përgatitur, i motivuar për ta çuar para, duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare”, tha Fullani duke shtuar se të gjithëve do t’u mungojë buzagazi i Santos. Pas homazheve, dje rreth orës 16:00, trupi i pajetë u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.