Dy të rinj shqiptarë u kapën nga policia greke teksa po transportonin drejt Shqipërisë 248 shtretër dhe çadra plazhi. Banda e grabitësve kishte kohë që vidhte dyqanet dhe lokalet buzë detit, ç’ka kishte alarmuar policinë vendase. Ata u kapën në flagrancë në zonën e Perdikas në Thesproti. Policia sekuestroi një kamion të ngarkuar me çadra dhe shtretër plazhi si dhe aksesorë të tjerë. Dy të rinjtë i grumbullonin objektet e vjedhura në një magazinë të vjetër e më pas i shisnin ato në Shqipëri. Në pranga ka rënë edhe një bashkëpunëtor i tyre, që i ndihmonte për të transportuar mallin e vjedhur. Sipas policisë që prej tetorit të vitit 2011 banda e shqiptarëve kishte boshatisur katër plazhe të mëdha në zonën e Thesprotisë dhe Prevezës. Objektet e vjedhura u sekuestruan nga policia, ndërsa dy të rinjtë shqiptarë pritet të dalin para gjykatës me akuzën e grabitjes së pasurisë.