Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Greqi. Një varr i lashtë antik është gjetur rreth 80 kilometra në verilindje të qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut.
Varri i rrumbullakët në Amfipoli, me gjatësi prej 497 metrash, për të cilin kanë filluar gërmimet rreth dy vjet më parë, daton në periudhën e hershme helenistike, dhe dëshmohet të ketë qenë ndërtuar diku midis viteve 325 dhe 300 para Krishtit, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh.
Ky zbulim i madh pritet që të japë përgjigje të saktë, nëse i përket një prej mbretërve të kohës, pasardhësve të strategut të Madh, apo ndoshta gruas së tij, Roksanës dhe djalit të tij, Aleksandrit të IV.
Ky varr i lashtë ka ndezur përplasjet e para mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në një deklaratë në ’Utrinski Vesnik’, arkeologu i njohur, Pasko Kuzman vlerësoi se Amfipolisi i përket Maqedonisë, ashtu siç e njohin atë historianët e Shkupit, dhe se aty nuk ndodhet varri i Aleksandrit të Madh. Ndërsa, nga ana e tyre, politikanët grekë si dhe historianët dhe arkeologët vendas, deklarojnë se janë krenarë për historinë dhe heronjtë e tyre.
Vetë Kryeministri Samaras, që ndoqi nga afër punimet, e ka cilësuar një zbulim jashtëzakonisht të madh dhe të rëndësishëm për historinë greke dhe për atë botërore.
“Toka e Maqedonisë sonë vazhdon të na emocionojë dhe të na befasojë, duke na zbuluar nga gjiri i saj thesare unikalë, që kompozojnë dhe tjerrin të gjitha bashkë, mozaikun unikal të historisë sonë greke”, u shpreh Andonis Samaras.