Pjesa lindore e forumit dhe bazilika janë zonat e zbuluara nga ekspedita e studentëve arkeologë. Objektet e zbuluara datojnë në shekullin VII para Krishtit. Arkeologu prof. dr. Dhimitër Çondi, i pyetur për gazetën “Panorama”, thotë se “me gërmimet e reja në Butrint dalin në dritë dëshmi të reja të një qytetërimi të lashtë. Pjesa lindore e forumit të tij ishte në qendër të zbulimit disajavor që ndërmorën 55 studentë të arkeologjisë në Universitetin e Gjirokastrës dhe Tiranës, me asistencë edhe të studentëve amerikanë të universitetit “Notre Damme” në SHBA.
Ekspedita arkeologjike ka qenë e përqendruar përgjatë dy muajve të fundit në zbulimin e elementeve tërësore të një pjese të qytetit apo, siç quhet ndryshe në gjuhën e arkeologëve, forumi i tij. Objektet e zbuluara i përkasin periudhës para Krishtit dhe më saktësisht në shekullin VII para tij. Me zbulimet e objekteve më të fundit në Butrint vërtetohet me fakte konkrete se Butrinti ka një histori më të hershme zhvillimi nga ai që kemi mësuar deri më tani.