Zbulime te reja arkeologjike ne rrenojat e Adrianopolit antik

Zbulime te reja arkeologjike ne rrenojat e Adrianopolit antik
Specialistët e misionit arkeologjik shqiptaro-italian kanë zbuluar disa amforave dhe objekte prej qeramike në mjediset e zonës arkeologjike në rrënojat e Adrianopolit antik në Gjirokastër. Sipas arkeologut italian Roberto Perna, gjatë ditëve të fundit grupi i specialistëve shqiptarë dhe italianë është përqendruar më shumë në studimin e disa objekteve prej qeramike dhe amforave të zbuluara në zonën e Adrianopolit. Në këtë drejtim arkeologët kanë mundur të evidentojnë edhe mbetjet e një punishteje për përgatitjen dhe prodhimin e objekteve prej qeramike.

“Gjatë punës sonë kërkimore dhe studimore ne kemi tentuar të hedhim dritë edhe mbi lidhjet ekonomike që ka patur Adrianopoli me zonat e tjera të rajonit”, thotë Perna. “Së bashku me kolegun tim shqiptar të Institutit të Arkeologjisë, Bashkim Lahi, kemi mundur të faktojmë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik qe ka patur kjo zonë me pjesën lindore të Mesdheut”, vijon Perna. Sipas tij, mes këtyre gjetjeve janë hasur edhe qeramika që vijnë nga zona e Atikës, çka tregon marrëdhëniet që ka patur Adrianopoli me botën helenistike.

“Pra natyrshëm mund të themi se Adrianopoli ka qenë një qendër shumë e rëndësishme ku tregtia dhe shkëmbimet kanë patur një vlerë të madhe për këtë qytet”, shpjegon studiuesi italian zbulimet e fundit në rrënojat e qytetit antik. Në muajt e verës në Adrianopolin antik pritet të rikthehet sërish misioni arkeologjik shqiptaro-italian për të vijuar kërkimet dhe studimet në zonën arkeologjike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama