Zbulime te reja ne Korce

Zbulime të reja në Korçë

Materiale të shumta arkeologjike me shtrirje kronologjike nga neoliti i vonë deri në mesjetën e avancuar, janë zbuluar gjatë një ekspedite prospeksioni në veri të fushës së Korçës. Nga kërkimet në terren të ekipit shqiptaro-francez përgjatë një sipërfaqeje me shtrirje në disa fshatra të zonës, aty ku dikur ka qenë liqeni i Maliqit, janë gjetur materiale që datojnë që 7000 vjet para erës së re, ku dominon qeramika. Copëza enësh dhe objektesh prej qeramike, metale të ndryshme, pjesë veglash pune prej guri e stralli, mbetje të tjera që janë zbuluar nga nëntoka e pasur e zonës fushore, ku në prehistori janë vendosur banorët e hershëm në afërsi të liqenit, janë grumbulluar për t‘u klasifikuar dhe më pas dokumentuar në muzeun arkeologjik të Korçës. Në këtë ekspeditë në terren kanë marrë pjesë ekipi i arkeologëve me përfaqësues të palës shqiptare dhe asaj franceze.

Ata kanë pastruar materialin arkeologjik për të depozituar më vete dhe sipas datimit kronologjik të gjitha objektet, që kanë qenë të shumta në numër, dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e vizitorëve për nga pasuria dhe shumëllojshmëria e tyre. Prof. dr. Petrika Lera, që drejton ekspeditën për palën shqiptare, ka thënë se brenda një viti në këtë zonë janë zbuluar 12 vendbanime të reja prehistorike, ndërkohë që materialet e grumbulluara do të krahasohen me ato të vendbanimeve të zbuluara më parë për të studiuar intensitetin e popullimit të këtij rajoni në prehistori. Lera thotë se këtë herë në zonën fushore të Korçës janë zbuluar materiale të rëndësishme dhe të bollshme arkeologjike, të cilat nga studimi, klasifikimi, datimi kronologjik, do të hedhin dritë mbi mënyrën e jetesës, intensitetin e popullsisë në rajon dhe marrëdhëniet me liqenin e Maliqit, por edhe mbi kulturat prehistorike. Të gjitha materialet, të cilat janë përpunuar për t‘u arkivuar në muze, sipas tij, do të jenë pjesë e një studimi të gjerë dhe do të bëhen krahasime me vendbanime të tjera prehistorike të zonës veriore, për të parë ecurinë e zhvillimeve me shtrirje kohore që nga neoliti i vonë deri në mesjetën e avancuar.

"Nga ekspedita e prospeksionit, qëllimi i së cilës ka qenë të evidentojë dhe të regjistrojë në hartën arkeologjike vendbanimet e reja prehistorike të pjesës veriore të fushës së Korçës, ka rezultuar se kjo zonë është tepër e pasur me material arkeologjik, ku dominon qeramika. Në zonë janë gjetur edhe përbërje metalesh, objekte të veglave të punës, pjesët e të cilave pas ndërtimit të skemës mbi llojin dhe si kanë qenë të ndërtuara, do të dokumentohen të gjitha për t‘u arkivuar pranë muzeut", thotë profesor Lera. Drejtuesja franceze, Cecille Oberëhite, materialet me shtrirje kronologjike në disa etapa deri në periudhën e mesjetës janë zbulime që vijnë nga zona të lokalizuara në periferi të pjesës veriore të fushës së Maliqit dhe të liqenit të dikurshëm, të marra për t‘u dokumentuar nga vendbanime prehistorike të Podgories, Malit të Thatë dhe Guribardhës. Ekspedita e prospeksionit në terren ka qenë faza e dytë që ka përmbyllur, pas gërmimeve të nëndheshme arkeologjike, plotësimin e të dhënave për vendbanimet e shumta prehistorike të rajonit të Korçës. Sipas arkeologëve, të gjitha materialet e zbuluara gjatë ekspeditës së prospeksionit do të jenë pjesë e një studimi të gjerë, që do të ketë shtrirje përgjatë gjithë vitit për të hedhur dritë mbi fakte të reja dhe potencialin arkeologjik të zonës dhe të kulturës prehistorike.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama