Zbulimet e Sahatit te Tiranes.

Zbulimet e Sahatit të Tiranës.
Në qendrën e qytetit do të dëgjohet në çdo orë goditja e kumbonës. Artan Shkreli, koordinatori i projektit, komenton të rejat dhe ndërhyrjet që janë bërë në Monumentin e Kulturës, restaurimi i parë i plotë që prej vitit 1928

Restaurimi i parë i plotë që prej vitit 1928 i Kullës së Sahatit, është në përfundim. Dje u pa rezultati dhe pritet që javën e ardhshme Tirana të përurojë një monument të pastër dhe korrekt në matjen e kohës.


Me ceremonial madje. Në çdo orë do të dëgjohet goditja e kambanës.
Arkitekti Artan Shkreli, koordinatori i projektit i inicuar nga Fondi Shqiptar për Monumentet, zbulon në fund të një pune jo vetëm në terren por edhe në studimin e disa të dhënave simbolike dhe datuese me rëndësi që ose janë lënë mënjanë nga studiuesit e kullës, ose janë i kanë deshifruar gabim.


Shkreli është marrë me leximin dhe interpretimin e simboleve të gdhendura në gur, një i traditës pagano-kristiane, tjetri i ornamentikës myslimane. Ai na jep datimin e saktë i kumbonës, Është thënë gabimisht që kumbona ka ardhur nga Venecia.


Nga deshifrimi i mbishkrimit osman del se është porositur në Trieste, tek fonderia e vëllezërve F & Paolo Accerroni, dhe data 7 i muajit Xhemaziulahir viti 1259 i Hixhrit, i korrespondon 5 korrik 1843.


Restaurimi i Kullës së Sahatit është pjesë e projektit "Kthim në Identitet", projekt që ka filluar në vitin 2000 me objekte të qendrës historike dhe aksit monumental të Tiranës.


Ishte rrësk i Kullës që t'i kalonin asaj 30 mijë dollarët që Ambasada Amerikane nëpërmjet Fondit të Ambasadorit dha para disa vitesh për restaurimin e kishës-xhami, Shën Shtjefni i vjetër, në Kalanë e Shkodrës.


Për shkak të polemikës që u hap nga komunitetet fetare për atë objekt që është pronë e shtetit shqiptar, Ambasada u tërhoq. Këto para nëpërmjet Fondit Shqiptar për Monumentet iu adresuan Kullës së Sahatit.


Shkreli komenton të rejat dhe ndërhyrjet që janë bërë në Monumentin e Kulturës, duke e parë objektin edhe në perspektivë të Planit Francez.


Zoti Shkreli, u bënë muaj që punohet në Kullën e Sahatit. Së shpejti pritet të zbulohet. Po i bëhet restaurim i plotë?


Bëhet fjalë për një restaurim të plotë. Është nxjerrë në pah një pjesë e bazamentit i cili ishte mbuluar nga dherat. Një dyqan fotografi ka qenë i ngjitur me faqen lindore të sahatit dhe po ashtu në anën jugore ishte një kioskë e madhe që shiste libra. Qytetarët e kishin kthyer në një WC publike atë zonë.


Është restauruar maja e Kullës sepse ishte një kullë me beton dhe pa asnjë lloj shtrese mbrojtëse. Baxha ishte e hapur dhe gjithë shiu binte brenda, duke dëmtuar strukturën metalike të shkallëve dhe elementë të tjerë. Në majën e Kullës ku do vendoset një sinjalizues intermitent.


Të gjitha kullat duhet të kenë një tillë që të pengojnë aksidente të mundshme të helikopterëve ose ndonjë mjeti tjetër fluturues. Është bërë rehabilitimi i rrufepritësit që është dhe pika më kulmore e Kullës së Sahatit.


Çfarë pamje do ketë kupola?


Flitet për çati, gabimisht i thonë kupolë. Ajo nuk është restauruar asnjëherë. Dikur kulla ka qenë e mbuluar me plumb dhe ne gjetëm gjurmët e plumbit. Kjo gjë nuk ishte evidentuar më parë. Ajo u lye me një ngjyrë të kuqërremtë për t'i dhënë pamjen e një çatie.


Menduam t'i shkojmë deri në fund filozofisë së atyre njerëzve që projektuan riformulimin arkitekturor të Kullës së Sahatit në vitet '20. Dimë që kulla e vjetër, e cila u ndërtua nga haxhi Et'hem Beu, i biri i Mulla Beut, dhe u përfundua nga komuniteti i Tiranës.


Ishte një stil që, nëse do të gjenim një terminologji të përafërt, mund ta konsideronim si një barok osman. Kishte që konfiguracion që ruhet vetëm nga fotografitë e fillimit të shekullit XX. Më 1928, me modernizimin e kryeqytetit dhe në rrugën e hartimit të planeve rregulluese ku arkitektura bëhet më racionale dhe definitivisht perëndimore, kulla restaurohet krejt.


Hiqet pjesa e sipërme e pirgut të barokut otoman, për fat të keq, do ishte mirë që të ishte ruajtur, dhe vendoset që të bëhet me një arkitekturë e cila kryesisht nga kritika shqiptare, është konsideruar si ala San Marco (kambanorja e katedrales së Shën Markut në Venedik).


Pamë se ishte e tepërt veshja e saj me plumb, karakteristikë e arkitekturës osmane, dhe natyrisht, nuk mund ta vendosnim më me llamarinën xingato të lyer me ngjyrë tulle. Vendosëm t'i shkonim deri në fund kësaj ideje duke e veshur me bakër.


Është përdorur një bakër me cilësi shumë të lartë, garanton një oksidim homogjen. Vetëm javët e para do të jetë i shkëlqyer, më vonë do të nxihet dhe në fazën e dytë do të jetë një kafe e errët. Mbas kalimit të dekadës së parë, do të marrë një ngjyrë të oksidit të bakrit, ngjyrë jeshile, ngjyrë që karakterizon kupolat po dhe çatitë e kullave të kësaj natyre në Evropën Perëndimore.


Kjo kullë për kapriço të fatit, që në fund të fundit është edhe kapriçoja që ka shoqëruar zhvillimin e qytetit, është një kullë simbitioke: gjysma e parë e saj është e stilit osman, gjithë pjesa e gdhendur me gurë, dhe nga ballkoni e sipër është e stilit perëndimor që shpjeguam pak më lart.


Doja të theksoja diçka. Ndërhyrje relativisht e fortë është bërë në bazamentin e kullës. U zëvendësuan disa nga gurët nën nivelin e derës, gurë që ishin të dëmtuar që prej dekadash.


Për zëvendësimin e tyre u gjetën gurë nga kalaja e Tiranës, që ishin shkëputur nga muri - meqenëse janë bërë me të njëjtin gur, guri i Brarit - dhe u rigdhendën. U vunë aty dhe sot nuk dallohen më nga origjinali. Për këtë punoi një specialist i gdhendjes së gurit që u mor nga Berati.


Është bërë krejt pastrimi i muraturave të kullës dhe kryesisht pjesa e saj veriore ku ngjiteshin lajmërimet e vdekjeve të cilat nuk do ngjiten më aty. Ka qenë problem shumë i madh për të eliminuar skorjet e ngjitëseve të njoftimeve.


U hoqën gjithë tabelat që e kishin shndërruar kullën në një poligon qitjeje.
Sheshi ku hyhet është bërë me shkallë rrethore karakteristike për Tiranën e shekullit XIX. Ashtu kanë qenë të gjitha xhamitë kryesore, të paktën Xhamia e Et'hem Beut dhe xhamia e vjetër e Sulejman Pashë Bargjini. Pjesa tjetër do të jetë me bar.


Në të ardhmen e afërt, çfarë ndryshon në krejt sheshin rrotull Sahatit?


Kur të bëhet sistemimi definitiv i krejt sheshit rrotull sahatit, me përfundimin e planit rregullues, i ashtuquajturi Plan Francez që parashikon një godinë diku mbrapa kullës, atëherë mund të ritrajtohet me të njëjtën teknikë të gurëve të gdhendur siç është sheshi para sahatit.

Është rehabilituar dhe godina e sahatçiut.
Ajo godinë nuk është monument kulture, por është trajtuar me kujdesin e një monumenti kulture.


Ka pasur një trajtim arkitekturor për t'i dhënë një pamje të Tiranës së shek. XIX e cila do të shërbejë si një dhomë muze. Kjo punë është bërë me fondet e MTKRS. Me këtë është z. Sulejman Dashi i cili do të jetë kuratori i muzeut. Të dy objektet do të jenë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës.


Dhoma e sahatçiut dikur shërbente për personelin që rregullonte sahatin e kullës së Tiranës. Nëpërmjet tij, një sistem elektrik i shpërndarë në rrjetin e kryeqytetit rregullonte të gjithë sahatet që ishin vendosur. Sot natyrisht, kjo nuk do funksionojë më. Sahati i Tiranës ka funksion të veçantë.


Arriti një moment që ia lanë 12.00 të katër sahatet. Si duket konsiderohej që vdiq Sahati i Tiranës. Tani e kemi rehabilituar, falë punës së z. Johan Furrxhi. Është arritur që të katër fushat të jenë të sinkronizuara me njëra-tjetrën.


Do vendoset në ditët e ardhshme një aparat GSM i cili do ta marrë impulsin për orën nga sateliti, që do të thotë ky sahat nuk do të lëvizë më. Përveç kësaj, në këto momente po montohet një pajisje elektromagnetike që do të vërë në lëvizje çekiçin që do t'i bjerë kambanës.


Do jetë sahat me ceremonialin e kambanës?


Mekanizimi ka pasur dy kambana, nga të cilat ka mbetur një. Ne do t'i biem vetëm kambanës së madhe sot. Nuk preferuam ta ndërrojmë mekanizmin sepse është një gjurmë e kohës. Goditja e saj shënon orët. Do të jetë shumë e vështirë të dëgjohet gjatë ditës, me zhurmën e madhe që ka sot kryeqyteti kur gjithë makinat kalojnë në qendër.


Por në momentin që qendra e Tiranës, prapë në zbatim të planeve rregulluese do të jetë këmbësore - sepse parashikohet të jetë këmbësore - sahati do të dëgjohet shumë mirë. Megjithatë së afërmi mund ta dëgjojmë pasdite vonë ose natën, në orët më me pak zhurmë.


Peizazhi i Kullës: si do të rrijë ajo në sfondin e ndërtimeve dhe ndryshimeve që priten pranë saj?
Pas ndërtimit të Torre Drinit, silueta e minares dhe Kullës së Sahati e humbën individualitetin e vet. Sfondi i këtyre elementëve vertikalë të qytetit - për hir të së vërtetës deri në vitet '70 ishin elementët ndërtimorë më të lartë në Tiranë - ka qenë Mali i Dajtit.


Tani e kanë humbur përfundimisht, d.m.th u kompromentua kjo siluetë. Ky ishte motivi që për të rehabilituar këtë konfondim, u vendos nga projektuesit francezë që mbrapa elementit vertikal të Kullës së Sahatit të jetë një objekt në formë L-je, pak më i lartë se kulla dhe ku faqja që shikon nga ajo, do të jetë krejtësisht me xham struktural. Kështu kulla duke qenë e bardhë, do të kontrastojë me xhamin blu apo jeshil që do të ketë ky objekt.


Përveç kësaj do të ripasqyrohet në këtë objekt që do të lërë mbrapa qoftë kullën 20-katëshe që po ndërtohet, qoftë edhe Torre Drinin. Këto nuk do të jenë më elementët të cilët konkurrojnë vertikalitetin dhe vizualitetin e Kullës së Sahatit.


Peizazhi arkitekturor i Kullës do të shihet vetëm pasi të bëhet ajo godinë që është ndërtuar në Planin Francez, që natyrisht do kërkojë kohën e vetë, sepse besoj do të jetë një investim privat.


Kulla e bardhë? Deri tani nuk ka qenë e tillë...
Nuk ka qenë e tillë sepse ka qenë e bërë pis. Kjo shprehja juaj më kujton një titull të Le Corbusier-së, një nga arkitektët e mëdhenj të lëvizjes moderne.


Ai ka një libër "Kur katedralet ishin të bardha". Në kohën kur shkruhej ky libër, katedralet ishin nxirë nga pluhuri dhe nga zhuli. Sot katedralet në mbarë Evropën po i nënshtrohen proceseve restauruese dhe po kthehen në ngjyrën e tyre të bardhë që ishin bërë në shekujt e mesjetës.


Pra, kulla është rikthyer e bardhë edhe njëherë. Janë lyer pjesët moderne me bojë e cila ruan suvatimet dhe betonet nga degradimi si rezultat i lagështirës. Janë bërë me një kombinim të dy ngjyrave të bardha, e bardhë pak "e ndotur", e ngacmuar dhe e bardhë kajmaku.


I bie që kulla të jetë në kontrast me objektet e tjera të Qendrës. Nëse Muzeu Kombëtar pati një larje të fasadës, Pallati i Kulturës me gjithçka rreth e rrotull duket mjerim.
Plani i Tiranës parashikon ribërjen e fasadës së Pallatit të Kulturës. Me siguri për këtë do të organizohet një konkurs ndërkombëtar.


Të paktën nga planimetritë dhe nga fasadat të cilët kanë mbetur nga raporti i përgjithshëm që bëri Architecture Studio, del që gjithë fasada e Pallatit do të rikonceptohet. Ka mundësi që PK të dalë pak më përpara duke i qëndruar besnik Planit Bosio të vitit 1943. Francezët u munduan të rikuperonin diçka nga sheshi i Florestano di Faustos. Me konkursin diçka ndryshon në shesh, por është një ndryshim i cili nuk e afekton Kullën e Sahatit.


Në fillim të bisedës ju përmendët disa zbulime që keni bërë gjatë kësaj kohe në trupin e kullës. Përse është fjala?


Është fjala për një paraqitje të rrallë në artin tonë tradicional, kulshedra.
Simboli totemik i kulshedrës është vendosur në faqen veriore të kullës, në këndin veri-lindor të saj. Nuk kemi të bëjmë me një dragua (me flatra), sikurse e kërkon tradita veriake, pra me një rojtar thesari, por me një kulshedër (pa flatra, por me gjymtyrë e gojë të tejhapur), rojtare e ujërave.


Tirana, mirëqenien e vet tradicionale e ka mbështetur në tokat e saja të rrahura mjaft mirë prej ujërave, pra përrenjve e lumejve të shumtë që e përshkojnë fushën e saj (Rigllata, Lana, Erzeni, Tërkuza etj.) e në këtë kuptim "marrja me të mirë" e kulshedrës bëhet një domosdoje në rastin e një ndërtimi të rëndësishëm për qytetin - sikurse paraqitet një kullë sahati në shek. XVIII-XIX.


"Ora" në vetvete është simbol i fatit për traditën tonë, kështu që ky sahat, "ora e Tiranës" ngërthen këtë simbolikë mitologjike.
Natyrisht sikurse çdo shenjë, edhe kjo, jep të dhëna interesante për kontekstin e ndërtimit. Kështu p.sh, ndërtuesit kanë qenë nga zona malore, me gjasë nga Dibra me të cilën Tirana kish "shkuemëni" të kahershme.

Përkatësia fetare e mjeshtërve në këtë rast bëhet e parëndësishme, pasi edhe kur kthistarët qenë muhamedanë, ritet e forta pagano-kristiane në malësi e kishin bërë të mundur mbijetesën e shembëllesave frymore - gjë kjo, e pamendueshme për muhamedanët e Tiranës që mundeshin të pikëzonin vetëm motive gjeometrike e floreale, pra pa shpirt.


Dhe vërtet kjo vihet re në një tjetër bllok të gdhendur, në të njëjtën faqe e në të njëjtën lartësi, por në krahun veri-perëndimor të saj, ku kemi një motiv floreal, mjaft domethënës e tipik të traditës sonë orientale, bllok i cili bën kësisoj një lidhje organike me punimet e xhamisë së Et'hem Bej Tiranës aty pranë.

Zbulimi tjetër me çfarë ka lidhje?


Është thënë gabimisht që kumbona ka ardhur nga Venecia. Kemi bërë deshifrimin e shkrimit osman që u ka shpëtuar të gjithë studiuesve. Jo vetëm viti (1843), por edhe firma ku janë derdhur janë shënuar gabim, pasi kush e bëri ishte:
F & Paolo Accerroni - TRIESTE
Të gjithë thonë gabimisht njëri pas tjetrit Venezia.


Tregtarët e Tiranës pas 1897-ës, kur Venediku ra nën Austro-Hungarinë, u adresuan tek kjo e fundit për prodhimet perëndimore dhe Triestja, që këtë kohë është nën Austrinë, është porti më i rëndësishëm i Austrisë. Kjo duket edhe në orientimin e ri të tregtarëve tiranas.


Nuk ndodh shpesh të bëhen një mendje disa donatorë për një monument kulture.
Për herë të parë u bënë bashkë 4-5 donatorë. Donacioni më i madh është i Fondit të Ambasadorit, 30 mijë dollarë. Mbas kësaj vjen Firma "Bloja" me president Fuat Haxhiymerin që ka dhënë 10 mijë dollarë, si individ. Është Ministria e Kulturës me Bashkinë e Tiranës si institucione publike të cilët kanë dhënë nga një fond modest.


Ka edhe donatorë më të vegjël. Dikush ka dhuruar xhama që do të vihen në dyert e rikonstruktuara të Kullës. Dikush tjetër ka ndihmuar për ndriçimin elektrik. Do doja të falënderoja dhe Johan Furxhi i cili përveç blerjes së materialeve, punën e vet për rregullimin e sahateve dhe vendosjen e mekanizimit që do të bëjë të bjerë ding-dongu i orës sa herë të shënohen orët, e ka dhënë gratis. Ka pasur një ndërgjegjësim për bërjen e këtij restaurimi.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama