Planeti i ri, i pagëzuar me emrin GH 1214b, është tepër i madh për t‘u konsideruar i ngjashëm me Tokën, por gjithsesi është shumë më i vogël se planetë të tjerë të zbuluar deri më tani. Gjithsesi nuk është kjo arsyeja që ka ndezur entuziazmin e shkencëtarëve. Ajo ka të bëjë me një tjetër zbulim në këtë planet që është me të vërtetë i jashtëzakonshëm: uji. Uji, sepse ai është një parakusht i ekzistencës së qenieve të gjalla. Në një planet me qenie të tilla ka shumë parametra, që duhet të bëhen bashkë për të mundësuar jetën, si temperaturat e përshtatshme që do të mundësonin ekzistencën e ujit në gjendje të lëngshme. Ai duhet që të orbitojë yllin e vet në një distancë të quajtur "e banueshme" dhe vetë planeti nuk duhet të jetë as shumë i nxehtë dhe as shumë i ftohtë. Për sa i përket tërësisë së këtyre kushteve, fatkeqësisht, edhe ky planet i zbuluar rishtazi, nuk i plotëson të gjitha. Temperatura e sipërfaqes së tij është rreth 200 gradë Celsius, pra shumë më e lartë se ajo e vlimit të ujit, të paktën për sa i përket kushteve të Tokës.
Megjithatë, për fat atmosfera e këtij planeti ka një presion më të lartë se ajo e Tokës, çka mund të mundësojë ruajtjen e ujit pa avulluar. Astronomët kanë vlerësuar përbërjen e planetit përmes llogaritjes së përmasave të tij, bazuar në sasinë e dritës që ai bllokon kur kalon përballë yllit rreth të cilit orbiton. Për sa i përket masës së tij, ajo është sa gjashtë planetë Tokë, ndërsa dendësia e tij është sa një e treta e Tokës. Duke qenë se shkëmbinjtë kanë një dendësi më të madhe se sa uji, shkencëtarët mendojnë se planeti mund të ketë shumë ujë dhe një atmosferë të mirë. Kjo bën që pavarësisht temperaturave të larta, uji të ekzistojë me shumicë në këtë planet. Megjithatë është tepër shpejt për të sugjeruar ekzistencën e jetës.
"Nuk do të ishte e mençur nga ana jonë nëse do të deklaronim në mënyrë kategorike që në këtë planet nuk ka jetë, por deri më tani nuk kemi ndonjë të dhënë të fortë që jeta mund të ekzistojë", ka deklaruar shefi i skuadrës së astronomëve. Megjithatë shkencëtarët do të vazhdojnë studimin e atmosferës dhe parametrave të tjerë të planetit, duke qenë se në termat kozmike ai është fare pranë Tokës, vetëm 40 vite dritë larg. Studimi do të bëhet përmes teleskopit ‘Hubble‘ dhe lenteve të fuqishme të një tjetër teleskopi hapësinor ‘Spitzer Space Telescope‘". Ndoshta gjëja më interesante që shoqëron zbulimin është vetë zbulimi i tij. "Gjuetarët" e planetëve, zakonisht e përqendrojnë vëmendjen tek yjet e hapësirës që janë të ngjashëm me Diellin tonë, pra me yje të mëdhenj, relativisht të rinj dhe shumë të nxehtë, duke u nisur nga premisa se yje të tillë kanë rreth planetë që mund të kenë jetë. Në rastin e zbulimit të planetit të fundit, shkencëtarët nuk u nisën nga yje të tillë, por u përqendruan te 2000 yje të vegjël, në shuarje e sipër, të kuq, të njohur ndryshe si "yje xhuxhë" dhe që janë në afërsi të Tokës.
Ata janë gjithashtu edhe më të shumtë në numër se yjet e tipit të Diellit tonë. Nga të 300 yjet që ndodhen më pranë planetit tonë, 220 janë yje-xhuxhë. Kjo bën që planetët që i sillen rrotull të jenë shumë më pranë yllit të ftohtë, që do të thotë se për ta orbituar atë u duhen vetëm pak ditë tokësore. Yjet-xhuxhë janë kaq të vegjël, saqë një planet me përmasat e Tokës hedh hije mbi ta kur i kalon pranë. Kjo i jep mundësinë shkencëtarëve që të zbulojnë shumë planetë edhe pa ndihmën e teleskopëve shumë të sofistikuar.
Sot, në botë, nuk ekziston vetëm një grup shkencëtarësh që merren me zbulimin e planetëve të rinj jashtë sistemit tonë diellor. Një konsorcium ndërkombëtar observatorësh sapo kanë njoftuar zbulimin e disa planetëve të tjerë të rinj, që sillen rreth yjeve të përmasave të Diellit tonë. Por këta planetë ndodhen shumë larg dhe studimi i tyre është veç të tjerash edhe shumë i kushtueshëm. Por këta planetë janë shumë të nxehtë për të pretenduar se në to mund të ketë jetë. Ndërkaq, edhe misioni "Kepler" i NASA-s do të prezantojë rezultatet e para të përpjekjeve të kërkimit të planetëve, në një takim të posaçëm mes astronomëve, që do të organizohet në janar në Uashington. Megjithatë të gjithë shkencëtarët që merren me yjet, pavarësisht grupeve në të cilat bëjnë pjesë, janë të të njëjtit mendim për sa i përket një fakti, që viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për planetët.
Gazeta Shqip