Ndryshe nga statuja e burrit, ajo e gruas është e dëmtuar në pjesën e hundës dhe të veshit të majtë. Ndoshta, pozicioni i vendosjes me shpinë të bustit nuk e ka favorizuar ruajtjen e gjendjes së pacënuar të saj. Shpejt pritet të kalojë në duart e restauratorëve. Drejtuesi francez i ekspeditës, Jean-Luc Lamboley ka hedhur hipotezën që të dyja statujat mund t'i përkasin një familje të rëndësishme apoloniate. Arkeologët po punojnë për saktësimin e kësaj hipoteze. Ende nuk ka një datë të saktë për bustin femëror, por nisur nga të dhënat e paraardhësit dhe të vendit ku është zbuluar, mendohet se ai i takon fundit të shekullit të II pas Krishtit. Po çfarë po ndodh me statujën e parë të zbuluar në Apoloni pas 50 vitesh, bustin që deri më tani është menduar i një atleti? Arkeologu Faik Drini, drejtues i palës shqiptare të ekspeditës sqaron se ai është busti i një "aristokrati të periudhës romake".
"Ai i përket shtresës së aristokracisë. Një njeriu të thjeshtë nuk mund t'i bëhej një statujë", pohon Drini, duke hedhur poshtë idetë e para "të hedhura kalimthi". Ky saktësim është bërë edhe në shpjegimin e vendosur në bazamentin e statujës së ekspozuar në Institutin e Arkelogjisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Aty shkruhet saktësisht: "Portreti i një aristokrati nga Apolonia, gjysma e dytë e shek II pas Krishtit". Instituti nuk është vendi përfundimtar ku mendohet të qendrojë busti, por ende nuk është marrë vendimi final nga "instancat qeveriatare". Dy alternativat e tjera janë:
ekspozimi në Muzeun Historik Kombëtar, ose në vendin prej nga ka ardhur, në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë.
Përkohësisht ai është ekspozuar në hyrje të pavionit të antikitetit në Institutin Arkeologjik. Në krahun e majtë ka objekte prej guri të zbuluara në Bylis, kurse djathtas shtrihen mozaikë të Sarandës, Bylisit, Antigonesë etj.
Arkeologëve u bën përshtypje mënyra e rastësishme që u gjend busti i padëmtuar, po aq sa edhe prurjet e këtyre dy javëve në kanalin e shkarkimit të ujërave të çative të vilave romake (e quajtur sektori G). Sipas Drinit, ai është fshehur aty ndoshta në shek IV, kur Apolonia ishte drejt rënies përfundimtare të saj. "Njohim raste fshehjesh edhe në periudhat moderne. Gjatë Luftës së Parë Botërore janë fshehur statuja për t'i mbrojtur ato nga ushtritë e huaja që kalonin në territorin e Apolonisë. Por, kjo statujë është fshehur në antikitet".
Arkeologu Faik Drini pohon se Apolonia është një qytet shumë i madh dhe gërmimet aty janë bërë në një sipërfaqe shumë të vogël, që mendohet të zgjerohet nga viti në vit. Kjo mund të jetë arsyeja që rezultatet e ekspeditave shpesh nuk kanë qenë frytdhënëse. Ose të paktën, nuk kanë qenë ato rezultate që tërheqin vëmendjen e një mase njerëzisht (siç është rasti i statujave të kohëve të fundit). Tri objektet e zbuluara këto kohë kanë rëndësi edhe për një fakt tjetër. Kur u zbulua këmba e bronzit të legjionarit romak, prof Jean-Luc Lamboley konstatoi se "ka ekzistuar një shkollë e artit në Apoloni".
Sipas prof Drinit, ka një shkollë apoloniate dhe duket se modelet janë marrë nga shkolla e një prej skulptorëve më të njohur helenë Praksitelit (Praxiteles). "Autorë nga Apolonia nuk njohim, por në bazë të tipareve të skulpturave duken modele të kësaj shkolle. Natyrisht, ai që punonte ishte mjeshtër i madh". Drini vlerëson te skulpturat e zbuluara deri më tani, shijen e hollë artistike që shquhet në punimin e tyre. Konkluzione të tjera priten nga arkeologët edhe pas zbulimit të djeshëm.
Prurjet arkeologjikë të dy javëve të fundit përbëjnë një ngjarje me rëndësi për arkeologjinë. Që nga koha e gërmimeve të ekspeditës sovjetike-shqiptare e drejtuar nga prof Selim Islami dhe prof. Bllavatski në vitet 1958-1960, nuk është zbuluar asnjë statujë. Po edhe në kohën e ekspeditës së Jean-Luc Lamboley, prof i Universitetit Lyon 2 të Francës dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Faik Drinit, shef i departamentit të arkeologjisë në QSA. Grupi i ekspeditës me 22 vetë (ndër ta edhe 6-7 studëntë) vijon gërmimet deri më 4 shtator në sektorin e vilave romake dhe një portik të Apolonisë, që shtrihet në veri të Agorasë