Eshtë folur e shkruar, por gjithnjë deri tani në formë të supozimeve, “duhet” të ketë libra, dorëshkrime apo dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme sesa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe “Meshari” nga viti 1555.
Kërkimet nuk kanë rreshtur, por rezultatet deri tashi kanë munguar. Pothuajse të gjithë studiuesit që merren me kërkime dhe hulumtime shkencore, kishin shënuar Vatikanin, (Bibliotekën Apostolike apo Arkivin Sekret të Vatikanit), si një nga vendet ku do të duhej të ruheshin dokumente apo dorëshkrime të vjetra në gjuhën shqipe. Nuk ishin gabuar ata që kishin menduar kështu.
Një studiues i njohur arbëresh, Nilo Borgja, i cili botoi edhe një studim të mrekullueshëm për “Perikopenë e Ungjillit” nga shek.XIV, me grafema greke e fjalë shqipe, i kishte pohuar gjuhëtarit tonë të famshëm Eqrem Çabejt, se ishte në rrugë të mirë të gjente një dorëshkrim më të vjetër se “Formula e pagëzimit” dhe se “Meshari”. Për fat të keq, Nilo Borgja vdiq, pa arritur të zbulonte dokumentin apo dorëshkimin në fjalë. Një pohim të ngjashëm e bën edhe studiuesi i njohur tjetër arbëresh, Zef Skiroi. Ne, duke ndjekur gjurmët e studiuesve të mëhershëm, kishim fatin e mirë, që në Arkivin Sekret të Vatikanit, të zbulonim një dorëshkrim nga viti 1210 me autor Teodor Shkodranin. Dorëshkrimi përbëhet nga 208 fletë. Është i shkruar në pergamen dhe i tëri është në gjuhën shqipe. Ndahet në tri tërësi: atë teologjike, filozofike dhe historike. I gjithë teksti është autograf. Autori shënon emrin e mbiemrin e tij si dhe vitin kur e ka mbaruar dorëshkrimin.
Për herët të parë bëhet fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285 siç është menduar deri më tani), në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut /Raguzës/ nga 14 korriku i viti 1284 ku thuhet: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe” (Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca). Dëshminë e dytë e kemi nga një autor anonim, që sipas të gjitha gjasave ishte prift i urdhërit domenikan, i cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, kur përshkruan Shqipërinë dhe shqiptarët, ndër të tjera shkruan: “Këtu shqiptarët e lartëpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështuqë nuk meren vesh fare me popujt tjerë” (Habent enim Albani prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus).
Dëshmia e tretë është ajo e Guljelm Adamit, i cili në vitin 1332 shkroi me porosi të papës Gjon XXII, traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit VI Valua, mbretit të Francës, me titull: “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT], ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famëshme që e bëri të njohur në histori: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre”.
Rëndësi të veçantë ka edhe fakti, se autor i këtij shkrimi është një shqiptar nga Shkodra. Për autorin, Teodor Shkodranin, pos të dhënave që bën vetë autori në fund të dorëshkrimit, por edhe të tjerave që gjinden në disa dorëshkrime që ruhen, pos Arkivit Sekret të Vatikanit, edhe në Bibliotekën Apostolike, pjesa dërmuese e të cilave janë të shkruara në gjuhën greke dhe janë të pabotuara, ne kemi edhe njohuri të tjera, disa nga të cilat na i ofroi studiuesi, dr. Moikom Zeqo. Dorëshkrimi është prërgatitur për botim, është transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet për botim, me një koment dhe analizë shkencore.
Studimet dhe hulumtimet shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, janë shumë të rëndësishme ngase na mundësojnë njohjen dhe pasurimin me të dhëna të reja për albanologjinë dhe historinë kombëtare në përgjithësi. Deri para pak kohësh është folur e shkruar, por gjithnjë deri tashi në formë të supozimeve, se “duhet” të ketë libra, dorëshkrime ose dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme se sa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shytpur në gjuhën shqipe “Meshari” i Buzukut nga viti 1555.
Duke u nisur nga ide të tilla, por edhe pohimi i Eqrem Çabejt se: “Në nëndorin e vitit 1940 N. Borgia më kumtoi në Grotaferata pranë Romës se kishte zbuluar në Arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij ky dijetar e mori me vete në varr. Gjurmime të mëtejme nëpër arkivat e Vatikanit e të Propagandës mund të na sjellin ndonjë të papritur në zbulim dokumentesh më të moçme të shqipes.” [Studime gjuhësore, vëllimi VI, f. 12, referenca nr. 29, Prishtinë 1988.]
Ne, sikur edhe shumë studiues të tjerë ju vumë kërkimeve në Arkivin Skeret të Vatikanit për gjetur ndonjë gjurmë të këtij dokumenti apo dorëshkrimi. Konsultimi me koleg e specialistë me përvojë nga Arkivi i Vatikanit, por edhe studiues eminentë botëror, që bëjnë studime në Vatikan, ishe i dobishëm, ngase kursyem shumë kohë dhe eliminuam disa nga fondet arkivore, duke qenë pothuajse të sigurtë se aty nuk mund të ndodhej një dokument apo dorëshkrim për të cilin bën fjalë Nilo Borgia, e pas tij edhe Zef Skiroi. Fondet të cilat duhej të studioheshin, prap ishin të shumta dhe tepër voluminoze.
Paralelisht kemi konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, duke shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë duke shpresuar të kishim fatin e mirë që të zbulonin atë dorëshkrim aq të dëshiruar.Siç dihet Arkivi i Vatikanit e ka zanafillën e tij nga mesjeta e hershme. Për publikun dhe studiuesit laik ai u hap vetëm pas vitit 1882. Këtu ruhen dokumente, dorëshkrime dhe libra nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me relegjioni dhe kishën; por edhe me momente të tjera të jetës laike, politke, shkencore, etj.
Funksionimi i këtij arkivi është rregulluar në vitin 1927 me rregulloren: “Regolamento dell’Archivio Vaticano del 1927″. Konsultimi dhe shfrytëzimi i dokumente, por edhe i literaturës tjetër që ruhet në këtë Arkiv është përcaktuar nga Papati dhe zbatohet me përpikmëri duke mos bërë asnjë lloj lëshimi. Për momentin mund të konsultohet lënda burimore arkivore deri në periudhën e Benediktit të XV; [1914] ndërsa për atë në vazhdim, por edhe për disa fonde të veçanta, pos lejeve speciale, një pjesë e mirë Arkivit të Vatikanit është ende “skertete”.Më në fund, në vitin 1998, kemi pasur fatin të kishim në dorë, një vëllim të lidhur me kopertina të forta druri, nga viti 1210, titulli i të cilit në regestat e Vatikanit nuk ishte i shënuar komplet dhe në formën origjinale. Shfletimi i kujdesshëm, që në faqen e parë, ishte shenjë se teksti nuk ishte në gjuhën latine, greke, sllave apo ndonjë gjuhë tjetër, por ishte i tëri në gjuhën shqipe.
Vëllimi i tëri ishte në pergamen, gjë e zaonshme për kohën kur ishte shkruar. Kishte 208 fletë. Paginimi [numërimi] i faqeve ishte vetëm recto. Dimensionet ishin: 28 x 39.5 cm. Komplet vëllimi, ishte i ruajtur shumë bukur, nuk kishte dëmtime, pos që në disa vende ka filluar të fshihet ngjyra dhe kjo në fletët 188, 189 dhe 192. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me grafema [littera-shkronja] latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut, që si i tillë paraqet mjaft vështërisi për t’u lexuar.
Në fillim, por edhe në disa vende brenda dorëshkrimit, ka iniciale të cilat janë shumë të bukura. Tre nga ato janë të praruara me flori. Inicialet tjera janë me ngjyrë të kuqe, pjesa dërmuese, ndërsa dy janë me ngjyrë blu të hapur. Në dorëshkrim ka edhe tre miniatura kryesisht të punuara nga floriri të cilat paraqesin momente biblike.I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë.
Ndërsa në fund fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin e tij: Teodor Shkodrani, duke shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, përfundova në vitin 1210, ditën e 9 të marsit”. [Mee nihemmen ??e dessirnnee e phorte e t’Lumm-numittee ªOT – e mbaronjj n’vittee MCCX – ditnee e ix – t’Marxxittee. : Theoodor Scodraanitee.
Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në f. 1r – 97r mbi teologjinë; f. 98r – 146r mbi filozofinë dhe 147r – 208r mbi historinë. Secili nga kapitujt mund të jetë edhe libër në vete. Duke mos mohuar vlerën dhe rëndësinë dy kapitujve të parë, kapitulli i tretë ka tërhequr më shumë vëmendjen tonë ngase pos të dhënave me interes të veçantë, autori citon edhe vepra të tjera që ka konsultuar dhe më shumë se një herë, thirret në kronikat shqiptare të qyteteve të ndryshme.(Teodor Shkodrani)