Sipas burimeve zyrtare, bëhet me dije se autoritetet austriake janë duke vijuar hetimet, për të zbuluar identitetet e personave që abuzuan seksualisht me 23-vjeçaren që mbijetoi në tragjedinë e Himarës. Abuzimi seksual i saj ndodhi pikërisht në kohën kur vajza ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Austri. E megjithatë, ende po vijojnë hetimet për të zbuluar personat e implikuar në këtë ngjarje të papranueshme nga opinioni publik dhe jo vetëm.
Familjarët e të abuzuarës, herë pas here kontaktojnë me Prokurorinë e Tiranës, për të marrë një përgjigje në lidhje me procesin e hetimeve. E vetmja përgjigje që marrin, është se nuk kanë mundur të gjejnë abuzuesin dhe se hetimet po vazhdojnë. Ata kërkojnë me ngulm zbardhjen e së vërtetës. Duan të dinë se kush është personi që solli në jetë Gladielën, e cila tashmë është pranuar me dashuri nga pjesëtarët e familjes duke u bërë pjesë e tyre. Vogëlushja gëzon shëndet të plotë dhe rritet dita-ditës.
Hetimet
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se autoritetet austriake, po vazhdojnë hetimet dhe si të dyshuar kryesorë janë tre personat që kanë qenë pranë Florije Pecit, gjatë kurimit në spital.
Hetuesit kanë futur në rrethin e të dyshuarve mjekun e 23-vjeçares, rojën e spitalit dhe pastruesin. Prokuroria shqiptare ka kërkuar informacione herë pas here, për ecurinë e hetimeve nga homologët austriakë, por e vetmja përgjigje ka ardhur para katër muajsh.
Hetuesit e huaj thonë se Peci është abuzuar seksualisht në qendrën e rehabilitimit në Austri. Prokuroria e Tiranës ka marrë mostra gjaku të vajzës dhe nënës, për t’u bërë analizat e ADN-së.
Ndonëse u bënë shumë muaj nga dalja e analizave, prokuroria austriake nuk ka mundur që të bëjë asgjë. Burimet nga autoritetet shqiptare bëjnë me dije se kanë pak të dhëna në lidhje me çështjen.
Autoritetet shqiptare thonë se i kanë dërguar dosjen e plotë me të gjitha të dhënat e nevojshme, që do të ndihmonin hetuesit për identifikimin e personit që abuzoi me 23-vjeçaren. E megjithatë, nuk ka asnjë informacion për ecurinë e procesit.
Autoritete austriake kanë bërë me dije se për përdhunimin e saj dyshohen tre persona, mjeku, roja dhe pastruesi.